Bosi i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige, ka përshëndetur ndryshimet taktike dhe të formacionit të trajnerit Karlo Ançeloti. “Viktimë” e këtij ndryshimi ka qenë Tomas Myler. Sulmuesi gjerman qëndroi në stol dhe vendin e tij në formacion e zuri Tiago. Teksa Myler po përjeton një krizë golash dhe nuk po përshtatet siç duhet, Rumenige ka zgjedhur ta kritikojë publikisht, ashtu siç bëri me Boatengun në ndeshjen ndaj Rostovit.
“Në ditët e sotme një klub elitar ka nevojë për 16, 17 ose 18 lojtarë cilësorë. Ne kemi kualitet të lartë në skuadër dhe si pasojë 2-3 prej lojtarëve tanë ambiciozë u duhet ta nisin nga stoli, edhe pse të qenët rezervë nuk i lumturon. Kjo situatë i motivon më shumë lojtarët si Myler që në vitin 2017 të bëjnë disa gjëra më mirë”, nënvizoi Rumenige.
Kujtojmë që sulmuesi 27-vjeçar ka shënuar vetëm një herë në 13 ndeshjet e Bundesligës, ndërsa në Champions ka shënuar 2 gola në 6 pjesëmarrje. Në Europian zhgënjeu pa asnjë gol, ndërsa gjatë kualifikueses së Botërorit 2018, ai ka shënuar 4 gola në 6 takime. Pas kritikave ndaj Mylerit, Rumenige ka mbajtur qëndrim të prerë si për kontratën e Robenit dhe merkaton e dimrit.
“Robeni do të qëndrojë në Mynih. Kam bërë disa biseda me babain e tij dhe jemi në rrugë të mbarë. Arjenit i pëlqen të vazhdojë të jetë pjesë e Bajernit dhe ne e duam këtë gjë. Besoj se në janar do të kemi finalizuar kontratën e re”, tha Rumenige, duke mbyllur merkaton e dimrit, – “Pata një bisedë me trajnerin Ançeloti dhe organika është e plotësuar. Vetëm Boateng është i dëmtuar dhe ai do të rikthehet shumë shpejt”.
Presidenti i Bajernit i kujton Mylerit humbjen e penalltisë vendimtare në gjysmëfinalen e Championsit ndaj Atletiko Madridit. “Myleri po jepte shumë rezultate, por tersi nisi nga humbja e penalltisë ndaj Atletikos. Nga ai moment nuk ka zbritur ende me këmbë në tokë. Megjithatë, unë jam i bindur që, Tomasi do të shënojë rregullisht”, deklaroi Uli Hënes gjatë një interviste për revistën e klubit.