Klubi i PSG u ka dhënë fund të gjithë zërave të merkatos, duke rinovuar me kapitenin Tiago Silva, deri në vitin 2020. Braziliani ishte pranë fundit të kontratës me parisienët dhe prej disa javësh kishin filluar diskutimet për largimin e tij nga kryeqyteti francez me destinacion Italinë. Por dje u bë e ditur nga të dy palët se lojtari kishte zgjatur kontratën dhe nuk do të largohej, duke blinduar praktikisht prapavijën e skuadrës.
Ndërkaq, mediat franceze kanë bërë të ditur se po gjatë ditës së djeshme është arritur akordi për blerjen e gjermanit Julian Draksler. Lojtari u ka kushtuar 36 milionë euro parisienëve, e njëjta shifër që i kushtoi Volfsburgut blerja e kartonit të tij nga Shalke 18 muaj më parë.
Njëkohësisht, është pranë finalizimit shitja e Hese Rodriguez. Spanjolli nuk ka bindur në asnjë moment në Paris dhe është gati të transferohet te Las Palmas, klub i cili do të paguajë 25 milionë euro për ish-sulmuesin e Real Madrid.
Marco Verrati është një ndër futbollistët më të kërkuar në merkato. Mesfushori i Kombëtares italiane në muajt e fundit është përfolur për një transferim të mundshëm te disa prej klubeve më të mëdha të Europës, duke nisur që nga Juve e deri te Bajerni, nga Reali te Barcelona, por ish- futbollisti i Peskarës me një intervistë të fundit qetëson tifozët e skuadrës së tij aktuale, PSG. “Jam mirë në Paris, nuk shikoj asnjë arsye se përse duhet të largohem. Unë punoj për të fituar sa më shumë që të jetë e mundur, ëndrra ime është ajo që të fitoj këtu për momentin”, u shpreh Verrati.
Momenti i PSG në kampionat nuk është dhe aq i mirë, pasi parizienët po bëjnë më keq se vitet e fundit, duke qëndruar pas Nisë në klasifikimin e Ligue 1. “Jemi ende në garë për të gjithë objektivat. Në futboll duhet të mendosh gjithmonë për të atshmen, kur të rikthehemi në fushë do të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe do të përpiqemi të bëjmë maksimumin”, tha ai.
Verrati bëri një bilanc të shkurtër edhe për 2016 në aspektin personal, një vit i kushtëzuar nga dëmtimet. “Ishte një vit i vështirë për mua, por janë pikërisht vështirësitë ato që të mundësinë të rritesh si njeri. Kam qenë jashtë fushe për shumë kohë dhe futbolli për mua është gjithçka. Nuk ishte një vit shumë i bukur në aspektin personal, por si skuadër bëmë mirë, pasi fituam 4 titull”, përfundoi Verrati.