‘Maldivet e Europës’ notojnë mes problemeve me pastrimin e plehrave

Të dhënat e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një pyetësori online tregojnë një panoramë shqetësuese për disa nga destinacionet më të njohura turistike në vend si Saranda, Vlora, Durrësi apo Velipoja, ku raportohet për mungesë të koshave të mbeturinave, ndotje nga mbetjet dhe derdhje të ujërave të patrajtuara në det. 

Autore: Arbjona Çibuku

Besmir Brahimi, pronar i një lokali në qytetin bregdetar të Vlorës, është i bindur se biznesi i tij u dëmtua këtë sezon nga situata në përkeqësim e mbetjeve.

“I pyes turistët për kuriozitet se çfarë ju pëlqeu dhe çfarë jo. Dhe më besoni, mbetjet janë fjala që e thonë të gjithë,” tha Brahimi, teksa shton se edhe vetë si pushues ka mbetur i pakënaqur.

Ai tha se ka vizituar disa qytete këtë verë dhe ka dëshmuar një situatë të ngjashme me menaxhimin e plehrave.

“Për mos të folur për ujërat e zeza që derdhen në det, kështu do i mbajmë turistët ne? Përse flasim për turizëm kur institucionet nuk bëjnë minimumin, të shtojnë disa kazanë?”, tha Brahimi për Citizens.

Turizmi është një sektor strategjik i ekonomisë shqiptare dhe sipas Bankës së Shqipërisë, vendi përfitoi rreth 4.1 miliardë euro nga udhëtimet gjatë vitit 2023 me një rritje prej 45 për qind krahasuar me vitin paraardhës.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama mburret gjithashtu me numrin e vizitorëve të huaj dhe raportimet e mediave ndërkombëtare, të cilat i vlerësojnë plazhet në Shqipëri si “Maldivet e Europës”.

Por suksesi i sezonit të këtij viti ishte i debatueshëm, ndërsa Instituti i Statistikave, INSTAT, raportoi një frenim të rritjes së turizmit në krahasim me vitin 2023. Ekspertët ia faturojnë këtë pjesërisht situatës së rënduar mjedisore me mbetjet.

Shqipërisë i duhet një revolucion në çështjen e menaxhimit të mbetjeve,” thotë Lavdosh Ferruni, ekspert mjedisor.

“Ujërat e zeza në pjesën më të madhe derdhen në det të patrajtuara, nuk mund ta zgjidhin vetëm bizneset me investime për impiante pastrimi,” shtoi ai, duke theksuar se numri i lartë i turistëve me të cilët mburret qeveria nuk ka shkuar në përpjestim të drejtë me investimet.

Turizëm me plehra 

Edhe pse qeveria e ka shpallur pastrimin e bregdetit një “prioritet kryesor”, të dhënat e mbledhura nga Citizens përmes aplikacionit ECR tregojnë se bregdeti shqiptar vazhdon të mbetet i pushtuar nga mbeturinat dhe derdhja e ujërave të patrajtuara në det.

Nga dhjetra qytetarë të zonave të ndryshme bregdetare që e plotësuan pyetësorin, rreth 50% raportojnë se pastrimi i mbeturinave urbane nuk bëhet shumë shpesh në bashkitë e Durrësit, Vlorës, Himarës dhe Kavajës.

Situata paraqitet problematike edhe në Sarandë, Lezhë dhe Rrogozhinë, ku qytetarët raportuan se pastrimi i mbetjeve bëhet rrallë ose asnjëherë.

Enkelejda Malaj jeton në Tiranë, por ka një shtëpi pushimi në bregdetin e Golemit. Ajo e konsideron situatën e mbetjeve si kritike. Malaj thotë se ndërsa numri i hoteleve dhe restoranteve është shtuar ndjeshëm, ka një mungesë të theksuar të koshave për hedhjen e mbeturinave.

“Këtë vit mendoj që është përkeqësuar, s’e di çfarë ka ndikuar po nga ajo që kam parë, këtë vit situata është edhe më keq”, tha Malaj.

Malaj beson se ndotjen më të madhe në bregdet e shkaktojnë bizneset, por edhe menaxhimi nga ana e bashkisë lë për të dëshiruar.

“Koshat janë sëmundje e gjallë, nuk janë larë asnjëherë. Mbajnë një aromë që nuk afrohesh dot, ky nuk është turizëm më vjen keq”, thotë e revoltuar ajo përmes një bisede telefonike.

Situata nuk është e mirë edhe në destinacione të tjera ku Malaj ka shkuar këtë verë.

“Isha në Zvërnec, zonë shumë e frekuentuar nga turistët, por e gjithë rruga ishte e mbushur me mbeturina. Nuk kishte asnjë kosh, kështu që nuk është vetëm problem kulture në mendimin tim,” tha ajo për Citizens.

Një tjetër qytetar, Gabriel Rrakaj zgjodhi këtë vit Velipojën për të kaluar pushimet, por situata me mbetjet nuk ishte më ndryshe.

Gabrieli i tha Citizens se “ka kazanë që mbushen shpejt, që ndikon te pastërtia dhe cilësia e pushimeve dhe ka nje tendencë që ndërtohet vend e pa vend pa pikë menaxhimi”.  Sipas Gabrielit, kjo situatë shkaktohet nga neglizhenca dhe korrupsioni.

Problemi me menaxhimin e mbetjeve urbane është i përhapur në të gjithë bregdetin shqiptar, që sipas një raporti të EcoAlbania për vitin 2022, është “një nga problematikat më të mprehta të degradimit mjedisor në bregdet”. 

Raporti vë në pah se edhe pse bashkitë kanë plane vendore për menaxhimin e mbetjeve, nuk kanë mundur të sigurojnë një strategji të mirëfilltë riciklimi dhe depozitimi të tyre.

“Është një problematikë e mbartur në të gjithë territorin, i cili reflektohet në grykëderdhjen e lumenjve dhe zonat bregdetare,” thotë Besjana Guri nga organizata mjedisore, EcoAlbania.

Kush e ka fajin? 

Menaxhimi i mbetjeve urbane është një ndër detyrimet kryesore të pushtetit vendor, por sipas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, shumë prej bashkive kanë dështuar ta përmirësojnë këtë shërbim, pavarësisht rritjes së fondeve.

Auditi i KLSH-së thekson gjithashtu se në bashkitë më të mëdha bregdetare të Durrësit dhe Vlorës, situata e menaxhimit të mbetjeve shfaqet më problematike.

Të dhënat e siguruara nga Citizens përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se disa bashki bregdetare arrijnë të vjelin të ardhura të pamjaftueshme nga taksa e pastrimit dhe i kompensojnë shpenzimet për pastrimin dhe evadimin e mbetjeve përmes tarifës së stacioneve të plazhit.

Bashkia e Sarandës tha në një përgjigje me shkrim se për periudhën Janar-Korrik 2024 ka arritur të mbledhë 8 milionë lekë nga taksa e pastrimit dhe ka shpenzuar 75.8 milionë lekë për pastrimin e qytetit.

Një pjesë e kostove të Bashkisë Sarandë për trajtimin e mbetjeve shkon për landfillin e Bajkajt, ku bashkia paguan një tarifë prej 22 eurosh për njësi.

Bashkitë e Durrësit dhe e Shkodrës nuk iu përgjigjën një kërkese për informacion për situatën e menaxhimit të mbetjeve.

Ndërsa Bashkia e Himarës, një nga bashkitë që është denoncuar më së shumti në rrjetet sociale për probleme me mbeturinat, tha se “Bashkia Himare arkëton afersisht 40.000.000,00 lekë në vit nga tarifa e pastrimit”.

Ndërsa tha se kishte planifikuar të shpenzonte 120 milionë lekë ose katër herë më shumë për pastrimin e territorit të saj.

Bashkia e Himarës tha gjithashtu se kishte arkëtuar 115 milionë lekë nga dhënia me qira e hapësirave publike gjatë viti 2024 nga Janari deri në Korrik.

“Pastrimi i bregdetit kryhet nga operatori privat çdo ditë nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 e mbasdites në të gjithë territorin e bashkisë. Ka dhe një orar shtesë në 18:00 mbasditet dhe në oren 6:00 të mengjesit kryhet nga AKB – Agjesia Kombetare e Bregdetit,” tha Bashkia Himarë në një përgjigje me shkrim.

Ekspertët e mjedisit e konsiderojnë situatën e rënduar me trajtimin e mbetjeve “një problem menaxhimi”, ndërsa paralajmërojnë se gjendja mund të përkeqësohet nëse nuk ndryshohet mënyra se si menaxhohen ato.

Lavdosh Ferruni, ambientalist dhe anëtar i Aleancës Kundër Importit të Plehrave thotë se vendi ka bërë hapa mbrapa si rrjedhojë e “politikës së mbrapshtë të inceneratorëve”, ndaj duhet të rikthehet te skema e qarkullimit me prioritet riciklimin e mbetjeve.

“Gjendja e pakënaqshme me mbetjet në bregdet është e lidhur me menaxhimin e dobët të mbetjeve në shkallë vendi,” tha Ferruni.

Për Besjana Gurin, eskperte pranë “Eco Albania”, problematika e mbetjeve është thelbësisht një problem menaxhimi.

“Është keqmenaxhim dhe mosmenaxhim, mungesë e veprimit të institucioneve lokale për ta pastruar dhe mbajtur të pastër të gjithë bregdetin,” përfundoi ajo./ Citizens.al

Artikulli paraprakTaulanda Jupi: Kompromisi i disa deputetëve për karrige, dëmi më i madh që mund t’i bëhet opozitës dhe qytetarëve
Artikulli tjetërBanorët e Krujës dhe Fushë Krujës protestojnë para Parlamentit, kërkojnë akses në autostradën Thumanë-Kashar