Para një shekulli në familjen e juristit shqiptar Reshat Kokalari, që banonte atëherë në qytetin Adana të Turqisë, lindi mbas tre djemve, mes një gëzimi të madh, një vajzë, që ia vunë emrin Musine. Katër vite më vonë atdhetari Reshat Kokalari, u shpërngul nga Turqia dhe familjarisht u drejtua për në Atdhe, në qytetin e Gjirokastrës. Në qytetin e gurtë kjo vajzë e vogël kaloi fëmijërinë dhe përfundoi shkollën fillore. Më vonë kjo familje u shpërngul për në kryeqytet, ku vajza Musine, filloi dhe mbaroi shkollën e mesme “Nana Mbretneshë“.
Kur ishte nxënëse, emri i kësaj vajze me emrin Musine, u përmend si shkrimtare, pastaj si politikane, si atdhetare, si themeluese e Partisë Social-demokrate, më vonë si antikomuniste, si e burgosur dhe, së fundi, si e internuar. Gjatë diktaturës, veprimtaria e saj u dënua dhe emrit të saj iu hodh baltë. Mbas shkërmoqjes së komunizmit, veprimtaria e saj u hymnizua dhe emri i saj u përmend me nderim dhe respekt.
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj bota intelektuale shqiptare, kudo që ndodhet, e kujtoi me respekt dhe nderim të madh emrin e saj duke e quajtur heroinë, se vetëm heroinat mendojnë, veprojnë, luftojnë, qëndrojnë, torturohen dhe vdesin si kjo vajzë, me emrin Musine Kokalari.
P O R T R E T I
Musine Kokalari ka një jetë të shkurtër, por me një veprimtari të madhe atdhetare, të larmishme dhe të guximshme. Ajo është një lule në fushën e letrave shqipe, një flamur i përgjakur në luftën kundër komunizmit, një lapidar madhështor i demokracisë. Tek kjo vajzë u bashkua talenti dhe guximi. Talentin e përdori për të shkruar veprat që na la, guximi i saj, u duk në përleshjen e egër me diktaturën. Ajo kishte një etje të madhe për dije dhe kulturë. U rrit me libra të ndryshëm ndër duar dhe vdiq me ato në gjoks. Ato qenë shokët e saj të pandarë.
Shkroi libra për popullin, se e deshi atë të mësuar dhe pjesë për fëmijë, që ata të rriteshin të kulturuar. Ajo mblodhi shumë këngë të popullit, por vetë nuk këndoi asnjë herë. Mblodhi zakonet e dasmës, por vetë nuk u bë kurrë nuse. Në mendjet dhe zemrat e popullit ajo mbeti nuse e pa nusëruar. Hyri në botën kulturore të vendit me dinjitet, duke u respektua nga personalitetet e kulturës shqiptare si Koliqi, Xhuvani, Kolea, Poradeci, etj.
E urreu fashizmin e nazizmin dhe komunizmin. Formoi tok me me shokët e saj Partinë Social-demokrate të Shqipërisë, si alternative për çlirimin e Shqipërisë. Bëri pjesë në grupimin e parë opozitar antikomunist, që u themelua për t’i prerë rrugën diktaturës sllavo-komuniste, që kishte lëshuar kthetrat e saj gjakatare drejt truallit arbëror.
Diktatura e luftoi egërsisht, i pushkatoi dy vëllezërit e saj pa gjyq, e arrestoi dy herë, e torturoi llahtarshëm, e mbajti nëpër burgje për afër dy dekada, e internoi gjithë jetën, por ajo qëndroi me stoicizëm kundrejt asaj dhe mbeti lapidar. Musine Kokalari ishte një femër e madhe në Shqipërinë tonë. Lëshoi dritë në një vend pa dije. Punoi për bashkimin e popullit, kur ai ishte i përçarë.
Sakrifikoi jetën e saj në luftë kundër komunizmit për lirinë dhe demokracinë e popullit. Diktatura e vdiq dhe u mundua ta zhduki. Populli e vuajti në zemrën e tij dhe sot ajo na mëson nga piedestali, ku e vendosi kombi shqiptar, si të luftojmë për bashkimin e popullit, për mbarësinë e truallit arbëror dhe për për demokracinë tonë.
KRONIKË NGA JETA E SAJ
10 shkurt 1917: lindi në qytetin Adana të Turqisë.
1921: Familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku kreu shkollën fillore.
1930: Familja e saj vendoset në Tiranë.
1937: Mbaron shkollën e mesme: “Nana Mbretneshë” në Tiranë.
1939: Boton librin e saj të parë; “Siç më thotë nënua plakë”.
1941: Përfundoi shkëlqyeshëm studimet universitare në Romë, në Fakultetin e Letërsisë dhe të Arteve të Bukura dhe u laurua; Doktoreshë në letërsi, me temën; “Litteratura albanese, Naim Frashëri“
1943: Së bashku me Skënder Muçon, Isuf Luzajn dhe Abaz Omarin themeloi Partinë Social-demokrate të Shqipërisë.
1944: Boton gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i Partisë Social-demokrate.
1944: Boton librin e saj të dytë; “Rreth vatrës”.
12.1.1944: U pushkatuan pa gjyq, dy vëllezërit e saj, Mumtaz e Vesim Kokalari.
16.11.1944: Arrestohet e mbahet në burg 17 ditë dhe lirohet.
Janar 1945: Boton librin e saj të tretë; “Sa u tund jeta”!
23 janar 1946: Arrestohet për së dyti nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit.
2 korrik 1946: U dënua me 20 vjet burg, me punë të detyrueshme dhe me konfiskimin e pasurisë.
1961: U internua në Rrëshen.
1973: Del në pension me gjysëm page.
1981: Sëmuret nga kanceri, por mjeku komunist, anëtar i një familje e diktaturës, që e kuronte, e zvarriti qëllimisht, mjekimin e saj.
1983: Gusht: vdes në Rrëshen.
28.4.1993: Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, e dekoron me medaljen; “Martir i Demokracisë“
11.2.1997: U mbajt në Tiranë një përkujtimore nga Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë, ku u fol mbi veprimtarinë politike dhe atë letrare të asaj, u botua një album titulluar; “Mesazh” dhe shkolla 9 vjeçare në lagjen “Kombinat”, u emërtua me emrin e saj.
11.2.2017: 100 vjetori i lindjes së saj, u përkujtua në Shqipëri, në Kosovë dhe në SH.B.A.-ës
S H K R I M T A R J A
Musine Kokalari, së pari është përmendur si shkrimtare. Ajo ka filluar të shkruaj që në rininë e saj. Ishin vitet 1935 – 1937, kur në shtypin e saj kohe, filluan të duken skicat e asaj të nënshkruara me pseudonimin “Muza”, disa nga të cilat janë të vendosur me titullin; “Këngë varfërie” me nëntitujt: “Rrugëve”, “Zjarri”, “Vallja e jetës”, “Këpucët”, dhe me titullin;
“Vatra e shkatërruar”, me nëntitujt: “Largesa”, “Me jetën” dhe “Nënë e bir”. Përveç skicave të botuara, na ka lënë edhe disa të pa botuara.
Ajo vajzë e edukuar në një familje përparimtare, me baba atdhetar dhe me vëllezër demokratë, duke u rritur, i bëri përshtypje të madhe gjendja e mjeruar e popullit tonë atëherë dhe në skicat e saj e përshkroi atë gjendje me përshkrime tronditës dhe me mendimin që duhej ndryshuar ajo gjendje e popullit tonë. Duhet të përmendim se në atë kohë te kjo vajzë, po formoheshin idetë përparimtare.
Atëherë në shtypin shqiptar po shiheshin edhe firma të tjera vajzash letrare, por këto dalë nga dalë më vonë u shuan dhe në fushën e letërsisë shqiptare, mbeti e vazhdoi të ndriçojë gjatë gjithë jetës vetëm emri i kësaj vajze.
Sikurse jemi shprehur, shkrimtarja Musine Kokalari na ka lënë të botuara tri vepra të plota, të cilat i kemi përmendur më lart. Këto vepra bënë bujë, jo vetëm se ishin shkruar nga një vajzë e re, por për vlerën e tyre letrare. Ato janë shkruar me një stil të rrjedhshëm, me përshkrime me ndjenjë, me një gjuhë të pastër të të folmes së Gjirokastrës, me figura letrare të bukura, duke pasë për bazë përshkrimin e zakoneve të qytetit të asaj dhe folklorin e atyre anëve.
Në ato përshkruhet ajo botë shqiptare që kishte filluar të venitej dhe malli i autores për atë botë. Vlen të përmendim se me një mall të madh shkrimtarja ka përshkruar edhe qytetin e Gjirokastrës, mbas një largimi të gjatë. Për konkretizim, për të vërtetuar çfarë shprehëm më lart, po shënojmë një fragment nga vepra: “Sa u tund jeta”, “Vendi ku ke lerë e je rritur është dashuria e parë që hedh rrënjë në Zemrat tona. E shkuara, ëndërr e bukur. Qyteti i vogël, botë e madhe që s’ka shoqe për të miturin që hedh këmbët e para në jetë. Kujtime të paharruara të moshës së parë, që kalojnë përpara syve si ujët e kulluar të lumit që rrjedh gjithnjë, rrjedh e rrjedh e, s’kthehet më”.
Ndërsa për Gjirokastrën e saj, ajo është shprehur me një mall të madh: “Gjirokastra, bota e madhe, pa fund që s’kish shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra trime, anë e mbanë me shkëmbinj e udhët plot gurë. Gjirokastra e të përpjetave dhe e tatëpjetave. Gjirokastra plakë, e regjur në mjerime dhe varfëri. Gjirokastra e kuajve dhe e këngëve”! A nuk e kemi kujtuar edhe ne, mbas një kohe që jemi larguar, vendin ku kemi lerë dhe qytetin ku kemi kaluar rininë, atë pjesë të artë të jetës?
Shkrimtarja Musine Kokalari, në artikullin e saj; “Letërsia dhe shkrimtari”, është shprehur se; “Letërsia është mjeshtëria e të shkruarit në mënyrë artistike, duke pasqyruar jetën shoqërore në mënyrë objektive. Shkrimtari është ai mjeshtër, që ushtron letërsinë në dobi të njerëzimit, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, me anën e pendës. Ai bën përgjithësime mbi botën, mbi njerëzit dhe mbi gjithçka, që është lidhur me njerëzit dhe gjithë popujt, për zgjimin e tyre, për lumturinë e tyre. Shkrimtari riprodhon jetën më anën e përgjithësimeve artistike, që quhen figura artistike”.
Ato që thotë shkrimtarja Musine Kokalari në këtë artikull, i lexojmë në veprat e saj. Nga këto vepra kjo shkrimtare është quajtur edhe themeluese e letërsisë për fëmijë, është vendosur denjësisht në sofrën e lavdishme të shkrimtarëve tanë, emri i saj është përmendur edhe në një enciklopedi italiane dhe është vlerësuar nga personalitete të kulturës shqiptare.
Po rendisim disa nga ato vlerësime:
Dr. Sabile Kecmezi:
“Kritikët letrarë vlerësojnë se ajo, pa dyshim, është shkrimtarja femër më e talentuar shqiptare”.
Sotir Kolea:
“Nuk kam parë më mirë nga ç’pashë në ‘Rreth vatrës’, prandaj dhe e kam dhënë si shembull për të rinj, që rreken të mësojnë si duhet mbajtur pena”
Sotir Kolea:
“Pjesa që më çuat nga ‘Sa u tund jeta’, m’u rrëmbye duarsh që ditën që erdhi dhe mbeti arrakate nëpër duar të botës, për më se një muaj. M‘u kthye tashti vonë, të gjithë e prisnin si ujët e ftohtë; kush e këndoi dy herë, kush tri a katër herë, duke shtënë shkak se ua këndonte miqve e mikeshave”.
Lasgush Poradeci:
“Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologji dhe menjëherë ajo bashkëjeton me ato që na rrëfen”.
Ali Ndërvalla:
“Libri i parë; ‘Siç më thotë nënua plakë’ dhe libri i ri; ‘Rreth vatrës’ janë prova të një talenti të shëndoshë”.
Ali Ndërvalla:
“Musine Kokalari ka një talent që meriton të vihet në dukje. Libri ‘Siç më thotë nënua plakë’, është dëshmia e prodhimit letrar që ka me të vërtetë një vlerë folkloristike. Në këtë vepër Musine Kokalari ka edhe një vlerë artistike të një shkrimtareje, që fillon të prodhojë me dashuri e pasion diçka të mirë, të vleftëshme për letrat tona.
Ziaudin Kodra:
“Autorja e jonë me këtë vepër hap e para, në mënyrë origjinale, rrugën e asaj pjese të letërsisë, që do ta quajshim; ‘Letërsi për fëmijë’”.
Petraq Risto:
“Shkrimtarja e parë shqiptare, jargavan i freskët uji, nuse me vello qelqi. Gjuha jote kullon mjaltë e flori, ndjenjat e tua burojnë e ne pimë e s’ngopemi”.
Angelo Leotti (italian):
“Kam lexuar dhe rilexuar dhe vazhdoj të lexoj dhe të rilexoj librin tuaj të mrekullueshëm; ‘Si më thotë nënua plakë’. Është shkruar me të vërtetë mirë dhe ju paraqes përgëzimet e mija të gjalla.“
Carlo Taliavini (italian):
“Mund t‘ju them, se jeni bërë e njohur prej kohësh, si një zë krejt i veçantë në letërsinë shqipe”.
Duhet shtuar se Musineja, si na del nga shënimet e disa fragmenteve, që kemi lexuar, nga bisedat që janë realizuar me Musinenë dhe nga disa artikuj të botuar në shtypi e përditshëm, se përveç veprave e përditshëm që përmendëm më lart, ka shkruar edhe vepra të tjera e disa artikuj dhe ka mbledhur një material folklorik të madh, gjatë kohës në burg dhe sidomos në internim, si është shprehur zonja Ildishane Kalo:
“Kryetari i Këshillit Popullor kishte urdhëruar që të mbyllej dera dhomës së të vdekurës me çelës, deri sa të vinin të nesërmen njerëzit e Degës, të kontrollonin dhe të merrnin ç’kishte mbetur. Musineja kishte lënë të shkruara mbi 1000 faqe, punë e gjithë atyre viteve nga folklori i Mirditës dhe nga ajo ç’kishte mbledhur burgjeve. Kur e hapën derën të nesërmen që erdhëm ne, nuk u gjend asnjë dorëshkrim. Edhe të vdekur e kishin grabitur hienat”.
Ku përfundoi, vallë, gjithë ai material shkencor që e mblodhi ajo grua e madhe në kohën e errët të burgjeve, ose gjatë kohës të lodhshme të internimit, kur ajo punonte si punëtore ndërtimi? U gris? U doq? U kthye në letër? U vendos në ndonjë arshivë? Ndodhet në dosjen e asaj gruaje? Apo u vodh? U botua në ndonjë revistë?Apo e paraqiti ndonjë njeri dhe mori ndonjë titull shkencor?
Do të ishte mirë që me nxitjen e Ministres së Kulturës, Instituti i ish – të Përndjekurve Politikë dhe Shoqata “Musine Kokalari” të mblidhet i gjithë materiali i kësaj gruaje të madhe, dorëshkrimet, veprat e pa botuara, artikujt e botuar prej asaj, materialin folklorik prej 1000 faqesh, dorëshkrimet e ndryshëm letrar e folklorik që u dorëzoi të afërmve të saj, shkrimet e botuara nga persona të ndryshëm mbi këtë heroinë dhe tok me veprat e botuara nga ajo vetë dhe të botohen në një vepër të plotë. Kjo punë do të ndihmonte për ta paraqitur sa më mirë e sa më të plotë personalitetin e kësaj heroine.
UNIVERSITARJA
Mbas përfundimit të shkollës së mesme, ajo, si mbas traditës së familjes Kokalari, si mbas shembulli të gjyshit, të babait dhe të vëllezërve, shkoi në Itali, për të vazhduar studimet universitare dhe u vends në Romë.
U regjistrua në Fakultetin e Letërsisë dhe të Arteve të Bukura dhe studioi veprat e shkrimtarëve të botës Perëndimore e, mësoi jetën e tyre dhe përfundoi studimet universitare shkëlqyeshëm. Në vitin 1941 u laurua; Doktoreshë në Letërsi’ me temën; “Litterartura Albanese – Naim Frashëri“.
Me që arriti përfundime të shkëlqyera gjatë gjithë kohës mbas mbarimit të studimeve universitare, Musinesë i propozuan, që të qëndronte në universitet. Por ajo nuk pranoi. Ajo ishte nga një familje shqiptare, vetë ishte edukuar me dashuri për atdheun dhe mendoi që të punonte për Shqipërinë e, t’i shërbente popullit të vendit të saj.
Kështu menduan dhe vepruan të rinjtë e asaj kohe: studiuan gjatë gjithë kohës me kujdes, përfunduan shkëlqyeshëm, u propozuan të qëndronin në universitet ku studiuan, por nuk pranuan. U kthyen në atdheun e tyre për t’i shërbyer Shqipërisë së sapo rilindur. Dhe punuan për Shqipërinë pa ndonjë pretendim.
POLITIKANIA
Kur u kthye në atdhe qëndroi në librarinë “Venus”, që kishin hapur vëllezërit e saj dhe për pak kohë punoi si mësuese në shkollën e mesme, ku kishte qenë dikur studente. Duke parë gjendjen e e Shqipërisë në atë kohë lufte, ajo analizoi dy forcat politike, që vepronin në Shqipëri dhe për të forcuar luftën kundër pushtuesit vendosi që, bashkë me shokët e saj; Skënder Muço, Abaz Omari dhe Isuf Luzaj, në nëntor të vitit 1943, të formonin një parti, të cilën e emërtuan Partia Social-demokrate e Shqipërisë.
Musine Kokalari është e vetmja vajzë shqiptare që themelon bashkë me shokët e saj një parti politike dhe të punojë me vet mohim në krye të saj për të mirën e Shqipërisë si atdhetare e vendosur.
Ja programi i kësaj partie:
- Partia Social-demokrate ka për qëllim kryesor të sigurojë drejtësi shoqërore dhe liri politike.
- Partia Socialdemokrate është evolucioniste për sa i përket kolektivizmës ekonomike dhe siguron të drejtat e njeriut.
- Partia ka për qëllim kryesor t’i sigurojë bujkut tokën e mjaftueshme për të punuar, të zhduki shfrytëzimin, spekulimin dhe parazitizmin. Gjithashtu, do t’i sigurojë proletarit bukën, besimin dhe të gjitha ndihmat e tjera, për t’ja bërë jetën të këndshme. Reforma agrare do të jetë etapa e parë e ndarjes së tokës. Partia do të përpiqet të vejë në zbatim një sistem sigurimi shoqëror, për mbrojtjen e të gjitha klasave shoqërore.
- Liria politike konsiston në sigurimin e të drejtës që jep çdo shtetasi të ketë lirinë e fjalës, të mendimit, të shtypit, të iniciativës private dhe të votës (opozita parlamentare). Partia do të mundohet, që të krijojë premisa të tilla që të kontribuojë në edukimin e të gjitha klasave të popullit shqiptar demokratisht dhe përgatitjen e tij për regjimin e ardhshëm, ku do të mbretërojë drejtësia shoqërore dhe liria politike. Liria politike në drejtësinë shoqërore, gjen shkakun e parë të kufizimit të saj.
- Për sa i përket ngadhënjeve me kombet e huaja, partia do të frymëzohet Jo prej një nacionalizme të ngushtë egoistike, po prej një patriotizme të thjeshtë, që pajtohet me ndjenjat e respektit e të simpatisë për atdhetarët e kombeve të huaj dhe do të përkrahë zhvillimin e idesë për realizimin sa më parë të një konfederate ballkanike.
- Partia ka për qëllim të luftojë kundër çdo okupatori për independencën e një Shqipërie të unjisuar brenda kufijve të saj etnikë. Memorie.al/Nga Makensen Bungo