“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem për në Bled për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit dhe në Prishtinë, për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve”, tha Lajçak, duke mos dhënë detaje të tjera rreth vizitës në Prishtinë.
Ndërkaq, Forumi i Bledit, ku Lajçak tha se do të marrë pjesë, mbahet më 2 dhe 3 shtator.
Lajçak po ashtu foli për qëndrimin e tij në Pragë, ku mori pjesë në konferencën e sigurisë, Globsec.
Ai tha se në Pragë zhvilloi takime me të dërguarin e ri të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexender Kasanof, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq.
“Një prej momenteve më të rëndësishme ishte takimi me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimro, Alexender Kasanof, dhe rikonfirmimi i partneritetit të shkëlqyer mes BE-së dhe SHBA-së. Po aq i rëndësishëm ishte takimi im me presidentin Vuçiq lidhur me hapat e radhës në dialog dhe për pritjet për periudhën e ardhshme”, shkroi Lajçak në llogarinë e tij në Facebook.
Javë më parë, Bashkimi Evropian tha se dëshiron që të fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.
Autoritetet në Kosovë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër, palët veçse kanë arritur marrëveshje vite më parë.
Bashkësia ndërkombëtare po e kundërshton hapjen e urës tani, duke u thirrur në shkaqe sigurie./rel