Uzina e naftës Ballsh në kushte skandaloze, heton Prokuroria

Uzina më e madhe dhe e vetme e përpunimit të naftës në vend është objekt hetimi për shkelje të rregullave në punë që nga shpërthimi i 11 nëntorit, ku humbi jetën një naftëtar dhe u plagosën 4 të tjerë. Ngjarja ngriti dyshime për kushtet e punës dhe respektimin e rregullave të sigurimit teknik.
Prokuroria vazhdon hetimin, në një kohë që uzina funksionon në kapacitet të plotë. Bashkë me të edhe ndotja në ajër dhe në lumin Gjanica. Uzina ka rinisur punën pa kryer testimin e punonjësve për rregullat e sigurimit teknik që bëhet një herë në 6 muaj në formë provimi.
Punonjësit tregojnë se pas shpërthimit po kryhen investime, por nuk japin detaje për çfarë investimesh bëhet fjalë. Shkak i shpërthimit në Uzinën e Ballshit u bë çarja e valvulës në tubat e hidrogjenit, e cila dyshohet se ishte me defekt.
Një grup ekspertësh po hetojnë për të zbardhur shkaqet e shpërthimit në repartin  e hidropastrimit. Viktima ishte një 46-vjeçar nga qyteti i Ballshit. 4 të plagosurit u dërguan në spital nga të cilët tre kanë shkuar në shtëpi vetëm një javë më parë.
Uzina e naftës përpunon mbi 3000 tonë naftë në 24 orë. Për shkak të një kolapsi financiar, uzina si pjesë e kompanisë ARMO, shkoi në prag falimentimi 1 vit e gjysmë më parë. 1200 punonjës mbetën pa punë dhe pa rroga. Aktiviteti rifilloi në tetor, pasi një kompani amerikane, Off Shore, e mori me qera uzinën nga bankat. Këto të fundit ishin kreditore të ARMO-s.
Shkaku kryesor që çoi në kolaps financiar ARMO-n ishin taksat e papaguara ç’ka çoi në bllokimin e llogarive bankare të kompanisë. Ende nuk është e qartë, nëse janë paguar këto detyrime nga pronarët e rinj, ndërsa mes kreditorëve të ARMO-s është edhe Albpetrol si furnizuesi kryesor i uzinës më lëndë të parë, naftë bruto.

Artikulli paraprakKorrupsioni, dënohet me 2 vite burg gjyqtari i Tiranës
Artikulli tjetërDështon policia, grabitësit e bankës në Tiranë ende të lirë