Nëpërmjet një statusi në profilin e saj në rrjetin social facebook, anëtarja e PD – Demokratët Euroatlantikë, Taulanda Jupi, shprehet se shumë prej deputetëve të opozitës kanë vepruar duke mos i marrë parasysh nevojat e opozitës dhe të qytetarëve, por vetëm për të ruajtur karrigen e tyre, duke bërë kështu kompromise të dëmshme.
Një gjë e tillë, sipas Jupit, minon besimin e qytetarëve.
Më poshtë postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Sa herë të dëgjoni nga sot deri në zgjedhjet e ardhshme deputetë që deklarojnë se “do të bëjnë betejë për zgjedhje të lira e të ndershme” mos harroni se janë të njëjtët deputetë që me votën e tyre, miratuan ndryshimet në kodin e ri zgjedhor reth një muaj më parë, në seancën e datës 26 Korrik.
Kodi i ri zgjedhor, në mungesë të një Reforme të plotë e të gjithpranuar zgjedhore në vend që të shërbente si një mjet për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe të barabarta, duket se i hap rrugën Ramës për një mandat të katërt në qeverisje.
Shumë prej këtyre deputetëve kanë vepruar me synimin e sigurt për të ruajtur pozicionet e tyre personale dhe për të siguruar një vend në parlamentin e ardhshëm, duke tradhtuar kështu jo vetem besimin e qytetarëve, por mbi të gjitha duke u bërë pjesë e një marrëveshjeje që synon vendosjen nën kontroll dhe diktatin e parlamentin të organeve të drejtësisë së re. Këto akte dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe themelin e shtetit të së drejtës.
Ky kompromis i dëmshëm jo vetëm që minon përpjekjet për të ndërtuar një opozitë të fortë dhe të qëndrueshme, por gjithashtu thellon krizën e besimit që qytetarët kanë ndaj klasës politike.