Kryetari i PD, Basha denoncoi dje shtyrjen edhe me dy vjet të tjera të ligjit për lojërat e fatit, duke deklaruar se pas këtij bllokimi qëndrojnë interesat 600 milionë euro të Ramës dhe familjarëve të tij që kontrollojnë këtë biznes.
“Të gjithë e mbajnë mend sesi me bujë të madhe sapo erdhi në pushtet ky Kryeministër u përbetua se do t’i mbyllte lojërat e fatit.
E mbani mend, të nderuar qytetarë, operacionin kundër bixhozit, ku mobilizoi 6 mijë policë dhe shpalli me bujë fitoren e shtetit mbi bixhozin. Për të çuar deri në fund shfaqjen, hartoi edhe një ligj që i nxirrte lojërat e fatit jashtë zonave të banuara.
Por ligji ka 3 vjet që nuk zbatohet dhe tani u shty edhe për dy vjet të tjera. Arsyeja është vetëm një: Operacioni kundër lojërave të fatit pati vetëm një qëllim – futjen në dorë të industrisë së bixhozit nga familjarët dhe klientët e Edi Ramës”, tha Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi shifrën skandaloze të evazionit në arkëtimin e të ardhurave nga lojërat e fatit, ku deklarohen vetëm 150 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër përfundon në xhepat e Ramës dhe klientelës së tij.
“Tani që ka shtënë në dorë dhe kontrollon të gjithë bixhozin e Shqipërisë, Edi Rama nuk ka më interes as t’i largojë, as t’i mbyllë, as t’i mbikëqyrë lojërat e fatit.
Bixhozi në Shqipëri xhiron 600-700 milionë dollarë në vit, të cilat tashmë janë të gjitha nën kontrollin e Edi Ramës, familjarëve dhe klientëve të tij. Nga këto vetëm 150 milionë dollarë deklarohen zyrtarisht dhe paguajnë taksa, ndërsa të tjerat shkojnë në xhepat e Edi Ramës dhe klientëve të tij të padeklaruar. Është një skemë e pastër për përfitime personale”, tha Basha.
Basha i quajti koncesionet skema të plaçkitjes të Ramës dhe klientelës së tij duke kujtuar edhe aferën e fundit me laboratorët. “Kështu janë në fakt të gjitha politikat që Edi Rama ka ndërmarrë këto tri vite: skema të qëllimshme për të marrë paratë nga njerëzit e thjeshtë dhe për t’ia dhënë një grushti njerëzish të lidhur me të.
E njëjta skemë po luhet me koncesionin e laboratorëve spitalorë, që do t’i jepet njërit prej klientëve të Edi Ramës. Mbi 100 milionë dollarë, 10 milionë dollarë në vit, do të marrë nga paratë e qytetarëve shqiptarë klienti i Edi Ramës. Sot, qytetarët, taksapaguesit i japin vetëm 1 milion dollarë për laboratorët. Koncesionari i Ramës do të marrë 10 herë më shumë.
Por ndërkohë që 10-fishon paratë që do t’i japë klientit të tij, po këtë vit Edi Rama ka ulur buxhetin për shëndetësinë me 2,6 milionë dollarë duke i prerë këto nga investimet në shëndetësi.
Sepse për koncesionin e klientit të tij ka para. Për qytetarët, për pacientët, për të sëmurët, nuk ka.
Edhe për koncesionin e check up-it ka para, madje siç e pranon vetë i ka dhënë Vilma Nushit miliona më shumë sesa kushtonin analizat e deklaruara.
Për klientin ka para. Për të papunët, për të varfrit, për të sëmurët nuk ka para.
Për fasadën e Ministrisë së Brendshme dhe për bunkerin e klientit, Edi Rama pagoi 3 milionë dollarë këtë vit. Ndërsa investimet për shkollat në të njëjtin vit i uli me 10 milionë dollarë nga parashikimi.
Për klientin e tij ka para, ndërsa për shkollimin e fëmijëve nuk ka para.
Kjo është skema e gjithë qeverisjes së Edi Ramës: merru njerëzve të thjeshtë e të varfër dhe jepja një grushti klientësh të pasur.
Kjo plaçkitje e shqiptarëve nuk ka për t’u ndalur derisa ta largojmë Edi Ramën nga pushteti.
Më 2017-ën, së bashku do t’ju kthejmë pushtetin dhe paratë publike qytetarëve”, tha Basha.