Edi Rama e ka gjithmonë një fajtor për të gjetur!

Nga Desada Metaj

Media media… të fortët bëjnë kërdinë

Ka një kod moral (dhe etik) që kur vritet një i pafajshëm, kryeministri i çdo vendi në reagimin publik së pari ngushëllon familjen. Më tej mund të nisë analizën dhe sulmet ndaj çdo institucioni që nuk e ka në varësi apo dhe medias.

Edi Rama, Muhamet Rrumbullaku dhe të tjerë kanë lënë sot pushimet dhe kanë thyer heshtjen për ngjarjen kriminale të Pogradecit. Dhe këtë e bënë në ditën e tretë të një skandali për të cilin foli veç media. Hallkat e të gjithë institucioneve përgjegjësi heshtën në seri.

Dhe siç pritej, kryeministri dhe drejtori i përgjithshëm i policisë kanë treguar me gisht fajtorin. Pa gjetur qoftë dhe një fije përgjegjësie tek vetja. Për Edi Ramën nuk e ka fajin policia që e ka referuar ngjarjen siç duhet (edhe pse me dy raporte) por prokuroria. Të dy bashkë mendojnë se ambulancat në këtë vend vijnë për 4 minuta. Rrumbullaku madje i bashkohet shefit të madh me argumentin se fajin e ka media.

Dhe në fakt media ka plot mëkate në këtë vend, sidomos ajo që i shërben propagandës së Edi Ramës. Ka dhe mëkate të tjera lidhura me etikën për të cilën nuk ja ka fajin Rama. Por në raste të tilla, në skandale si ai i vrasjes së Klodian Rashës , media mbetet e vetmja që i jep zë të pafuqishmëve që nuk gjejnë drejtësi në asnjë hallkë të shtetit dhe pushtetit.

Pa denoncimin e medias për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, sot çështja do të ishte mbyllur. Pa pasqyrimin në media të dëshmisë së motrës së viktimës, Denis Meçe do ishte duke vijuar i qetë pushimet. Për më tepër “shefi madh” dhe “shefi vogël” reaguan vetëm kur media raportoi për ditë me radhë skandalin e ndodhur në Pogradec dhe përpjeket për ta tjetërsuar rrjedhën e vrasjes.

Media është ndoshta hallka e vetme e mbetur ku njerëzit pa pushtet dhe mbështetje gjejnë disi hapësirë për hallet e tyre. Dhe sigurisht që nuk ështe faji i saj pse kriminelët me pushtet vrasin e presin pa i hyrë gjëmb në këmbë. Nuk i ka veshur media me pushtet banditët. Dikush tjetër i ka bërë deputetë, ministra apo drejtorë të rëndësishëm.

Media ka pjesën e saj të mëkatit por më së paku ka ende gazetarë që nuk heshtin. Qé ngrejnë zërin për padrejtësitë. Gjë që nuk thua dot më për administratën apo drejtuesit shtetërorë, për të cilët përgjegjësia është diçka që ekziston në letra. E ku dorëheqja mbetet tabu e paprekur dhe e pafolur.

Të gjithë vartësit e Edi Ramës, në çdo nivel tashmë i gjejnë armiqtë që hanë dardha dhe kumbulla veç pas shpinës së tyre. Asnjë prej tyre madje nuk gjen as guximin ti thotë shefit të madh se kur flitet në publik për një viktimë të pafajshme, së pari ngushëllohet familja dhe së dyti i shkruhet emri dhe mbiemri në shenjë respekti për qytetarin që i forti me pushtetin e Ramës e rrahu dhe qeveria e vrau!

Të tjerat janë llogje pazaresh që ditën e tretë zhurma e propagandës do ti vrasë, siç arroganca e pushtetit dhe e krimit vret dhe pret pa u trembur në këtë vend!

Artikulli paraprakKryeministri i Japonisë njofton dorëheqjen pas pakënaqësive nga qytetarët në lidhje me skandalet politike dhe rritjen e kostos së jetesës
Artikulli tjetërTragjike! Binjakët e porsalindur vriten në Gaza teksa babai i tyre po shkonte t’i regjistronte! Rrëfimi i të atit: Nuk arrita as të festoja për ta