Në fillim të korrikut, qeveria e Edi Ramës përmes një ‘kakarisje’ të madhe, tamam si pula kur bën vezë, shpalli rritjen e rrogave të administratës që do të ndaheshin në banka në fillim të gushtit.
Si pasojë e kësaj zhurme, të gjithë punonjësit e shtetit u ‘ndezën’ se në fillim të gushtit do të marrin një bonus që do t’u jepte sado një kënaqësi të vogël, në këtë fund vere. Por duket se nuk qe e thënë.
Situata u kthye në një kaos të plotë. Përveç kalimit të fondeve për arsimtarët, e disa fasha të shëndetësisë, si dhe nëpunësit e qeverisë, rritja nuk është bërë për të gjithë. Madje një pjesë e madhe e administratës ka mbetur e zhgënjyer, jo vetëm se nuk kanë marrë shtesën, por kanë pasur në llogari edhe zbritje nga paga e para vendimit të shumëpritur.
Siç mësohet, viktimat e mëdhenj kanë qenë punonjësit e policisë së burgjeve, administratës së institucioneve të riedukimit, por edhe mjaft sektorë të tjerë nga policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.
Madje, pjesë të zinxhirit të administratës së armatosur të burgjeve kanë mbetur të zhgënjyer, pasi jo vetëm nuk e kanë parë shtesën e premtuar, por ju kanë mbajtur lekë nga orët shtesë dhe ditët e pushimit. Të cilat kanë vetëm pak muaj që i marrin. Ndërkaq, përgjigja e zyrtarëve ka qenë se ”do t’i merrni”, por pa dhënë afat se kur.
I gjithë ky kaos tregon mashtrimin e madh me rritjen e pagave, për të cilat duket qartë se nuk është alokuar fondi i plotë, duke tentuar që t’i hedhin hi syve të opinionit.
Ka mbi dy javë që gjysma e administratës është e zhgënjyer në kulm e ka nisur një seri ankesash në qeveri, ku priten edhe protesta.
Për të ndaluar një revoltë të mundshme, mësohet se ka dalë një qarkore që të fikë zjarrin e ndezur, por duket se asnjë nuk i beson më.
Grupe të adminisratës që janë zhgënjyer pritet që në shtator të vijnë në kryeministri në një protestë të madhe, duke braktisur burgjet nëse nuk do të lëvrohen fondet e premtuara.
Përveç rritjes së premtuar është kërkuar edhe shtesa e fundjavave e orëve plus, por deri tani punonjësit kanë marrë vetëm kërcënimin se do të largohen nga puna.
Një studim i sindikatës së policisë bën të ditur se fatura më e madhe është ajo e pagesës së të larguarve që kanë përfituar nga gjykatat e janë kthyer në punë. E pikërisht ky ngërç ka shkaktuar këtë pakënaqësi. E cila mund të kthehet në një fitil proteste në shtator./Pamfleti