Kapja e drejtësisë me qeverisjen e gjyqësorit

Pasi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vettingut, Partia Demokratike i është drejtuar sërish gjykatës, për ligjin e fundit të paketës që u miratua me vetëm votat e mazhorancës dhe që ka të bëjë me organet e qeverisjes së gjyqësorit në vend.
Partia Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke i kërkuar të shpallë antikushtetues ligjin për qeverisjen e sistemit të drejtësisë, për KLGJ e KLP, duke e çuar në dy numrin e ligjeve të reformës në drejtësi, që do të kalojnë testin kushtetues, pas atij të Vettingut.

Ankimimi i PD-së në Kushtetuese

Ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë është ndër më voluminozët e reformës në drejtësi, me 198 nene, por që pak orë para votimit të tij, mazhoranca do të sillte në Kuvend edhe një paketë me plot 104 amendamente, të cilët do të ndryshonin jo vetëm formulat e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë, por në thelb ato ndryshuan edhe mënyrën e filtrimit të kandidatëve.
Dhe ashtu si në draftin e parë, edhe në diskutimet e fundit në Kuvend, opozita e deklaroi prerazi se këto amendamente, nuk sjellin asnjë përmirësim të draftit fillestar, por përkundrazi krijojnë një çarje të re kompetencash. Ndërkaq, lidhur me draftin e parë të qeverisjes së drejtësisë, PD do të depozitonte në Komisionin e Reformës në Drejtësi një paketë me vërejtje për të paktën 11 nene të draftit të mazhorancës, i cili nuk u votua në fillim të muajit tetor.
Në opinionin e saj, opozita renditi 11 nene ku sipas saj, Kushtetuta shkelet në mënyrë flagrante. Opozita i paraqiti këto amendamente pasi drafti është hartuar pa prezencën e saj në komision dhe versioni që i është përcjellë Kuvendit nuk ishte konsultuar me ekspertët e opozitës.
Sipas PD-së, projektligji ka bërë deformim në mënyrë flagrante të sistemit të emërimeve të përcaktuar nga Kushtetuta për anëtarët e jashtëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e shndërruar atë nga një sistem që përfshin ekskluzivisht në përzgjedhje vetëm Kuvendin dhe organet e tij të brendshme, në një sistem bashkëpunimi në emërim, që e ndërthur veprimtarinë e Kuvendit me propozimin nga organe të jashtme, të paparashikuara nga Kushtetuta.
Projektligji përmban parashikime që janë të papranueshme për statusin dhe pozitën kushtetuese të Presidentit të Republikës, por edhe bie ndesh me nenin 179 të Kushtetutës.
Sipas PD-së, projektligji eliminon kriterin kushtetues të konkurrimit të hapur të një profesioni të caktuar, duke risjellë amendamentin e dikurshëm, sipas të cilit Dhoma Kombëtare e Avokatisë apo një mbledhje pedagogësh kanë të drejtën e propozimit të kandidaturave.
Për PD-në, kjo është e papranueshme. Me këtë fjali opozita përshkruan edhe heqjen e së drejtës së presidentit për të organizuar shortin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të paktën 4 çështje të tjera që lidhen me të 4 institucionet e reja të drejtësisë, objekt i ligjit në diskutim.
Demokratët shprehen se analiza është bërë duke mbajtur në konsideratë jo vetëm konstatimet e opinioneve të Komisionit të Venecias, por mbi të gjitha Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.

Artikulli paraprakVëllai i këngëtarit të njohur jeton duke mbledhur kanaçe
Artikulli tjetërRreth 28% e shqiptarëve janë larguar nga shtëpitë e tyre në vitin 2015. Ky është raporti i publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror që e rendit Shqipërinë në vendin e dytë së bashku me Xhamajkën. Në vendin e parë renditet Bosnja dhe Hercegovina, ku një e treta e personave që kanë lindur aty tashmë janë jashtë vendit të tyre. Një studim i kohëve të fundit nga Agjencia e Kërkimeve Pew duke përdorur të dhënat e OKB në 2015 tregon se nëntë vende kanë humbur një të pestën e popullsisë së tyre, që do të thotë 20% e popullsisë së këtyre vendeve janë larguar. Ndërkohë, një në pesë të lindur në popullatën e Kazakistanit, Sirisë, Trinidad dhe Tobago, Maqedonisë dhe Portugalisë jetojnë në vende të tjera. Në disa raste arsyeja është e qartë: Konflikti apo rreziku fizikë janë faktorët që detyrojnë njerëzit të largohen. Shumë të lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë u larguan në fillim të viteve 1990, kur shpërtheu edhe lufta. Ka pasur të tjerë eksode, ku më i fundit është ai i popullit sirian, ku 22% ose 5 milionë sirianë janë larguar që prej vitit 2011 kur filloi lufta civile. Të tjerë lënë vendin e tyre duke kërkuar mundësi më të mira ekonomike. Raporti argumenton se emigrimi mund të ketë efekte të rëndësishme demografik. Për shembull shumë të rinj janë larguar nga Shqipëria, ndërsa emigrimi është më i zakonshëm në mesin e grupeve me arsim të lartë në Trinidad dhe Tobago.