Gjermania në ndjekje të terroristit

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere konfirmoi se autoritetet janë në kërkim të një personi të ri të dyshuar për sulmin vdekjeprurës me kamion të hënën mbrëma në Berlin. Ai tha se një ndjekje në shkallë të gjerë ka filluar në Gjermani dhe në zonën Shengen të Bashkimit Evropian.
Ministri i Brendshëm nuk dha hollësi për identitetin e personit, por burimet e medias thonë se bëhet fjalë për një tunizian, pas gjetjes së një dokumenti identifikimi nën sediljen e shoferit të kamionit.
Dy ditë më parë, autoritetet liruan një person që u arrestua menjëherë pas sulmit, ku mbetën të vrarë 12 vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Sipas burimeve nga zyrtarë të sigurisë, dokumenti i gjetur në kabinën e shoferit kishte emrin Anis A., i lindur në Tataouine në vitin 1992. Personi besohet se përdor emra të rremë. Sipas mediave, Gjermania i kishte mohuar atij më parë azilin.
Policia e Berlinit tha se kishte marrë më tepër se 500 informacione nga publiku, me anë të një linje telefonike të vendosur për këtë qëllim.
Shteti Islamik ka thënë se sulmi është kryer në përgjigje të thirrjeve të tij për të vënë në shënjestër qytetarët e vendeve pjesëmarrëse në koalicionin e udhëhequr nga SHBA dhe që synon shkatërrimin e grupit militant.
Gjermania nuk është një prej vendeve që marrin pjesë në sulmet ajrore kundër objektivave të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, por ka luajtur rol mbështetës, duke përfshirë furnizimet me karburant dhe operacionet e zbulimit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila vuri lule në skenën e sulmit, afër Kishës Kaiser Wilhelm, tha se është “e tronditur dhe thellësisht e pikëlluar nga sulmi”.
“Dymbëdhjetë njerëz që ishin mes nesh, që po prisnin Krishtlindjet, që kishin planifikuar kremtimet, nuk janë më mes nesh”, tha ajo. “Një akt i tmerrshëm dhe përfundimisht i pakuptimtë i ka grabitur jetët e tyre”.
Kreu i Policisë Kriminale tha se policia nuk ka gjetur ende armën që besohet të ketë qenë përdorur për të vrarë shoferin polak të kamionit.
Në përgjigje të sulmit, senatori i Berlinit për Punët e Brendshme, Andreas Geisel, shpalli masa të reja sigurie që duhet të zbatohen në kryeqytet.
Dëshmitarët thanë se, tregu popullor i Krishtlindjeve ishte i mbushur me turistë dhe banorë vendas kur aty u përplas kamioni, që besohet të ishte me shpejtësi më shumë se 60 kilometra në orë. Autoritetet thanë se automjeti ishte i ngarkuar me trarë çeliku.
Shtëpia e Bardhë ofroi ngushëllime nëpërmjet një deklarate, në të cilën dënohet sulmi i së hënës.
Departamenti amerikan i Shtetit kishte bërë thirrje më herët për kujdes në sheshe dhe vende të tjera publike në të gjithë Evropën.

Artikulli paraprakNuk ka konsensus amerikan për sulmet kibernetike
Artikulli tjetërVëllai i këngëtarit të njohur jeton duke mbledhur kanaçe