Banorët e Thumanës kanë paralajmëruar protestë për ditën e nesërme më 2 Shtator, në orën 17:00 para Parlamentit për të kërkuar akses në autostradën SH1 që kalon përmes zonës së tyre.
Në një njoftim, ata theksojnë se problemi i aksesit në këtë segment të rëndësishëm rrugor ka pasoja të mëdha për banorët e Thumanës dhe më gjerë.
“Grabitja që i bëhet këtij segmenti nuk është vetëm humbje për ne, por për të gjithë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Banorët kërkojnë që të sigurohet hyrja dhe dalja në autostradën SH1, e cila është një arterie kryesore për transportin dhe zhvillimin e zonës.
Banorët ftojnë të gjithë ata që mbështesin kauzën e tyre të bashkohen në protestën që do të mbahet përpara Parlamentit për të shprehur shqetësimet e tyre dhe për të kërkuar zgjidhje nga autoritetet kompetente.
Ata kundërshtojnë zbatimin e projektit për Thumanë Kashar, pasi nuk parashikon sipas tyre asnjë hyrje apo dalje për zonat ku banojnë, duke iu bllokuar qarkullimin e lirë dhe duke izoluar veprimtaritë e tyre ekonomike.
Që nga hapja e autostradës banorët kanë organizuar 8 protesta, gjatë të cilave kanë tentuar që të bllokojnë qarkullimin e automjeteve, por janë shpërndarë me dhunë nga ana e policisë duke përdorur gaz lotsjellës dhe bote uji.
Më herët, ata janë shprehur se këtë çështje do ta çojnë në SPAK dhe se po ashtu do të kallëzojnë ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.
“Do ta çojmë në SPAK çështjen e mungesës së aksesit në autostradë. Të hënën në orën 16:45 do të protestojmë para parlamentit. Të martën në orën 18:00 do të protestojmë në aksin Thumanë – Kashar. Do të kallëzojmë në SPAK, Belinda Ballukun dhe ARSH”, u shprehën banorët në protestën e fundit.
Ndonëse një nga më të shtrenjtat në histori, 22 milionë euro për kilometër, 435 milionë euro për 21 km, autostrada e ashtuquajtur Thumanë-Kashar është jashtë standardeve dhe po kthehet me shpejtësi në një rrezik të rëndë për aksidente, për shkak të rënies të shtresës së asfaltit dhe krijimit të disniveleve në karrexhatë.
Përbërja dhe ngjeshja e shtresave duket se nuk është bërë sipas specifikimeve teknike. Mbetet për t’u parë nëse abuzimi me ngritësit e nivelit të rrugës është nxitur nga presioni për të përfunduar shpejt segmentin, paaftësia, për fitim, apo kombinimi i të treve.
Një tjetër problem mjaft serioz i konstatuar në autostradën 21 km Thumanë-Kashar të ndërtuar nga Bashkim Ulaj, është mungesa e lidhjes sipas standardit mes urave dhe pjesës vijuese të rrugës.
Mes urave dhe rrugës ka një shkëputje, e cila bëhet gjithnjë e më e dukshme sa vjen. Paraprakisht mendohet se skandali konsiston në pamundësinë e inxhinierëve për të lidhur urat me seksionin rrugor sipas standardeve, për shkak të ngjeshjes jo sipas standardeve në të dy anët e urave.
Ka dyshime të forta se kostoja reale e rrugës është sa 20% e vlerës së deklaruar prej 435 milionë eurosh.