Duke u turrur të verbër drejt greminës! Si tregjet euforike po shpërfillin rreziqet politike në rritje

Tregjet euforike po shpërfillin rreziqet politike në rritje. Fuqia e investitorëve përballë rrëmujës politike nuk ka gjasa të shpërblehet, shkruan The Economist

 

Viti i kaluar ka sjellë luftë në Lindjen e Mesme, përshkallëzim të konfliktit tregtar midis Perëndimit dhe Kinës dhe më 13 korrik, pati edhe një tentativë për vrasje ndaj kandidatit kryesor në garën presidenciale të Amerikës.

Por nëse këqyrni tregjet financiare, do të mendonit se nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme në botë.

Duket se asnjë gjakderdhje apo zemërim politik nuk mund ta shpërqendrojë Wall Street-in nga lajmi i mirë ekonomik: se frika e recesioneve deri tani ka dalë e gabuar dhe se inflacioni ka rënë.

Për rrjedhojë, tregjet janë afër niveleve më të larta të të gjitha kohërave në Amerikë, Eurozonë dhe Japoni, dhe shumë aksione në ekonomitë në zhvillim, po lulëzojnë gjithashtu.

Optimizmi është përhapur ngado. Krahasuar me fitimet e kompanive, aksionet e Amerikës kanë qenë kaq të shtrenjta vetëm gjatë dy lulëzimeve të mëparshme ekonomike.

Ndoshta përpjekja për të vrarë Donald Trump është parë si një akt i rastësishëm pa ndikime të thella politike. Në fund të fundit, Amerika ka një histori të gjatë të tentativave për vrasje ndaj politikanëve.

As tentativat e vrasjes ndaj Gerald Ford-it në vitin 1975 dhe Ronald Reagan-it në vitin 1981, nuk sollën kriza ekonomike.

Sidoqoftë, fakti se ndarja e theksuar partiake ka frymëzuar një tentativë për vrasje, është reflektim i përçarjes politike të Amerikës, që po përhapet në botë, duke shkaktuar trazira globale.

Nëse zoti Trump dhe kandidati i tij i ri, J.D. Vance, hyjnë në Shtëpinë e Bardhë, atëherë do të ketë përçarje edhe më të mëdha. Siç u shpreh në fjalimin e tij në kuvend, zoti Vance përforcon instinktet izoluese të Donald Trump.

Europa mund të humbasë ombrellën e saj të sigurisë në NATO dhe mund të vuajë nga dhimbje ekonomike të shkaktuara nga proteksionizmi amerikan.

A ka shqetësim ?!

Pse investitorët nuk janë të shqetësuar nga gjithë këto kërcënime? Një arsye është se ekonomia reale deri tani është përshtatur jashtëzakonisht mirë me trazirat globale.

Ndërsa lufta tregtare është ndezur, kompanitë perëndimore i kanë ripërshtatur zinxhirët e tyre të furnizimit përmes vendeve aziatike si Vietnami dhe India (shpesh duke i maskuar lidhjet me Kinën, në vend që t’i shkëpusin ato).

Kur u detyrua të shkëputej papritur nga gazi rus, ekonomia gjermane u përshtat, në vend që të shembej.

Në Amerikë, dëmi i shkaktuar nga tarifat është errësuar nga lulëzimi i vendeve të punës dhe stimuli që mundësuan deficitet e mëdha.

Risia, veçanërisht përparimi i Inteligjencës Artificiale gjeneruese, ka ecur me hapa të shpejtë.

Sidoqoftë, do të ishte naive po të mendohej se ekonomia globale është e paprekshme nga politika. Në fund të fundit, zhvillimi i saj varet nga themelet liberale, demokratike dhe paqësore mbi të cilat është ndërtuar kapitalizmi modern.

Këtë e tregon fakti se lajmi i mirë që po festojnë investitorët, pra ulja pa dhimbje e inflacionit, është arritur nga bankat qendrore, të cilat janë relativisht të mbrojtura nga ndërhyrjet politike.

Por politikanët mund të vendosin që ta shpërfillin tabunë e ndërhyrjes në normat e interesit, ashtu siç kohët e fundit ndryshuan pikëpamje në lidhje me subvencionet dhe tarifat.

Trump për shembull, sulmoi kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Powell, gjatë mandatit të tij të parë. Nëse Trump merr një mandat të dytë, do të jetë shumë e vështirë që Rezerva Federale të vazhdojë të ruajë pavarësinë e saj.

 

Shembujt

Vendet ku nuk vihet re një ngritje e bursës janë një shembull që tregojnë se çfarë pasojash mund të sjellin politika e keqe dhe përçarjet në tregti.

Tregu i madh me ecurinë më të keqe gjatë vitit të kaluar, është ai i Kinës, që ka rënë me rreth 10% në terma dollarësh.

Pavarësisht se në Perëndim po rritet pëlqimi për kapitalizmin shtetëror kinez dhe Pekini ka vënë vazhdimisht në dukje trazirat në Amerikë, e vërteta është se rritja ekonomike e Kinës ka qenë zhgënjyese kohët e fundit.

Qeveria e saj autoritare, së cilës i mungon disiplina dhe dinamizmi që kërkon politika demokratike, nuk ka arritur të zgjidhë dot krizën e pronave apo të luftojë ngadalësimin ekonomik duke nxitur konsumin.

Nga ana tjetër, në Perëndim, tregu i aksioneve të Britanisë ka pasur ecuri jashtëzakonisht të keqe që kur vendi votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian në vitin 2016, një vendim që ka ndërprerë flukset tregtare me ortakët më të afërt.

Këtë javë, aksionet e TSMC-së dhe firmave të tjera të teknologjisë, ranë pasi Trump kërkoi që Tajvani t’i paguante Amerikës për të marrë garanci për mbrojtje.

Në disa pjesë të botës (edhe pse nuk janë vende për të cilat investitorët duan t’ia dinë shumë), ekonomia reale po vuan nga rënia e rendit të vjetër.

Që nga pandemia Covid-19, vendet në zhvillim nuk janë rritur më shpejt se ato të pasurat siç u rritën gjatë lulëzimit të globalizimit pas vitit 1990.

Shumë nga vendet më të varfra janë ngarkuar me borxhe të mëdha, nga të cilat është e vështirë të shpëtojnë sepse kreditorët, duke përfshirë Kinën, nuk respektojnë statusin e veçantë të FMN-së, sepse e shohin atë si një krah të fuqisë perëndimore.

Përfundimisht, do të vijë një pikë kur përplasjet politike dhe gjeopolitike do të dëmtojnë edhe vendet e pasura.

Sidoqoftë, Wall Street tani për tani është i kënaqur nga fakti se po rritet gjithnjë e më shumë besimi se rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një lajm i mirë për investitorët.

Pritshmëritë
Përfundimisht, do të vijë një pikë kur përplasjet politike dhe gjeopolitike do të dëmtojnë edhe vendet e pasura. Sidoqoftë, Wall Street tani për tani është i kënaqur nga fakti se po rritet gjithnjë e më shumë besimi se rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një lajm i mirë për investitorët

 

SHBA

Ditët e fundit, ndërsa janë rritur gjasat për uljen e normave të interesit dhe fitoren e Donald Trump, janë bërë popullore aksionet me kapital të vogël.

Është e vërtetë se ulja e normës së taksës së korporatave nga 21% në 15%, një ide që e ka përmendur vazhdimisht Trump mund të rrisë mekanikisht fitimet, dhe se deficitet më të mëdha janë stimuluese për ekonominë.

Por ekonomia po nxehet më shumë se ç’duhet dhe buxheti i Amerikës është shumë më i tendosur se në fillim të mandatit të parë të Trump.

Këto nënkuptojnë se ka më shumë gjasa një inflacion më i lartë se sa një rritje më e shpejtë ekonomike.

Trump e ka parë prej kohësh bursën si një matës të ecurisë së tij, kështu që mund të heqë dorë nga idetë më të këqija.

Por nuk mundet që thjesht të shpresojmë se idetë më të rrezikshme ekonomike të Trump do të braktiseshin po të ushtrohej shumë trysni kundër tyre.

Një tronditje në Kinë

Dhe nëse Trump dhe Vance do të lejonin më shumë luftëra në Europë, ose nëse do të bënin hapa drejt shkëputjes së plotë nga Kina, kjo do të sillte pa dyshim kaos ekonomik. Investitorët do të goditeshin rëndë.

Një zhytje e tillë e rendit botëror në trazira do të ishte shqetësuese për investitorët, edhe nëse aksionet do të kishin çmime normale.

Nëse vlerësimet e tyre do të ishin jashtëzakonisht të larta si tani, kjo do të sillte përplasje të madhe. Rreziku politik është i vështirë për t’u vlerësuar nga tregjet.

Por kjo nuk do të thotë se duhet ta shpërfillin atë./Monitor

Artikulli paraprakFOTOT/ Vrasja në Ferizaj, ky është polici që qëlloi për vdekje xhaxhain e bashkëshortit të Vjosa Osmanit gjatë dasmës
Artikulli tjetërBie me 75% migrimi i parregullt përmes rrugëve të Ballkanit! FRONTEX: Refugjatët përpiqen të shmangin veriun e Serbisë! Ndryshojnë rrugën drejt pikave mes Shqipërisë e Malit të Zi, ose…