Firma që mashtroi shtetin/ Tre javë pasi u përjashtua nga tenderat fiton kontratën 1.6 milionë euro nga pushteti

Biometric Albania është një kompani shqiptare e cila në datën 25 korrik të këtij viti u përjashtua nga pjesëmarrja në tenderat publikë për 1 vit për shkak se mashtroi shtetin.

Sipas vendimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, kompania e cila zotërohet nga biznesmeni Artur Kadareja, nuk përmbushi detyrimet kontraktuale të një tenderi të fituar nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza për furnizimin dhe vendosjen e aparaturave mjekësore në spitalin e ri A2.

perjashtimi

Por menjëherë pas këtij vendimi, shoqëria iu drejtua me urgjencë Gjykatës Administrative të Shkallës së parë për sigurim padie duke kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit të APP-së. Në datën 7 gusht, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e pezulloi vendimin e APP-së duke rrëzuar përkohësisht përjashtimin e kompanisë nga tenderat.

Dhe Biometric Albania kishte një arsye shumë të fortë se pse nxitonte për të pezulluar vendimin e APP-së për përjashtimin e saj nga tenderat. Sepse kishte gati një kontratë 1.6 milionë euro.

Këtë të hënë Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë shpalli fituesin e tenderit për fuqizimin e e kapaciteteve laboratorike të ISUV në të tre fushat ku ushtron aktivitetin e vet analitik, siguri ushqimore, shëndet kafshësh dhe bimësh. Tenderi ishte paracaktuar me një vlerë limit prej 162 milionë lekësh ose 1.62 milionë euro.

Në garë u paraqitën vetëm dy oferta. E para ishte ajo e kompanisë Pegasus me vlerë 1.5 milionë euro, ndërsa oferta e dytë ishte e kompanisë Biometric Albania me vlerë 1.58 milionë euro. ISUV skualifikoi ofertën e Pegasus edhe pse ajo ishte më e favorshme për taksapaguesit pasi e ofronte shërbimin e kërkuar me 80 mijë euro më pak se Biometrik.

biometric

Nuk dihet nëse vendimi i gjykatës është ushqyer nga kontrata e majme që Kadareja kishte në prag me ISUV. Por Biometric Albania u shpall fituese në tenderin e mbyllur në 13 gusht, pa mbushur as tre javë nga përjashtimi i saj për mashtrim në tenderat publik duke vendosur kështu një rekord botëror. Ky është Kadareja që ja futi shtetit. Brenda tre javësh mashtroi, u kap dhe fitoi kontratën 1.6 milionë euro./Kapitali.al

Artikulli paraprakOsmani: Së pari vlerësime të përbashkëta për sigurinë, pastaj data për hapjen e urës
Artikulli tjetërKodet e linçimit publik të Altin Dumanit nga Berisha e Meta!