Është një shtëpi që mbledh rreth 50 fate të ndryshme grash të vetmuara dhe të sëmura. Është një shtëpi e ngrohtë dhe shumë dashamirëse ku motrat e Nënë Terezës në emër të sakrificës dhe dashurisë njerëzore bëjnë maksimumin, duke i shërbyer me ushqim dhe përkujdesje fizike të moshuarave dhe të paralizuarave. Pikërisht në këtë shtëpi, drejtuesja e Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”, Dr. Liri Berisha vjen çdo vit për gati një dekadë, për të vizituar, takuar dhe për t’u njohur me nevojat e këtyre grave. Këtë vit, ajo u shoqërua nga moderatorja Rudina Magjistari dhe anëtarja e bordit të Fondacionit Fëmijët Shqiptar, Elvana Hana.
Dr.Liri Berisha, duke falenderuar motrat e Nënë Terezës për dashurinë dhe përkushtimin që dhurojnë ndaj këtyre grave, apeloi që të tjerë individë, persona publikë ose jo, të gjejnë kohën dhe ta vizitojnë këtë shtëpi, pasi të qenurit pranë këtyre njerëzve i bën ata të mos ndihen të vetmuar, jua bën ditën më të bukur dhe memorien kolektive më të pasur.
“Pavarësisht se ju këtu jeni si një familje, ju nuk keni familjet tuaja, gëzimin që duhet të kishit, por mbi të gjitha ju keni qetësi, siguri dhe një përkujdesje të veçantë falë motrave të Nënë Terezës. Këtu ka zonja të moshuara, zonja të sëmura, ka zonja që duan përkushtim gjatë gjithë ditës dhe kjo nuk ju ka munguar. Ne mundohemi të krijojmë atmosferë sa herë që vijmë, por do të doja që këtë atmosferë ta ndjenit edhe nga njerëz të tjerë. Ky është një apel edhe për qytetarë të tjerë që të vini më shpesh të shikoni edhe ju që duhet të vlerësoheni për atë që keni bërë në jetën tuaj, por edhe motrat e Nënë Terezës, puna e të cilave është vërtetë frymëzuese. Ju uroj shumë shëndet”, u shpreh Dr.Liri Berisha.
Edhe gazetarja dhe moderatorja Rudina Magjistari u ndje shumë e vlerësuar që u takua dhe u njoh me gratë që marrin shërbime në këtë qendër sociale rezidenciale, duke theksuar se si gazetare do të bëjë ç’është e mundur të bëjë të njohur këtë qendër me qëllim që ajo të vizitohet nga sa më shumë njerëz, që duan të falin dashuri dhe vëmendje.
“Është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu dhe ndodhem për herë parë. U ndjeva shumë e nderuar që znj. Liri Berisha më zgjodhi mua këtë vit, që të isha bashkë me ju këtu. Është emocion i veçantë t’ju takosh juve. Mendoj, se secila prej jush ka një histori të veçantë që e sjell me vete, historinë e jetës së vet, dikush më të vështirë , dikush më pak të vështirë. Por, trishtimi më i madh për çdo njeri në jetën e tij, besoj unë, është të qenurit vetëm, të ndjerit vetëm. Ju duke qenë këtu bashkë të gjithë, duke jetuar me dashuri dhe ngrohtësi në këtë familje të madhe, ku këto motra të dashura me zemër të madhe ju kanë krijuar, besoj vetminë të paktën nuk e ndjeni dhe kjo është një gjë shumë e çmuar. Ne do t’i përgjigjemi apelit të znj.Berisha për ta bërë sa më publik këtë thirrje për njerëzit që të vijnë e t’ju takojnë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë festave”, u shpreh Magjistari.
Atmosfera e takimit në këtë qendër model përsa i përket shërbimeve ndaj të braktisurve, të sëmurëve dhe të moshuarve u bë edhe më e bukur me shpërndarjen e dhuratave, për të cilat kishte menduar dhe ishte kujdesur posaçërisht anëtarja e Bordit të Fondacionit “Fëmijët Shqiptar”, Elvana Hana. Dhuratat u shpërndanë tek çdo e moshuar, ku një vëmendje ju kushtua edhe atyre që janë të pamundura për të lëvizur nga shtrati.