Kafja e mëngjesit në udhët e dëshpërimit dhe pavullnetit!

Nga Ersid Karaj

Kafen e mëngjesit e kam zakon që gjithmonë ta konsumoj përpara se të nisem për punë. Zgjohem pak më herët dhe zbres në kafen e lagjes dhe aty menaxhoj edhe rutinën e përditshme që më pret. Duke shoqëruar kafen dhe cigaren, papritur në tavolinë më vjen një djalë, afërsisht moshtar me mua:

– Ersid si je?! – më përshëndeti dhe tërhoqi vëmendjen.

– Mirë i them, si jeni ju!

A mund të ulem?

– Po sigurisht ulu! – i them.

Porositi kafe për vete dhe më pas më pyet: A më njeh!?

Jo nuk të njoh, s’më kujtohesh, – i them.

Më pas më solli ndërmend që ishte nga Elbasani dhe nga fshati që jam rritur edhe unë.

– Me çfarë merresh? – e pyeta.

Eh, unë jetoj në Greqi, por kam ardhur disa ditë këtu për punë dokumentash në Ambasadë, – tha ai.

Më pas vazhdoj e pyes se ku jetonte atje, me çfarë merrej, dhe më thotë që jetonte në një fshat afër Selanikut dhe punonte në bujqësi.

E pyes për shkollimin dhe më thotë që kishte mbaruar 4-vjeçaren profesionale për elektriçist. Kishte punuar gati 1 vit në Tiranë pas një pronari që merrej me instalime ndriçimi nëpër vila biznesmenësh, deri edhe në televizione.

Kryepuntori e paguante 600 milek në muaj, edhe shpesh e nisnin punën në 7 të mëngjesit e gjer në 2-3 të mëngjesit të ditës tjetër. Dhe më tregonte që kishte punuar me shumë pasion për profesionin deri e ardhuronte atë punë.

Më pas më thotë që për shkak të rrogës dhe orareve të gjata në punë, dhe për shkak të jetesës së shtrenjtë në Tiranë ishte shkëputur nga ajo punë, ishte rikthyer në vendlindje. I kishte hyrë pasionit të dytë, tek muzika dhe kishte filluar të punonte si DJ (Dixhej) nëpër evente gëzimi.

Midis bisedës dhe rrëfimit e pyes që përse nuk e kishte vazhduar më tej këtë punë:

– Po kush po martohet më sot, o Ersid? – më thotë.

– A reziston dot 1 vit në Shqipëri duke pritur të dalin 2 dasma në dhjetor dhe 2 dasma në gusht?

– Ke të drejtë, – i them.

– U largova dhe tani nuk kam ndërmend të kthehem, këtu i provova me të gjitha energjitë, ëndrrat dhe pasionin tim. Nuk them që në Greqi jetoj shumfish më mirë, por nuk kam atë lodhje që kisha këtu. Mbaroj orarin dhe kam kohën time të lirë për argëtim dhe mund të bëj edhe ndonjë punë të dytë që ta leverdis.

Duke më treguar më tej për jetën që bënte atje, dukej më i lehtësuar me punën në bujqësi dhe më i dëshpëruar me pasionet që kishte ndjekur këtu.

Më pas u ndamë me një përqafim dhe unë u ula sërish e ndeza një cigare. Largimi i tij më la një pikëllim të madh. Doja me gjithë forcën ta thërrisja të qëndronte, por çfarë mundësie do t’i ofroja unë? Ai kishte arritur të ecte vetë dhe i kishte provuar ëndrrat e tij. Thirrja ime do të dukej e tepërt dhe e pavullnetshme për të.

Pasi mbarova cigaren bëra rrugën time dhe mendja nuk m’u nda nga ai. Për një çast u ndjeva i vetmuar. Nga dëshpërimi e më tej, m’u duk sikur kishte ardhur edhe dita ime të mbetesha kaq herët pa njerëz, si prindërit shqiptarë nga malli për fëmijët e tyre që jetojnë jashtë.

Pasi e mblodha veten pas një lëmshi të madh që m’u mblodh në grykë, vazhdova të ecja, nga padëshira dhe pavullneti për të punuar…

Artikulli paraprakSi e humbi qeveria brenda vitit dekoratën “10 milionë turistë”
Artikulli tjetërRama e përdor Saliun si gogol