Politikë dhe biznes/ Bingoja 3.6 mln euro e kryebashkiakut të Himarës dy muaj para zgjedhjeve

Në nëntor të vitit 2021 familja e Vangjel Tavos themeloi një kompani të quajtur Theap Konstruksion. Objekti i kompanisë ishte sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, ndërsa kapitali themeltar i saj ishte vetëm 100 mijë lekë.

Por pak muaj më vonë, në mars të vitit 2022, vlera e kompanisë u rrit. Familja Tavo kontriboi në natyrë duke bërë pjesë të aseteve të biznesit një sipërfaqe toke prej 33.5 mijë metrash katrorë. E regjistruar me numër pasurie 26/533, prona ndodhet në fshatin e Lëkurësit në Sarandë, poshtë kalasë së famshme të Lëkurësit.

Në pasqyrat e kompanisë thuhet se toka është përfituar me kontratë sipërmarrje dhe vlera fillestare e saj rezulton 85.6 milionë lekë ose 856 mijë euro. Por një vit më vonë vlera kontabël e pasurisë u katërfishua.

rritja e kapitalit

Në nëtor të vitit 2023, zoti Tavo bëhet vetë pronar i kompanisë. Një javë më vonë ai autorizon rritjen e kapitalit të saj duke caktuar si ekspert Luan Muçën. Në raportin e rritjes së kapitalit, eksperti thotë se kontributi në natyrë i ortakut, pra toka vlerësohet në 4.2 milionë euro duke zmadhuar në të njëjtën masë kapitalin e kompanisë. Më vonë, kjo vlerë u korrigjua sërish në 3.59 milionë euro, pasi sipas ekspertit vlerësimi i parë ishte bërë gabim.

Biznes dhe politikë
Zoti Tavo qëndroi vetëm pak muaj si pronar zyrtar i kompanisë Theap Konstruksion. Në janar të këtij viti ai ja dhuroi 100 për qind të aksioneve të saj vëllait të tij Grigor Tavo. Këto lëvizje kishin në sfond edhe zhvillimet politike të lidhura me karrierën e Vangjel Tavos.

Dy muaj, pasi ja dhuroi aksionet e kompanisë të vëllait, Vangjel Tavo u emërua nga Edi Rama si prefekt i qarkut të Vlorës. Kompania, e cila tashmë ishte nën pronësinë e të vëllait do të ndërronte sërish duar duke sjellë miliona për familjen Tavo.

Në maj, dy muaj para zgjedhjeve, kur Vangjel Tavo kishte marrë ndërkohë bekimin nga Edi Rama për të kandiduar në Himarë, familjarët e zoti Tavo e shitën kompaninë Theap Konstruksion për 3.6 milionë euro. Blerësi ishte një kompani e njohur në Tiranë, që quhet TDT & Partners.

shitja e kompanise

E themeluar në vitin 2016 TDT & Partners zotërohet nga dy vëllezërit Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Zoti Avdia njihet ndryshe si ish pronari i kompanisë APEX dhe ndërtuesi i kullave ngjitur me sahatin e Tiranës.

Ironikisht në ditën e shitjes së kompanisë, Edi Rama ishte së bashku me Vangjel Tavon në Himarë duke shpërndarë tapitë e tokave për himariotët. Gjatë këtij takimi, Edi Rama u kujdes që të theksonte se shpërndarja e Çertifikatave të pronësisë ishte meritë e prefektit të Vlorës.

“Edhe këto 437 dokumente, certifikata që kemi këtu sot, plus ca të tjera që janë gati dhe s’janë këtu. Janë 4 000 për t’u bërë brenda vitit. Janë bërë me shtytjen nga pas, për pjesën më të madhe falë prefektit të cilit ia kam kërkuar që ditën e parë,” tha Rama.

Mes batutash, kreu i qeverisë Edi Rama teksa ndau certifikatat e pronësisë u dha edhe një këshillë banorëve të Himarës. “Aplikoni për të marrë pronat! Vajtët te kadastra ju nxorën problem, shkoni te Vangjeli. Nëse do zgjidhje shkoni te Vangjel Tavo nëse do sherr shko te Vangjel Dule,” deklaroi kryeministri. Dhe zoti Tavo i kishte dhënë provat që u jepte drejtim Çertifikave të pronësisë në Lekurës.

Resort në pronën e kontestuar
Menjëherë pas blerjes së Theap Konstruksion nga familja Tavo, Avdia mori leje për resort në pronën e saj në Lëkurës. Në datën 9 korrik, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi lejen e zhvillimit për objektin: “Resort multifunksional, banim, hotel dhe shërbime”, Faza I, me vendndodhje në zonën e Lëkursit, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues shoqërinë “TDT & Partners” sh.p.k.

leja e zhvillimit

Prona në të cilën do të ndërtohet resorti gjendet poshtë Kalasë, në fshatin e Lëkurësit. Origjina e saj është e mbushur me përplasje dhe konflikte midis disa familjeve, përfshirë atë të zotit Tavo dhe shtetit. Agjencia Shtetërore e Kadastrës e ka kundërshtuar dhënien e saj tek privatët, për shkak se pretendonte se toka ishte shtet. Por falë gjykatës Vangjel Tavo arriti të shtinte një pronë, të cilin e shiti 3.7 milionë euro. Vetëm dy muaj para se të zgjidhej kryebashkiak i Himarës.

Gjatë zgjedhjeve, teksa zoti Tavo premtonte se do të zgjidhte Çështjen e pronave në Himarë, ai u akuzua publikisht nga Omonia se tokën e Lëkurësit e ka marrë përmes dokumentave të falsifikuara. “OMONIA Himare i bën thirrje Goles të rrijë në Lëkurës qe e ka me letra fallco e të mos duket në këto anë,” thuhej në një deklaratë të shpërndarë nga kjo organizatë.

Por Vangjel Tavo i fitoi të gjitha. Përveç 3.7 milionë eurove nga shitja e Lëkurësit, fitoi dhe zgjedhjet duke u bërë kryebashkiak i Himarës. Dhe vendimin e parë e mori pikërisht për një resort, duke i kaluar dy hektarë tokë shteti Gjikurisë në Palasë për hotelin White Roads./ Kapitali.al

Artikulli paraprakZëri i Amerikës: Akti normativ mbi dypunësimin e mjekëve në Shqipëri ngre diskutime
Artikulli tjetërFOTO/ Shpërthejnë memet për delirin kryeministër: Ramës nuk i mjafton si Ismail Qemali, tani si Skënderbeu!