Shënim/ Pse gjatë qeverisjes së Edi Ramës, klima politike dhe ekonomike është përkeqësuar në Shqipëri?

Qeveria e Edi Ramës ka dështuar në përmbushjen e premtimeve që vetë ka bërë, duke vepruar në kundërshtim me to në shumicën e rasteve. Një analizë e thjeshtë e bilancit të saj tregon se, në rreth 90% të rasteve, veprimet e qeverisë kanë qenë të kundërta me deklaratat dhe angazhimet e paraqitura në fillim. Ky fakt është i mjaftueshëm për të nxjerrë përfundime mbi aftësinë dhe seriozitetin e saj. Për shembull, premtimet për rritjen e punësimit dhe uljen e kostove të jetesës janë thyer plotësisht. Realiteti është se Shqipëria renditet në vendet me shpopullim më të madh, një tregues kyç i dështimit të politikave të brendshme për të ofruar siguri dhe mundësi ekonomike për popullsinë.

Një tjetër aspekt shqetësues është përkeqësimi i klimës politike dhe shoqërore. Gjuha konfliktuale dhe përçarëse, mungesa e hapësirave për dialog dhe lirive të garantuara janë bërë më të dukshme. Gjendja e mediave është gjithashtu alarmante, me presione të vazhdueshme mbi lirinë e tyre, duke i dobësuar rolin e tyre kritik si mbikëqyrëse të pushtetit. Kjo është një simptomë e një qeverisje që synon të kontrollojë narrativën dhe të kufizojë mundësitë e kriticizmit.

Këto probleme kanë ardhur si rezultat i një degradimi të sistemit demokratik dhe nga mungesa e një qasjeje të qeverisjes që synon stabilitetin afatgjatë të vendit. Për më tepër, lidershipi aktual i udhëhequr nga Edi Rama ka treguar një tendencë për të mbizotëruar nëpërmjet shtypjes dhe pazarit, siç e tregoi në rastin e Amnistisë Penale, Reformës Zgjedhore apo dhënies së Vulës së PD një personi të shpallur “Non Grata” nga SHBA, si Sali Berisha, duke siguruar praktikisht pushtetin edhe për katër vitet e ardhshme.

Në këtë drejtim gjendja në Shqipëri, nuk është aspak premtuese dhe situata politike dhe ekonomike pritet të përkeqësohet edhe më shumë./ Namir Lapardhaja

Artikulli paraprak“Pinoku” i Carlo Kolodit është një himn i zgjidhjes së gjithçkaje përmes dashurisë
Artikulli tjetërSuksesi i sezonit turistik varet nga kë pyet në Durrës