Një vit pas vrasjes së 30-vjeçarit Edmond Theodhori (Mehmeti) në Sarandë, në orët e para të mëngjesit të 10 korrikut 2015, familjarët e viktimës kanë hapur një gjyq ndaj prokurorit të çështjes, që e akuzojnë për shpërdorim detyre. Seanca e mbajtur në Gjykatën e Shkallës së Parë Gjirokastër duket se ka qenë zhgënjyese për familjarët, pasi gjyqtarja e ka gjykuar ankimin e familjarëve si të pabazuar në fakte. Babai i viktimës, Hamit Mehmeti deklaron se të arrestuarit si autorë të vrasjes u akuzuan nga Prokuroria vetëm për moskallëzim krimi, pavarësisht deponimeve të tyre në polici për pjesëmarrje në vrasje. “E mori vendimin të menjëhershëm, pa lexuar provat, pa i hapur, vetëm sa i depozitoi. I paraqita edhe videon, që është filmuar nga kamera e sigurisë në vendngjarje, nuk ma pranoi. “S’pranon Gjykata gjëra të tilla”, më tha prokurori. Pa asnjë provë të re, prokurori Ilir Hoxha i ka ndarë, i ka veçuar: Tre të pandehurit që ishin në paraburgim dhe tre që janë arratisur. Unë insistova dhe kam debatuar pse u bë kjo gjë, kur ata e kanë pranuar vetë. Kur ekspertiza shkencore nga Policia e Shtetit, që ka bërë një punë shumë profesionale, e ka të vërtetuar se kanë qenë në ngjarje. Një person shkon për “moskallëzim krimi”, kur nuk ka marrë pjesë në krim dhe është pasiv, jo si në rastin konkret që ata vijnë të organizuar që nga Laçi, me makinë, me armë zjarri, me mjete të jashtë ligjshme, me shkop bejsbolli”, deklaron Mehmeti.
Ai thotë se i është drejtuar të gjitha instancave të drejtësisë, kryeministrit, ambasadave që ndodhen në vendin tonë, e Parlamentit Europian. “Tek Prokuroria e Përgjithshme kam bërë 10 ankesa të shoqëruara me provat e Prokurorisë, s’kam marrë përgjigje. I kam bërë kryetarit të KLD, kam marrë përgjigjen e parë normale “ja dërgojmë për kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm. I kam bërë edhe dy të tjera, s’kam marrë përgjigje. Ministrit të Drejtësisë, edhe ai më ka dërguar përgjigjen që “është në kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm”, deklaron babai.
Edmond Theodhori (Mehmeti) u ekzekutua për hakmarrje në 10 korrik të 2015. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Sarandës se atë kohë, katër nga gjashtë personat që morën pjesë në vrasjen e 30-vjeçarit udhëtuan nga fshati Gjorm i Krujës, ku jetonin, për në Sarandë. Konflikti me viktimën ka ndodhur nga Kevi Hysa, i cili ka njoftuar të afërmit e tij e ka kërkuar ndihmë nga ata e të 6 personat, pasi e kanë dhunuar e qëlluar për vdekje në makinën e tij Edmond Theodhorin, janë rikthyer në Krujë.
Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 nga gjashtë personat e dyshuar, me akuzën e “vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim konkretisht Ledi Hysa, Ajman Zyba e Ylli Reçi, ndërsa tashmë të tre personat do të jenë të lirë, pas kryerjes së vetëm 13 muajve burg. Gani Hysi u kap në Itali, ku vijon hetimi atje edhe për një tjetër çështje, ndërsa dy të tjerët Kevi dhe Elion Hysa u arratisën menjëherë pas krimit.