“Një supervit” për presidentin rus

Viti 2016 shihet prej presidentit rus si vit i suksesshëm, sidomos lidhur me politikën e jashtme. Viti që po lëmë pas shihet prej ekspertëve dhe mediave perëndimore si “një supervit” për presidentin rus, Vladimir Putin. Ky ishte një vit pa tronditje për rusët, po të mos kishte qenë atentati ndaj ambasadorit rus në Ankara. Polici që kreu vrasjen tha se e bëri këtë si hakmarrje për qëndrimin e Rusisë ndaj konfliktit në Siri.
Politika e jashtme është për momentin fusha ku Putini mendon se është i suksesshëm. Ndihma ushtarake ruse për presidentin Bashar al-Assad solli kthesën në luftën në Siri. “Rusia është bërë në këtë mënyrë lojtare në nivelin më të lartë ndërkombëtar”, thotë Jens Siegert, ish-drejtues i zyrës së fondacionit Heinrich Bëll në Moskë.
Por Aleksader Rahr, drejtor i Forumit gjermano-rus, thotë se lufta në Siri ende nuk ka marrë fund dhe se, “roli i Rusisë do të vlerësohet sipas përfundimit të kësaj lufte”.

Fitore e pragmatizmit në lidhje me Turqinë
Edhe mbylljen e shpejtë të konfliktit me Turqinë Putini mund ta konsiderojë si fitore. Marrëdhëniet mjaft të mira mes dy vendeve u përkeqësuan pasi në fund të nëntorit 2015 aviacioni turk qëlloi një avion bombardues rus në kufi me Sirinë. Pasi presidenti turk Erdogan kërkoi në qershor falje me shkrim, tani Moska dhe Ankaraja janë sërish partnere dhe koordinojnë veprimet në Siri. Po ashtu, ato po vazhdojnë projektin e ndërtimit të gazsjellësit të Detit të Zi, që është shumë i rëndësishëm për Moskën.
Sipas Andrej Kolesnikov nga qendra Carnegie e Moskës, përmirësimi i marrëdhënieve mes të dy vendeve lidhet me interesa pragmatike.

Shpresa e Putinit Trumpi
Si suksesi më i madh i politikës së jashtme e Moskës për këtë vit konsiderohen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe fitorja e kandidatit republikan, Donald Trump. Administrata amerikane dhe kandidatja e demokratëve që humbi në zgjedhje, Hillary Clinton, e akuzojnë udhëheqjen ruse për ndërhyrje në fushatën zgjedhore përmes sulmeve të hakerave. Moska e mohon këtë. Prandaj fitorja e Trumpit bën pjesë në kategorinë e atyre ngjarjeve, në të cilën roli i Moskës dhe sidomos ndikimi i saj në rezultatin përfundimtar nuk është dëshmuar përfundimisht.
Por sipas ekspertëve nuk është e sigurt nëse Rusia do të përfitojë nga Trumpi. Rusia u befasua nga fitorja e Trumpit dhe u gëzua edhe më tepër beson Aleksader Rahr: “Trumpi ishte fitore e madhe për Kremlinin”. Nëse presidenti i ardhshëm amerikan do ta nxisë sikurse ka deklaruar afrimin me Rusinë dhe do të vërë në vendin e parë interesa në vend të vlerave, Rusia “mund të përfitojë shumë”.

Asnjë fitore pa amëz
Duke bërë bilancin ekspertët vënë në dukje se shumë suksese të Rusisë këtë vit janë vetëm etapa fitoresh. Qoftë rasti i presidentit amerikan, lufta në Siri apo të çarat në Perëndim, janë zhvillimet që nuk kanë përfunduar ende dhe mund të zhvillohen ndryshe nga ç’shpreson Moska. “Bota multipolare mund të infektohet nga kaosi”, thotë Alexander Rahr.
Kurse eksperti Andrej Kolesnikov thotë përmbledhtazi: ndër frytet e fitoreve të Putinit nuk ka thuajse asnjë që nuk është pak e prishur.

Artikulli paraprakKritika administratës Obama dhe demokratëve amerikanë
Artikulli tjetërUshtria siriane merr nën kontroll Alepon