Forumi Rinor i PD-Demokratët Euroatlantikë dega Belsh, ka denoncuar rastin e Qendrës Shëndetësore në këtë bashki, pasi kryetari i bashkisë ka përdorur dhomat e spitalit për zyra, duke reduktuar ndjeshëm kapacitetin spitalor.
Sipas FRPD Belsh, situata është përkeqësuar akoma pasi ka mungesa të kapaciteteve për të ofruar shërbimin e nevojshëm për banorët.
Në reagimin e tyre gjithashtu thuhet se aktualisht në spitalin e Belshit ekziston vetëm një dhomë e dedikuar për serume, ndërsa qendra shëndetësore shërben për pacientë nga e gjithë Dumrea, Shalësi, Pekishti dhe Sheza. Kjo ka bën që pacientët, përfshirë fëmijët e vegjël, janë të detyruar të presin në radhë të gjata për trajtim, për shkak se spitali disponon vetëm katër shtretër.
Postimi i plotë i FRPD-Demokratët Euroatlantikë, dega Belsh:
Skandalet e kësaj qeverie duket se nuk kanë fund.
Qendra Shëndetësore e Bashkisë Belsh po përballet me një mungesë serioze të kapaciteteve për të ofruar shërbimet e nevojshme për banorët e Dumresë dhe zonave përreth. Kjo situatë është përkeqësuar pasi kryetari i bashkisë ka përdorur dhomat e spitalit për zyra, duke reduktuar ndjeshëm kapacitetin spitalor. Aktualisht, në spitalin e Belshit ekziston vetëm një dhomë e dedikuar për serume, ndërkohë që ky institucion shërben për pacientë nga e gjithë Dumrea, Shalësi, Pekishti dhe Sheza. Si pasojë, pacientët, përfshirë fëmijët e vegjël, janë të detyruar të presin në radhë të gjata për trajtim, për shkak se spitali disponon vetëm katër shtretër.
Pavarësisht se ky problem është i pranishëm çdo vit, sidomos në periudhën gusht-dhjetor kur kthehen emigrantët, asnjë masë konkrete nuk është marrë për përmirësimin e situatës.
Një falënderim i veçantë i shkon mjekëve dhe infermierëve, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira dhe mbingarkesës, vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe profesionalizëm të lartë.