Arlind Ajeti është dëmtuar sërish dhe ka ndier një shqetësim muskulor, duke munguar kështu për Klyzhin në 5 ndeshjet e fundit, përfshi këtu edhe ato të Europës.
Mbrojtësi i Kombëtares ishte për herë të fundit në fushë më 27 korrik ndaj U.Kraiovës, teksa luajti 90 minuta, ndërsa shqetësimi muskulor ka ndodhur në ditët në vijim. 30-vjeçari ishte edhe në merkato, me disa klube arabe që interesoheshin për shërbimet e tij, ndërsa menaxheri i vet u shpreh pak javë më parë se për të do të synohet rikthimi në Serinë A.
Një dëmtim i tillë i vështirëson shumë shanset e një lëvizjeje drejt një ekipi tjetër, pavarësisht se ai luajti një Europian shumë të mirë, ku u preferua titullar përpara Ardian Ismajlit. Ndërkohë, nuk dihet nëse ai do të jetë apo jo gati për Silvinjon në ndeshjet e Ligës së Kombeve që Kombëtarja do të luajë më 7 dhe 10 shtator.