Bujqësia me rënie, por qeveria shkurtoi më tej fondet 2,5 mln euro në ndryshimet e fundit buxhetore

Sektori i bujqësisë ka hyrë në një cikël rënie të qëndrueshme, teksa mangësitë në prodhim po plotësohen me import.

Në këtë situatë, qeveria rishikoi me ulje fondet për bujqësinë në aktin e dytë normativ për ndryshimin e buxhetit 2024.

Sipas tabelave të reja buxhetore, të botuara në Fletoren Zyrtare, fondi total për Ministrinë e Bujqësisë arrin në 13,9 miliardë lekë, nga 14.1 miliardë lekë që ishte në ndryshimet e aktit normativ numër 1.

Shkurtimin më të mëdha i ka marrë mbështetja ndaj fermerëve, me rreth 4,3 milionë euro. Fondet për programin e ‘Zhvillimin Rural duke mbështetur prodhuesit bujqësor” arrijnë në 6.8 miliardë lekë nga 7,2 miliardë në aktin normativ numër 1 me rënie 4,3 milionë euro.

Gjithashtu fondet për sigurinë ushqimore u shkurtuan me rreth 1,3 milionë euro dhe mbështetja për peshkimin ka 350 mijë euro më pak fonde. Në të kundërt, rritje ka shënuar vetëm zëri që ka të bëjë me infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes, i cili u rrit me 400 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro.

Edhe në buxhetin fillestar 2024, sektori i bujqësisë mori të paktën 9% më pak financime se plani finalizuar në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2023.

Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë projektbuxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë ishin 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë që ishin me 2023.

Shkurtime të mëdha ka në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë këtë vit me ulje 28%, ose rreth 25 milionë euro. Këto fonde u shkurtuan më tej me ndryshimet e fundit duke arritur në nivelin e 6.8 miliardë lekëve.

Të dhënat zyrtare të INSTAT referuan se bujqësia shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, më e forta që nga viti 1997 (shiko grafikun bashkëngjitur).

Tendenca rënëse e ritmeve të rritjes filloi që nga viti 2013. Në 10 vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.

Nga ana tjetër sasitë e ushqimeve të importuara u rritën më tej në muajin korrik për shkak të nxitjes nga turizmi në njërën anë dhe kufizimeve nga prodhimi vendas në anën tjetër.

Sipas të dhënave të INSTAT importet në sasi të ushqimeve u rritën me 22 për qind në 7 mujor, në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Tendenca u forcua më tej në muajin korrik pasi në 6 -mujor rritja vjetore ishte 20 %.

Në vlerë importet e ushqimeve u rriten me 9.2 për qind si rrjedhojë e uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Të dhëna më të detajuara të INSTAT tregojnë se rritjen më të madhe në vlerë e kishin importet e zarzavateve dhe kafshëve të gjalla, të cilat kryesuan grupin e importeve të ushqimeve me përkatësisht 57 dhe 45.5% secila./Monitor.al

Screenshot 20240830 112503 Microsoft 365 Office
Artikulli paraprakNga kafja te ullinjtë, çfarë duhet të konsumoni kur keni tensionin e ulët
Artikulli tjetërDrama e arsimit, në 10 vjet u mbyllën 295 shkolla 9-vjeçare