Rriten ankesat e konsumatorëve për ujësjellësit, arrijnë 4.23% e totalit të lidhjeve

Ankesat për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në vend kanë shënuar rritje në vitin e kaluar duke regjistruar një përqindje prej 4.23% e totalit të lidhjeve teksa një vit më parë ky tregues ishte ndjeshëm më i ulët.

Enti Rregullator i Ujit vlerëson se kryesisht ankesat kanë të bëjnë me tre arsye kryesore siç janë kushtet e kontratës, cilësia e shërbimit apo faturimet aforfe.

“Theksohet fakti se konsumatorët i drejtojnë ankesat që kanë ndaj shoqërive UK, pranë ERRU-së, pasi kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për zgjidhjen e tyre me këto të fundit.

Natyra e ankesave të klientëve paraqitet kryesisht në tre kategori “zbatueshmëria e kushteve të kontratës për shërbime ujësjellës kanalizime”, “cilësia e shërbimit të ofruar nga shoqëritë UK” dhe “faturimi aforfe”.

Ankesat e klientëve në raport me numrin total të lidhjeve të sektorit UK për vitin 2023 janë 4.23%, nga 2.8% që ishin në vitin 2022, me një rritje prej 13,599 ankesash për të gjithë sektorin. Ndikimin kryesor në përkeqësimin e këtij treguesi e kanë dhënë kryesisht shoqëritë UK Tirana, UK Rajonale Korçë, UK Rajonale Fier, UK Rajonale Durrës, UK Rajonale Berat, UK Rajonale Pogradec dhe UK Rajonale Lushnje”, nënvizon në raportin e performancës të publikuar së fundmi ERRU.

Sa i takon cilësisë së furnizimit sipas publikimit , ankesat kanë qenë të fokusuara në probleme teknike, për të cilat shoqëritë nuk kanë dhënë zgjidhje ose nuk i janë përgjigjur konsumatorëve, ndaj për këto lloj ankesash ka qenë i nevojshëm verifikimi nga ana e ERRU-së.

“Nëpërmjet shqyrtimit dhe trajtimit të ankesave, ERRU evidenton problematikat që kanë shoqëritë UK në lidhje me ofrimin e shërbimit”, nënvizon ERRU.

Sipas këtij institucioni vendosja e këtij treguesi(ankesat) si pjesë e treguesve kryesorë të performancës dhe si objektiv për shoqëritë UK, lidhet edhe me angazhimin e ERRU-së në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit.

Vihet re se 5 shoqëri UK e kanë këtë tregues mbi mesataren e sektorit dhe 12 shoqëri UK nën mesataren e sektorit./Monitor.al

Artikulli paraprakRefleksionet e studiuesit të njohur: Ndërsa britanikët miratuan planin e kryengritjes nën drejtimin e Zogut dhe Abaz Kupit në Turqi, në momentin e fundit kryeministri grek…
Artikulli tjetërLoja me mbetjet e rrezikshme/ Shembulli pse nuk duhet lejuar importi i plehrave