Jo vetëm zonat e mbrojtura sheshe ndërtimi, qeveria vendim edhe për kullotat rreth tyre!

Vendimi i qeverisë për të ndërtuar në Zonat e Mbrojtura ka marrë dhe një tjetër hap zyrtar.

Dje në fletoren zyrtare të Qeverisë, u zbardh vendimi për kullotat që do të përdoren rreth këtyre zonave.

Vendimit të fillimit të muajit Gusht nga Ministria e Turizmit, ku në këto zona mund të ndërtohej gjithfarëlloj, tashmë i shtohet dhe vendimi për të shfrytëzuar dhe zonat rreth tyre.

Çfarë ndodhi me Zonat e Mbrojtura?

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në nisje të këtij muaji, pasi hodhi për konsultim në qershor dhjetë projekt-vendime, hapi dritën jeshile për ndërtimeve të gjithfarëllojshme në Zonat e Mbrojtura nga jugu në veri.

Janë të paktën dhjetë projekt-vendime të ngjashme të nxjerra për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të cilat sipas organizatave mjedisore, nëse miratohen, rrezikojnë një dëm të pariparueshëm ndaj ekosistemit natyror në Shqipëri.

Sipas ekspertëve, projekt-vendimet prekin zona të mbrojtura ekzistuese – Bredhi i Drenovës, Rrushkull, Bunë Velipojë, Pishë-Poro-Nartë, Liqeni i Pogradecit, Kuturman-Qafë Bush, Kratsë, Guri i Nikës Valamarë, Bjeshkët e Oroshit – dhe një zonë të re të mbrojtur, Bisht Kamëz.

Ndryshimet në Ligjin 81/2017 për Zonat e Mbrojtura të miratuara në shkurt kundrejt kundërshtimeve të Bashkimit Evropian, heqin nga këto zona sistemin e zonimit të brendshëm, i cili më parë ofronte nivele të ndryshme mbrojtjeje sipas ligjit të vjetër dhe rregulloreve të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), dhe u japin atyre vetëm shkallën e tretë të mbrojtjes.

Autoriteti kryesor përgjegjës për këto zona është vendosur Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), përgjegjës për sanksionimin e rregulloreve, strukturat e paligjshme, dhe investimet e supozuara strategjike dhe aktivitete të tjera të ndryshme.

Neni 5 i projekt-vendimeve të shpallura për konsultim, i cili rendit veprimet e lejuara në këto zona, përfshin ndër të tjera instalimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, ngritjen e qendrave të mbarështimit të peshkut, si edhe aktivitete të tjera si ndërtimi, trajtimi i ujit në ferma, ndërtimi i kanaleve, autostradave, zonave urbane dhe aktiviteteve të ngjashme, me kusht që të kenë leje nga KKT.

Tashmë edhe kullota me qira brenda këtyre zonave

Dje u zbardh në Fletoren Zyrtare dhe vendimi për të përdorur kullotat rreth Zonave të Mbrojtura.

Sipas udhëzimit Agjencitë rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare do të duhet që brenda datës 15 shkurt të çdo viti, të përcaktojnë parcelat kullosore publike dhe private që mund të jepen për përdorim për kullotje.

Ndërkohë që, ky proces duhet të kryhet në përputhje me legjislacionit në fuqi për kullotat dhe zonat e mbrojtura, që ka një sërë kufizimesh për shkak të ndikimit negativ që mund të sjellë mospërdorimi i duhur i këtyre territoreve.

Udhëzimi i ministrisë përcakton se për dhënien me qira të territoreve kullota, mbahet në konsideratë që veprimtaria e kullotjes të mos cenojë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike të territorit kullosor, si dhe të të jetë në harmoni me elementet e vlerave të biodiversitetit që ajo ka.

Subjektet e interesuar duhet të paraqesin kërkesën me shkrim pranë bashkisë përkatëse brenda datës 30 mars, për kullotat verore dhe brenda datës 10 korrik, për kullotat dimërore. Ndërkohë që, afati për dhënien në përdorim të kullotave është 5 vjet me të drejtë rinovimi.

Gjithsesi, këto rregulla nuk do të aplikohen për parcelat e ndodhura në kullotat që ndodhen në nënzonën qendrore të zonës së mbrojtur përjashtohen nga përdorimi sipas kërkesave të këtij udhëzimi.

Sa do të respektohet kjo? Flasim për Zonat e Mbrojtura që kanë hasur debate të shumta dhe u miratuan në fillim të këtij viti në një seancë Kuvendore mes rrëmujës dhe kaosit

Artikulli paraprakDenoncimi i FRPD Belsh: Kryebashkiaku kthen dhomat e spitalit në zyra për bashkinë. Banorët e zonave në radhë për të marrë shërbim shëndetësor nga mungesa e kapaciteteve
Artikulli tjetërSkandali i mbetjeve, keqqeverisje, korrupsion apo të dyja?