Disa ide të thjeshta dhe funksionale për shërbimin diplomatik!

Nga Alban Daci

Ambasador dhe konsuj nga vendet ku jetojnë! Realiteti i shqiptarëve në Botë ka ndryshuar shumë në 34 vitet e fundit! Nëse para viteve ’90, kishim komunitete sporadike të shqiptarëve në disa qytete europiane që ishin kryesisht për arsye politike. Pra, ishin ish nacionalist, legalist ose antikomunist që gjatë Luftës II dhe menjëherë pas saj dhe gjatë gjithë regjimit, ishin larguan, qoftë për të siguruar jetën, sepse nuk ishin në pajtim me Regjimin, ose ishin edhe me keq të konsideruar si “armiq” dhe jeta e tyre me qëndrimin e tyre në Atdhe ishte e pasigurt.

Me rënien e Regjimit, varfëria ekstreme, dëshira për një jetë më të mirë, nevoja fondamentale për liri si dhe për të eksploruar demokracitë perëndimore krijoi eksodet e viteve ’90, por edhe procesin e vazhdueshëm të emigracionit edhe në ditë e sotme të flasim. Sigurisht, shqiptarët e sotëm në Europë nuk janë më ata që ishin në fillim të viteve ’90, shumë prej tyre janë integruar plotësisht në shoqëritë ku kanë emigruar, kanë krijuar familjet e tyre e jo pak prej tyre tashmë kanë edhe shtetësi të dyfishtë.

Dy janë vendet me numrin më të madh të shqiptarëve që kanë emigruar, Italia dhe Greqi, nuk ka qytet apo fshat në këto vende që nuk ka shqiptar. Madje në disa qytete prania e tyre është aq shumë e madhe si komunitet që shpesh të jep përshtypjen e qyteteve shqiptaret të transferuar jashtë.
Pas viteve ’90 si pasojë e hapësirave të pakta të universiteteve shqiptare, kuotave të vogla për fakultet më të rëndësishme, sistemet shpesh herë jo meritokratike të hyrjes në universitetet shqiptare, por edhe falë marrëveshjesh që Shqipëria ka pasur me Italinë për studimet universitare, në 20 vitet e fundit kemi pasur edhe një rrjedhje të madhe, të fortë e të konsiderueshme të rinisë shqiptare që kanë zgjedhur universitetet italiane për të kryer studimet. Tashmë, pas më shumë se 20 vitesh, shumica e të rinjve që kanë ardhur me studime në Itali, i kanë kryer ato me suksese dhe janë bërë profesionistë të zotë dhe të rëndësishëm në realitetin e profesioneve italiane.

Tashmë në Itali kemi ekonomistë të zotë shqiptarë, komercialistë të zotë, inxhinierë, arkitektë, sociologë, juristë dhe avokatë, mjekë, fizioterapistë, infermierë. Edhe pse realiteti i shqiptarëve, të paktën në Itali ka ndryshuar, nuk ka ndryshuar qasja që ka shteti shqiptar ndaj këtyre të rinjve profesionistë në veçanti, por edhe të Diasporës në përgjithësi. Kjo ka ndodhur për shkak të optikës që ka pasur dhe ka politika shqiptare ndaj Shërbimit Diplomatik duke mos e konsideruar si nivelin më të lartë të burimeve njerëzore për përfaqësim dinjitoz, por vetëm si një fole dhe mundësi punësimi për të afërm, politikan dhe njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin.

Emërimet në Shërbimin Diplomatik kanë ekskluzivisht nepotike dhe thuajse asnjëherë meritokratik. Kjo ka bërë që thuajse të gjithë ambasadorët dhe konsujt të vijnë nga Tirana dhe të jenë përfaqësues në vende si Italia ku potencialet e Diasporës janë serioze dhe mjaft të mira. Emërimi dhe dërgimi i diplomatëve nga Tirana ka pasur dhe vazhdon të ketë një kosto të panevojshme për Shtetin si dhe shpesh efikasiteti i tyre, le për të dëshiruar duke pasur parasysh faktin se ata e konsiderojnë angazhim të përkohshëm, qëndrim të përkohshëm dhe nuk kanë interes, dëshirë apo mundësi për të krijuar lidhje të fortë me komunitetet shqiptare të vendeve ku akreditohen.

Kam qenë dhe mbetem i idesë që meritokracia duhet të jetë kriteri kryesor për përbërjen Shërbimit Diplomatik. Megjithatë, mënyrë sesi funksionon politika dhe pushteti në Shqipëri e shikoj si një mision të pamundur dhe larg realiteti. Megjithatë, përtej meritokracisë, duhet të jetë edhe kriteri i territorit dhe lidhja e natyrshme me komunitetet e shqiptarëve sidomos në Itali dhe Greqi. Prandaj, në vend që të dërgohen diplomat nga Tirana që shpesh nuk kanë lidhje as me diplomacinë e as me komunitetet dhe kriter të vetëm kanë lidhje me pushtetin e politikën, të bëhet përzgjedhje serioze nga profesionistët/et e shqiptarëve që janë shkolluar, rritur e jetojnë në vendet apo në qytete të ndryshme të Italisë dhe Greqisë dhe jo vetëm. Kostoja për këta diplomat do të ishte më e vogël për Shtetin shqiptar, por edhe efikasiteti i tyre dhe përfaqësimi i tyre si urë lidhëse mes shtetit ku jetojnë, komunitetit që bëjnë pjesë dhe po ashtu të Republikës së Shqipërisë.

Për sa kohë optika ndaj Shërbimit Diplomatik do të jetë mundësi punësimi për familjarët e pushtetit, majtas e djathtas, mundësi privilegjesh dhe jo me qëllim për një përfaqësim dinjitoz dhe shërbim profesional, ne do të vazhdojmë të flasim për standarde të largëta për të cilat kanë nevojë sot sfidat e Shqipërisë, qoftë në rrafshin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe për në proceset e rëndësishme siç është ai i anëtarësimit të plotë në BE!
Emërimet me delegime nga Tirana, të personave që shpesh janë lindur e rritur në Tiranë dhe nuk kanë asnjë eksperiencë jetese jashtë vendit, dëshmon një qasje të pa sinqertë ndaj Diasporës si dhe mund të themi edhe një far mosmirënjohje për rolin e saj të vërtetë që ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe aktualisht

Artikulli paraprakA do ta lëshojë Rama, Vullnet Sinajn? Pangopësia e deputetit milioner dhe precedentët Beqaj-Kokëdhima
Artikulli tjetërSabah Sheta, thirrje banorëve të zonave të Krujës dhe Fushë Krujës: Nesër protesta e radhës në rrugën Thumanë-Kashar. Mos u mashtroni nga thashethemet e qeverisë!