Zhvatje 62 miliardë lekë me koncesionin e fshehtë për arsimin

Bashkia e Tiranës pranoi për herë të parë publikisht se Taksa e Infrastrukturës Arsimore u vendos për të financuar një koncesion me vlerë mbi 6.2 miliardë lekë ose rreth 46 milionë euro, deri më tani i mbajtur i fshehtë.
“Taksa do të përdoret për të financuar një skemë partneriteti publik privat për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet”, tha Enkelejd Musabelliu, drejtor i Çështjeve Ekonomike në Bashkinë e Tiranës, gjatë një takimi me Dhomën Amerikane të Tregtisë.
Taksa e përkohshme e arsimit u vendos për herë të parë në janar të këtij viti. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, çdo familje në kryeqytet detyrohet të paguajë 1800 lekë në vit, ndërsa për biznesin taksa varion nga 18 mijë në 37 mijë lekë në vit.
Bashkia pranoi se e gjithë skema e taksës u ngrit për të financuar koncesionin e planifikuar të shkollave, i cili është thuajse në të njëjtën vlerë sa ai i laboratorëve spitalorë. Sipas Musabelliut, Bashkia ka përfunduar studimin e fizibilitetit për këtë koncesion dhe aktualisht po pret vetëm miratimin nga Ministria e Financave.
“Partnerët privatë do të ndërtojnë me fondet e tyre 17 shkollat. Në momentin e dorëzimit të objekteve të ndërtuara, Bashkia do u paguajë këstin e parë me paratë e mbledhura nga taksa e infrastrukturës arsimore dhe kështu me radhë për 7 vite, aq sa është edhe afati i kësaj takse”, zbuloi Musbelliu.
Për vitin 2016, Bashkia ka mbledhur 360 milionë lekë nga taksa e infrastrukturës arsimore. Me paratë e mbledhura gjatë këtij viti do të paguhet shpronësimi i terreneve private, ku do të ndërtohen shkollat. Nga viti i ardhshëm, Bashkia do të fillojë pagesën e 7 kësteve deri sa të shlyejë plotësisht koncesionarin privat, që do të ndërtojë shkollat.

Artikulli paraprak25 vjet nga rënia e komunizmit
Artikulli tjetërInvestimet turke në Shqipëri, 3 miliardë euro