Claudio Ranieri i dashuruar me Leicester. Trajneri i “dhelprave” është rrëfyer për të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen. Ai shprehet se është i gatshëm të qëndrojë tek skuadra e Leicester edhe për 8 vitet e ardhshme pavarësisht se interesi për të është i madh si pasojë e sezonit të mrekullueshëm me Leicester, me Ranierin që është një ndër kandidatët e stolit të kombëtares italiane, por vetë tekniku i premton besnikëri skuadrës angleze.
“Jam i gatshëm të qëndroj tek Leicester edhe për 8 vite të tjera. Dëshiroj që karrierën time si trajner ta mbyll këtu. Gjatë kohës kur unë drejtoja Interin, e vetmja gjë që bënë drejtuesit zikatër ishte që më shitën lojtarët më të mirë. Përsa i përket stolit të kombëtares nuk jam ende i gatshëm të marr mbi super një mision të tillë”, u shpreh Ranieri.
Më tej Ranieri ka folur dhe për marrëdhëniet mes tij dhe futbollistëve. Ai shprehet se ka një raport shumë të mirë me ta. “Djemtë janë duke përjetuar një moment fantastik. Jemi afër të bërit histori. Ky i joni është një tren që duhet të kalojë tani ose kurrë më. Kam një raport të shkëlqyer me futbollistët, i dua ata njësoj si të ishin djemtë e mi”, tha ai.
Kryesojnë renditjen me +7 pikë nga Totenhemi, kur kanë mbetur 5 javë nga fundi i Premier Ligës dhe vetëm 48 orë nga ndeshje me Uest Hemin. “Sindroma” Leicester ka përfshirë këdo, të gjithë globin, sepse ndryshe nuk shpjegohet prania e 70 gazetarëve në konferencën e djeshme të Claudio Ranierit, të cilët vinin nga çdo cep i botës: Italia, Japonia, Australia, Danimarka, Spanja, Kina, Tajlanda, SHBA dhe jo vetëm.
Leicesteri është fenomeni i ri i futbollit global dhe të gjithë bëjnë tifozllëk për Ranierin dhe skuadrën e tij, të cilët i ndajnë shumë pak sforco nga fitorja përrallore. Por nëse dikush mendon se tensioni në shtëpinë e “dhelprave” shtohet, trajneri italian nënvizon të kundërtën.
“Jam i përqendruar vetëm te ndeshja me Uest Hemin. Dua një skuadër grintoze, që të tregojë një karakter të fortë, edhe sikur gjërat të shkojnë keq. Ky sport të detyron të luftosh, sepse futbolli është shumë i çuditshëm. Hapi i sigurt i radhës për ne është pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Më pëlqen himni i këtij kompeticioni, por mbi të gjitha më pëlqen kjo skuadër, tek e cila do të doja të mbyllja karrierën time, nëse pronari është dakord, normalisht. Do të qëndroja përjetë këtu”, tha Ranieri.
“Nervoz përpara Uest Hemit? Absolutisht jo. Nuk kemi arsye pse të kemi. Duhet të luajmë siç kemi bërë deri tani, duke buzëqeshur në fushë, çfarëdo gjëje që të ndodhë. Tashmë mbijetesën e kemi siguruar dhe sido që të shkojë, mrekullinë e kemi bërë gjithsesi. Ndonëse, nëse luajmë me të njëjtin shpirt siç bëmë kundër Sauthemptonit dhe Sandërlendit, ku nuk pësuam gol, mund të kalojmë edhe Uest Hemin dhe t’i afrohemi titullit kampion”.