Një ish-i burgosur politik ka denoncuar publikisht dekorimin e dy xhelatëve të diktaturës nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke publikuar edhe foton ku Tahiri i jep dekoratën xhalatit Kasem Kaso, që shtypi shtazërisht revoltën e Spaçit.
“I përndjekuri politik dixhital denoncon: Dekorimin e xhelatëve të diktaturës; -Kasem Kaso, xhelati që shtypi shtazërisht revoltën e Spaçit -Agron Tafa, xhelati që shtypi mizorisht revoltën e Qafë Barit”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje doktor, ministri Tahiri dy ditë më parë ka pritur në zyrën e tij “veteranët” e Policisë së Shtetit. Ky në foto është ish-drejtori (89 vjeç), ai mbahet mend për shtypjen e revoltës së Spaçit në vitin 1973. Një tjetër efektiv e veteran që u vlerësua ishte Agron Tafa, ai mbahet mend për shtypjen e revoltës së Qafë-Barit në vitin 1984”, shkruan ish-i burgosuri politik.
Kasem Kaso njihet si një nga xhelatët që shtypi revoltën e Spaçit.
Ish-i burgosuri politik, shkrimtari Agim Musta tregon se, fillimi i revoltës së Spaçit nisi pikërisht me shpërthimin e birucave nga i burgosuri Hulusi Pashollari. Ai liroi 12 të burgosur, që vuanin dënimin pa asnjë shkak serioz, më 21 maj 1973. Atje filloi dhe përleshja me rojet e brendshme të kampit, të cilët u smbrapsën pas turmës së revoltuar të të dënuarve dhe dolën jashtë kampit. Revolta shpërtheu si vullkan. Ajo ishte kulmi i protestës për marrjen nëpër këmbë të dinjitetit njerëzor. Puna e detyruar skllavëruese dhe dhuna e përditshme që ushtrohej mbi të dënuarit, e kishin çuar në kockë thikën e diktaturës së proletariatit.
Në qendër të kampit u valëvit flamuri kuq e zi me përkrenaren e Skënderbeut, pa yllin komunist, e para herë në Shqipëri pas instalimit të diktaturës. Byroja Politike u zu në befasi nga kjo revoltë e padëgjuar dhe e pamenduar se mund të trondiste themelet e terrorit komunist.
Byroja Politike dha urdhër që revolta të shtypej sa më parë dhe me çdo mjet. Më 23 maj të vitit 1973 qindra forca speciale dhe efektivë të policisë nën drejtimin e xhelatit Kasem Kaso u vërsulën si kafshë të tërbuara brenda kampit, duke rrahur e goditur çnjerëzisht të burgosurit e rraskapitur nga beteja për liri. Rezistenca u shtyp egërsisht me bilanc tronditës, u dënuan me vdekje katër të burgosur: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja. Ata u ekzekutuan brenda pak ditëve, ndërsa 111 të burgosur të tjerë u dërguan në hetuesinë qendrore në Tiranë, ku iu bënë tortura dhe hetuesi me mjete nga më të dhunshmet. Terrori kishte rilindur edhe më i ashpër se para revoltës. Ata u nxorën në një gjyq të inskenuar në Rrëshen dhe u ridënuan me 1700 vjet burg.
Shkrimtari Visar Zhiti është një nga dëshmitarët e ngjarjes së 22 majit 1984 të shtypjes së revoltës së Qafë-Barit. Në librin e tij “Ferri i çarë”, Zhiti tregon gjithçka ndodhi në atë burg të frikshëm. Ai tregon se regjimi dërgoi dy gjakpirës për të shtypur revoltën, ata ishin, Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa. “Dooorzoohuuunii, të dënuar”, thërriste Agron Tafa. Ata përdorën të gjitha mjetet që të ndërpritej kryengritja. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar e shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe nga çdo betejë ka dalë më e fortë. Mendohuni mirë. Qëllimi juaj, strategjia dhe taktika kanë për të thyer kokën”, thërriste xhelati Agron Tafa.