Mavraj, rrugës drejt Hamburgut

Ndaj Bayer Leverkusenit mbrëmjen e të mërkurës Mërgim Mavraj zhvilloi një tjetër paraqitje pozitive me fanellën e Kolnit ashtu siç ka bërë në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni. Por sfida kundër Aspirinave mund të ketë qenë e fundit për 30-vjeçarin me fanellën e klubit nga “Rhein Energie Stadion”. Mediat gjermane raportojnë se në merkaton e janarit, Mavraj mund të largohet nga Kolni. Futbollisti nuk ka arritur ende marrëveshjen me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës aktuale që i skadon në verën e vitit 2017 dhe për të mos e humbur me parametër zero pas 6 muajsh skuadra nga Westphalia mund ta shesë në merkaton e dimrit. Hamburgu është klubi që ka shfaqur më shumë interes për kuqeziun gjatë kësaj periudhe, por për të firmosur me Mavrajn duhet të derdhë në arkat e Kolnit një shumë që varion nga 1,5 deri në 3 milionë euro. Për lojtarin shqiptar interesohen edhe disa skuadra të tjera të Bundesligës dhe klube nga jashtë Gjermanisë. Pak ditë më parë drejtori sportiv i Kolnit, Jorg Schmatdke në një prononcim për mediat theksoi se 30-vjeçari nuk do të largohet nga “Rhein Energie Stadion” në janar edhe nëse nuk rinovon, por tashmë mediat që qëndrojnë pranë klubit të Kolnit raportojnë të kundërtën dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
Vetë trajneri Peter Stoger në përfundim të ndeshjes ndaj Leverkusenit që përfundoi në barazim 1-1, pasi thuri edhe një herë tjetër elozhe për Mavrajn deklaroi se nuk e di se çfarë vendimi do të marrë klubi në lidhje me mbrojtësin shqiptar. Ai është rikthyer më i fortë se kurrë pas një dëmtimi të gjatë dhe jo më kot e kam aktivizuar në të gjitha ndeshjet e këtij kampionati, Mavraj e ka merituar të jetë pjesë e formacionit falë paraqitjeve të tij, të them të drejtën nuk e di nëse do të largohet, nënvizoi në fjalën e tij trajneri i Kolnit, Peter Stoger. Tashmë në moshën 30-vjeçare që përkon edhe me kulmin e karrierës për një mbrojtës qendre, Mavraj po synon të firmosë kontratën e jetës dhe gjasat më të mëdha janë që ai të bëhet pjesë e një klubi me emër si Hamburgu.

Artikulli paraprakShtyhet sërish për në janar ligji për plehrat
Artikulli tjetërPAOK bën planet për Ergys Kaçen