Mitropolit Ignati dhe Berati

NGA LEKE TASI

Para një muaji, më 20 kor rik, Kisha Orthodokse humbi Mitropolitin e saj në krye të Dioqezës së Beratit Imzot Ignatin, një jerark i denjë për këtë seli të shenjtë në mijëvjeçarë. Kleriku i ndjerë, i ardhur 24 vjet të shkuara nga Thiva vendlindja e tij Arvanite për t’u fronësuar në 18 korrik 1998 si Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, përfaqësoi përmjet gjuhës qysh ditën e parë një ringjallje të lidhjeve ndërarbnore që koincidonte me rivendosjen e lirisë fetare dhe sistemit demokratik në Shqipëri. Fakti që kjo ndodhte në Berat, një qytet historik e i rëndësishëm për hapësirën e krishtere, mbushte me shpresë popullin e Beratit e më gjerë, si një simbolikë që ndillte kohë të mbara në vazhdën e saj të lashtë. Imzot Ignati e mishëroi këtë ogur paqeje si askush.

Me natyrën e tij prej prindi të dashur, ai e kreu detyrën baritore me një përkushtim të madh, jo vetëm në liturgjitë e shërbesat e tjera në kishë, martesa pagëzime etj., por edhe në komunikim personal me secilin nga pjesëtarët e grigjës së tij, që merrnin mesazhin shpëtimtar nëpërmjet rrëfim-kungimeve në mënyrë të frytshme gjatë 24 viteve. Nuk të çudit pra që humbja e tij të jetë përjetuar me dhimbje dhe në intervistat e këtyre dishepujve të predikimit të tij të shihje fytyra të përlotura.

Janë hollësi që të bëjnë të mendosh se prania e tij në qytet për çerek shekulli nuk do të harrohet lehtë. Vjen pyetja: Çfarë është e rëndësishme në shoqërinë tonë dhe në ditët tona? Sot që nga çdo drejtim qarkullojnë idera e shqetësime të vërteta po shumë më tepër të dyshimta, me nxitje për skepticizëm, mosbesim, për shqerëzim, sot që lufta vazhdon diku larg, por që kërcënon të vijë afër? Sot që vështirë të gjesh mes grupeve politike një bazë për marrëveshje që të mos rrezikohet nesër.

A meriton të quhet i denjë për vëmendje në media një njeri që ia përkushton jetën grigjës së tij në kryeqendrën e fisit të tij prej nga u nisën stërgjyshërit e tij dhe e gjen lidhjen me të te shqipja, gjuhë e pazbehur në shekuj? A nuk vlen ky fakt aq sa të mënjanojë objeksione e harresa shumë më të vonshme? A nuk vlejnë emërtesa të tilla të dioqezave si.. i Beratit Vlorës e Kaninës, e të tjera mesjetare i Amantias, i Bylis, për të na afruar ndjeshmërisht me kohërat, kur Berati dhe jo vetëm, i rezistonte vdirjes, e cila përfshiu pjesë të mëdha të territorit, që ashtu, bashkë me muret me gurë e tulla të rreshtuara në mënyrë dekorative, sot krenari e turizmit tonë, të mbante me rrezik koke edhe pergamena e kodikë, për të demonstruar që ajo kala regjistroi edhe një tjetër trimëri, të heshtur, tërësisht të çarmatosur, në ruajtjen e tyre.

Një qytet e një kala, që megjithëse ka pësuar disfatën më të madhe gjatë luftës me osmanët, ka mbajtur në gji burra (Epitropinë e Shën Mërisë), që i druheshin aktit të gënjeshtrës më shumë se edhe rrezikut dhe i luteshin së bashku Hyjlinëses që t’ua lejonte atë mëkat ndaj nazistëve, për t’i shpëtuar kodikët, që fundja janë pasuri lëndore. Ku e ku pra me ne të sotmit që krenohemi për to thjesht për nam! Duhen vënë në vend gjërat pra edhe në opinionin publik. Nuk mund t’i bësh reklamë një pjese të historisë dhe të heshtësh pjesën tjetër…/Gazeta Panorama

Artikulli paraprakShoqëria ka nevojë për një pasqyrë ku të shoh vetveten!
Artikulli tjetërShefi i CIA-s amerikane në Kosovë e Bosnjë, Andoni: Vizita shqetësuese, ka mesazh të fortë. Ngjarje të mëdha mund të na presin