Lacio ka nevojë për hapësirë, Hysaj rrezikon të bëhet “spektator me pagesë” te bardhekaltrit

Rrugët e klubit të Lacios me të Elseid Hysajt duhet të ndahen gjatë kësaj vere, përkundrazi mbrojtësi i Kombëtares rrezikon që të mbetet tërësisht jashtë skuadrës bardhekaltër.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Lacio do të mundohet që të largojë lojtarë që nuk janë pjesë e planeve, sidomos sa i përket atyre mbi 21-vjeçare në 25-shen që mund të regjistrojë në kampionat. Për momentin kjo listë është e mbushur dhe nuk ka vend për afrimet e reja që t’i regjistrojë dhe shihet largimi i Hysajt si zgjidhje.

Problemi është se asnjë klub nuk merr përsipër të paguajë rrogën prej 2,8 milionë eurosh që Hysaj do të përfitojë në vitin që i ka mbetur në kontratë te Lacio. Në këto rrethana, klubi duhet ta dëmshpërblejë dhe ta lejojë të largohet si futbollist i lirë, ose mund të bëjë edhe veprimin tjetër, të nxjerrjes së Hysajt nga lista e futbollistëve të regjistruar për kampionatin.

Kësisoj, Hysaj do të mbetej një “spektator me pagesë” te Lacio, pasi do të vazhdonte të paguhej gjatë gjithë sezonit nga bardhekaltrit, por nuk do të mund të aktivizohej me ta. Një situatë që padyshim do të shkatërronte vazhdimin e karrierës së mbrojtësit 30-vjeçar që tashmë duhet të ngutet të gjejë një sistemim të ri.

Artikulli paraprakVuani nga rënia e flokëve? Ja ushqimet që duhet të konsumoni
Artikulli tjetërBE-ja kritikon Serbinë për bashkëpunimin me Rusinë: Ne jemi të qartë me partnerët, raportet me Moskën nuk mund të jenë normale…