Historia e panjohur e hapjes së Bankës Kombëtare Bujqësore në Shqipëri: Mbreti Zog priti Dr. Frigione në audiencë ku i dorëzoi dekoratën e lartë: ‘Oficer i Madh i Urdhërit të Skënderbeut’ dhe…

Nga fillimi i viteve ‘30-të bujqësia shqiptare kishte shumë të domosdoshme, ngritjen e një institucioni të kredisë agrare. Kjo domosdoshmeri kuptohej më së miri, nga ekspertë të fushës dhe vazhdimisht, shtypi në Shqipëri botonte artikuj të shumtë, ku argumentohej gjerësisht, se; ngritja e një Banke Bujqësore, do të ishte diçka shumë e dobishme për bujqësinë. Kështu, për këte çështje, kemi një numër artikujsh të shkruar në atë kohë, nga; Mehdi Frashëri, Rrok Gera, Zija Bejleri, Vasil Kondi, Muharrem Kokona, Mark Kakarriqi, etj. Më së shumti për çështjen e Bankës Bujqësore, botoheshin artikuj tek gazetat: “Besa”, “Gazeta e Re”, “Gazeta e Korçës”, “Vullneti”, “Gazeta Shqiptare”, “Ora”, etj.

 

Në vitin 1930, kemi miratimin e një ligji për Bankën Bujqësore, i cili përcaktonte linjat dhe parimet e përgjithshme për ngritjen e kësaj banke. Por mosrealizimi i Reformës Agrare, bëri që të shtyhej për më vonë, miratimi i disa dispozitave të këtij ligji. Vetë Reforma Agrare, përbënte një problem të madh, pasi në atë kohë llogaritej se mbi 90% e gjithë popullsisë së vendit, jetonte në fshat dhe merrej me bujqësi, ndërkohë që sistemi bujqësor ishte shumë i prapambetur dhe bazohej pothuaj tërësisht në sistemet e vjetra të prodhimit.

Sikur mos të mjaftonte kjo pengesë (mosrealizimi i reformës agrare), në janarin e vitit 1934, qeveria paraqiti një projekt-ligj për tërheqjen e një pjese nga të ardhurat që ishin caktuar për Bankën Bujqësore. Situata e vështire financiare e atij viti si dhe defiçiti i vitit të mëparshëm financiar, ishin shkaqet që e detyruan qeverinë të ndërmerrte këtë hap. Ndaj dhe parlamenti dha autorizimin, që qeveria të tërhiqte nga Banka Kombëtare shumën prej 1.800.000 fr. ari, të derdhur për kapitalin e Bankës Bujqësore. Tërheqja e fondit që ishte destinuar për Bankën, pamundësia për ta zëvendësuar këtë fond, si dhe kriza ekonomike që vijonte prej disa vitesh, bënë që ngritja e Bankës Bujqësore, të shtyhej edhe për disa vite të tjera.

Por me nënshkrimin e marrëveshjeve të marsit të vitit 1936 me Italinë, financat shqiptare morën mbështetje për zgjidhjen e disa problemeve që konsideroheshin si më të ngutshme. Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, ishte parashikuar edhe dhënia e fondit për hapjen e Bankës Bujqësore. Hapja e kësaj mundësie përkonte me faktin, që një ndër objektivat e qeverisë së Mehdi Frashërit (tetor 1935-nëntor 1936), ishte dhe miratimi i ligjit për ngritjen e Bankës Bujqësore.

Nga vjeshta e vitit 1936, duket se ky projekt po ecte mjaft mirë dhe ndoshta këtu bazohej dhe entuziazmi i Mbretit Zog, i cili në muajin tetor, iu drejtua deputetëve me një mesazh, duke i njoftuar ata, se shumë shpejt do të paraqitej në Parlament, projekt-ligji mbi krijimin e Bankës Bujqësore të Shqipnis. Ky projektligj u miratua në Parlament më 6 nëntor 1936, u dekretua nga Mbreti Zog më 26 nëntor dhe hyri në fuqi, më 9 dhjetor 1936. Në nenin 1 të ligjit të përbërë prej 84 nenesh, theksohej se;

“Banka Bujqësore e Shqipnis, ishte një institucion publik dhe autonom kreditimi”. Megjithatë, edhe në vijim, Banka Bujqësore, nuk po ngrihej. Ndoshta akoma kishte paqartësi, për linjat kryesore organizative dhe funksionale të ligjit për bankën, ose ndoshta akoma nuk po funksiononin mekanizmat, për dhënien e fondit të parashikuar për ngritjen e këtij institucioni të kredisë agrare. Në këtë situatë, autoritetet shqiptare menduan të kërkonin ndihmën e Banco di Napoli, për zgjidhjen e problemeve dhe banka e famshme italiane, e pranoi kërkesën.

Për të ngritur Bankën Bujqësore të Shtetit Shqiptar, u caktua jo një specialist dosido, por një nga drejtuesit e Banco di Napoli: Dr. Francesco Frigione (1891-1975). Sektori në të cilin ai kishte treguar më shumë aftësi gjatë karrierës së tij, ishte pikërisht ai i kreditit agrar dhe madje Frigione, kishte marrë pjesë në krijimin e këtij sektori pranë Banco di Napoli, në vitin 1927. Pas disa vitesh ai kishte arritur të ishte drejtor për këtë sektor, pozicion që e mbajti për rreth 30 vjet. Frigione ishte edhe anëtar i Këshillit Administrativ të Shoqatës Kombëtare të Instituteve të Kreditit Agrar, anëtar i Komitetit Qendror të Konfederatës Ndërkombëtare për Kreditin Agrar, si dhe kishte marrë pjesë në shumë kongrese të mbajtura brenda dhe jashtë Italisë, ku diskutohej për një zhvillim më të madh të Kreditit Agrar, në vende të ndryshme të Europës.

Mësohet se gjatë rinisë së tij, Frigione ishte një sindikalist në ambientin bankar, ndërsa më vonë, në pjekurinë e tij, ai shprehte simpatinë për një liberalizëm thellësisht antifashist, por më vonë u detyrua të ndryshonte qëndrimin e tij politik, për shkak të presionit të madh, të bërë ndaj tij, nga ana e autoriteteve fashiste. Pra ky ishte personaliteti, të cilin Drejtori i Përgjithshëm i Banco di Napoli, Giuseppe Frignani, e kishte thirrur më 1937, për të themeluar dhe organizuar Bankën Bujqësore në Shqipëri.

Ndonëse direkt për këtë detyrë Frigione ishte caktuar nga kreu i Banco di Napoli, në realitet, iniciatore për këtë zhvillim, ishte qeveria italiane, e cila nuk donte të figuronte zyrtarisht si e tillë, deri në momentin kur puna e organizatorit të Bankës, të ishte e pranueshme për qeverinë shqiptare, e cila nga ana e saj, vlerësonte sukseset e deriatëhershme të sektorit agrar të Banco di Napoli, që ishte dhe një ndër institutet e kreditimit më të vjetra në Europë, me aktivitet të filluar që në shekullin XVI-të.

Në shënimet e lëna nga eksperti italian i bankave, ai shpjegonte se detyra e tij lidhur me Bankën Bujqësore të Shtetit Shqiptar, përfshinte hartimin e masave legjislative për dhënien e kredive (bazuar në rregulloret e bankave të kredisë së zakonshme në vendet europiane), në një Bankë, e cila, edhe sipas dëshirës se Mbretit Zog, do të shndërrohej në një bankë emetuese, me një seksion aneks, për dhënien e kredisë agrare.

Më lart përmendëm qeverinë italiane, si mjaft të interesuar për këtë ndërmarrje, por ky interesim del dhe më shumë në evidencë në shënimet e Frigiones, lidhur me punën e tij për ngritjen e Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar. Sipas vetë Frigiones, përveç anës teknike, detyra që i ishte ngarkuar atij kishte njëkohësisht dhe një karakter politik, për shkak të udhëzimeve të dhëna nga Francesco Jacomoni, ministri italian në Tiranë. Detyra në fjalë konsistonte në përpjekjet për të fituar besimin e autoriteteve të qeverisë shqiptare dhe sidomos të mbretit Zog, në mënyrë që ata mos tu jepnin mundësi vendeve të tjera, që të financonin dhe të merrnin përsipër ngritjen e Bankës në fjalë.

Në fillim të viteve ‘30-të, Mbreti Zog në sytë e italianëve, ishte tashmë një debitor shumë i keq, i cili nuk pranonte nënshkrimin e traktateve të tjera, që do ta lidhnin vendin akoma më shumë me Italinë dhe ndërkohë u drejtohej vendeve si Anglia apo Franca, për të kërkuar ndihmë ekonomike dhe për t’i hequr Italisë, monopolin e ndërhyrjes ekonomike në Shqipëri. Ndaj dhe autoritetet e Romës, i kërkonin Frigiones, të fitonte simpatinë e shqiptarëve, pasi një rezultat i mirë i punës së tij, do të lehtësonte edhe në dhënien, për Banco di Napoli, të autorizimit të hapjes së filialeve të saj në Shqipëri e, për rrjedhim, do të shtohej influenca italiane në vend.

Pra, jo më kot, për ngritjen e Bankës Bujqësore, ishte caktuar një personalitet bankar i kalibrit të lartë si Francesco Frigione. Pasi ishte njohur me situatën në vend, ai ishte shprehur në atë kohë, se dekret-ligji i miratuar me 26 nëntor 1936, nuk arrinte të kodifikonte në mënyrë organike natyrën e operacioneve të veçanta në ndihmë të bujqësisë dhe as rregullimin e funksionimin e Institutit të Kredisë Agrare, ndaj lindte nevoja e hartimit të një projekti të ri:

“…Pa u zgjatur në një kritikë ekzegjetike të projekt-ligjit, pas një studimi të kushteve reale dhe nevojave aktuale të bujqësisë shqiptare, u konsiderua nevoja për hartimin e një projekt-ligji tjetër, që jo vetëm do tu përshtatej më shumë këtyre kushteve dhe nevojave, si në qëllimet që duheshin arritur, ashtu edhe në format dhe metodat e ekzekutimit, por edhe do të disiplinonte, para së gjithash, organikisht, kryerjen e operacioneve të veçanta dhe funksionimin e Institutit”.

Ky projekt-ligji i Frigiones, parashikonte që Banka të kishte një kapital prej 2 milionë e 800 mijë frangash ari, fondi për të cilin do të ofrohej nga Banco di Napoli dhe do ishte i pagueshëm për 50 vjet, pa interesa. Kapitali do të përdorej në përputhje me qëllimin e Bankës, d.m.th., për të ndihmuar zhvillimin e forcave ekonomike të vendit dhe veçanërisht ato bujqësore. Projekti synonte gjithashtu klasifikimin dhe disiplinimin juridik të operacioneve të kreditit agrar, me qëllim zhvillimin e gjithë elementëve të sektorit agrar, përmirësimin e kushteve të bujqësisë dhe rritjen e prodhimit në sipërfaqet e kultivuara.

Rregullimi i funksionimit të Bankës Bujqësore ishte i përcaktuar në vija të përgjithshme në përputhje me ato të një instituti bankar të së drejtës publike, i themeluar si një organizatë jofitimprurëse. Mbikëqyrja e Bankës Bujqësore, do tu besohej organeve shtetërore, nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare dhe asaj të Financave, të cilat do të kishin një delegat, që do të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të Administrimit.

Sa i takon organizimit të Bankës, projekt-ligji parashikonte një Këshill Administrativ të përbërë: nga një President i emëruar me dekret mbretëror dhe nga gjashtë këshilltarë, nga të cilët dy do emëroheshin nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare, dy nga Ministria e Financave dhe dy nga Dhomat e Tregtisë, në zonat ku Banka do ishte e pranishme. Parashikohej edhe ngritja e një Komiteti Ekzekutiv, i përbërë nga tre këshilltarë, Drejtori i Përgjithshëm dhe nga një bord auditues ligjor, me shumë përvojë në kontabilitet.

Duket se nga fillimi i korrikut 1937, Frigione e kishte përfunduar projektin për Bankën Bujqësore dhe në një letër që i shkruante më 5 korrik 1937, mikut të tij, Nicola Lorusso Attoma (atë kohë konsull i Italisë në Tiranë), eksperti italian i bankave, bënte të ditur se Zogu e kishte pritur në audiencë, duke i shprehur atij mirënjohjen e thellë për punën e bërë me atë kohë dhe e ftonte të vijonte punën e nisur, në mënyrë po aq efikase.

Në vijim, kemi Dekretin Mbretëror të datës 19 korrik 1937, për “Aprovimin dhe zbatimin e Dekret-Ligjës mbi krijimin e Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar”, dhe me datën 1 gusht të po atij viti, kemi inaugurimin e kësaj Banke. Menjëherë, autoritetet më të larta shqiptare, shprehën kënaqësinë e tyre për këtë arritje. Qysh më 31 korrik kryeministri, Koço Kota, i shprehte Frigiones vlerësimet e tij, për punën e bërë në Shqipëri:

“… Në prag të çeljes së Bankës Bujqësore të Shtetit, në emër të Qeverisë Mbretërore, kam kënaqësinë të shpreh falenderimet më të përzemërta për interesimin tuaj dashamirës, të cilin e keni shoqëruar me vizionin e lartë juridik, ekonomik dhe financiar, në organizimin e Institutit, që tanimë është një fakt i kryer i jetës kombëtare. Jam shumë krenar t’ju komunikoj se Këshilli i Ministrave, në unanimitet të plotë dhe duke shprehur gjithë kënaqësinë e tij, ju ka emëruar ‘Këshilltar Nderi i Bankës’”.

Pak para nisjes së Frigiones për në Itali, Mbreti Zog, e priti atë në një tjetër audiencë, gjatë së cilës, i dorëzoi dekoratën e lartë: “Oficer i Madh i Urdhrit të Skënderbeut”, akorduar prej tij, duke na dhënë kështu, një ide të përmasës së mirënjohjes që Sovrani shqiptar, ndjente për specialistin italian të bankave. Ditën që Frigione do largohej nga Shqipëria, më 6 gusht 1937, ai mori dhe një letër të shkruar nga Ministri i Ekonomisë Kombëtare, Terenc Toçi, i cili edhe ai, shprehte vlerësimet maksimale për punën e bërë nga eksperti italian në ngritjen e Bankës.

Edhe shtypi shqiptar i atyre ditëve, ishte i mbushur me artikuj ku shprehej kënaqësia e madhe për çeljen e Bankës Bujqësore të Shtetit, si një moment historik, që mendohej se do t’i jepte një impuls të fuqishëm, zhvillimit të bujqësisë në vend.

Të menjëhershme ishin dhe përgëzimet e autoriteteve italiane. I pari ishte drejtori i Banco di Napoli, Giuseppe Frignani, për të vijuar më pas me Ministrin e Jashtëm italian, Konti Ciano, i cili kishte një angazhim të madh, në përpjekjet e Romës për tu lidhur edhe më tej me Shqipërinë. Nisur nga fakti që autoritetet shqiptare, nuk pranonin marrëveshje tepër të kushtëzuara, për të mos u lidhur “këmbë e duar” me Romën, Ciano ndiqte me shumë vëmendje gjithçka ndodhte në Shqipëri, përfshi edhe zhvillimin e bujqësisë, reformat, bonifikimet që po kryheshin nga disa firma italiane, etj., dhe e gjitha kjo, në kuadrin e përpjekjeve intensive e të vazhdueshme që ai bënte për të arritur qëllimet e tij.

Me rastin e kremtimit të 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Francesco Frigione, u ftua të ishte pjesë e festimeve, ndërsa ndodhej në Shqipëri për zgjidhjen e disa problemeve të mbetura pezull, si dhe të disa problemeve të reja, të evidentuara pas dy muajve që Banka Bujqësore kishte filluar punën. Në një raport të tij të datës 3 dhjetor 1937, Frigione i shkruante kryeministrit Kota, lidhur me ecurinë e Bankës dhe problemet e konstatuara deri në atë kohë, elemente këto që do t’i referoheshin edhe Mbretit Zog.

Aktiviteti i zhvilluar nga Banka nga 1 gushti deri më 20 nëntor 1937, kishte të bënte me 213 kërkesa për kredi me një import komplesiv prej 231.000 fr.ari, nga të cilat ishin pranuar 55 kërkesa, për 39.000 fr. ari, ishin në shqyrtim 138 kërkesa për 170.000 fr. ari, ndërsa ishin refuzuar përfundimisht për mungesë garancie, 20 kërkesa për 22.700 fr. ari, rezultate këto që mund të konsideroheshin të kënaqshme, por që sipas Frigiones, mund dhe duhej të ishin më të mira nëse Banka Bujqësore, do të ishte mbështetur në mënyrë më efikase nga autoritetet, sidomos nga ato të zonave të largëta.

Ndaj ai shtronte nevojën që Banka të bashkëpunonte më shumë me autoritetet, ndërsa vërente se në asnjë mënyrë, nuk duhej të bëheshin ndryshime në dispozitat e sanksionuara në dekret-ligjin e 13 korrikut 1937, përveç disa varianteve të paraqitura, që thjesht ishin ndryshime të karakterit interpretativ dhe integrativ të dispozitave që lidheshin me limitin e kredisë dhe privilegjet fiskale të Bankës.

Gjithashtu Frigione, shprehte nevojën për një njohje sa më të mirë të terrenit ku shtrihej aktiviteti i Bankës Bujqësore të Shtetit, si dhe nevojën për dhënien më me efikasitet dhe në një kohë sa më të shpejtë, të garancive hipotekore. Frigione nuk mungonte të theksonte edhe nevojën e një pune edukuese, për propagandimin e vazhdueshëm e me kujdes, të thelbit të misionit të kësaj Banke, në mënyrë që fshatarët shqiptarë të ishin të vetëdijshëm e, të kuptonin avantazhet e një krediti agrar të shëndoshë dhe të kishin mundësinë për ta përdorur sa më mirë atë, duke forcuar ekonominë personale dhe atë të vendit.

Nga fundi i janarit 1938, Francesco Frigione e pa të arsyeshme t’i drejtohej masës së bujqve dhe gjithë të interesuarve për marrjen e huave për bujqësinë, me anë të një artikulli me titull: “Banka Bujqësore dhe Bujqësia Shqiptare”. Sipas Frigiones, pas pesë muajve nga fillimi i aktivitetit të Bankës, dilte e qartë se shumica e të interesuarve nuk ishte në dijeni të mundësisë së përfitimit të ndihmës në kredi për bujqësinë, ndaj dhe po e shkruante këtë artikull.

Duke theksuar se forcimi i , ishte burimi i parë i mirëqenies, Frigione nënvizonte, se me anë të atij artikulli, ai po përpiqej të sqaronte dispozitat më me rëndësi të ligjit të Bankës Bujqësore, me shpresën se të gjithë ata që kishin autoritetin dhe misionin e duhur, do të përpiqeshin për përhapjen e këtyre fjalëve, deri tek bujku më i largët.

Fillimisht organizatori i Bankës Bujqësore, sqaronte në artikullin e tij, se huat bujqësore mund tu jepeshin vetëm bujqve të vërtetë, d.m.th.; pronarëve të tokave që i punonin vetë tokat, ose atyre që i merrnin tokat me qera, për t’i punuar po vetë. Pra asnjë hua për ata, që megjithëse ishin pronarë tokash, nuk i punonin ata drejtpërsëdrejti, por pëlqenin tua punonin të tjerët, për llogari të tyre.

Bujqit duhet t’i kërkonin të hollat realisht për nevoja bujqësore: për blerje fare, për përgatitje tokash, për krasitje, për lëmë, për përmirësime tokash, për mbjellje pemësh, për ndërtim stallash, për hapje pusesh, për pleh si dhe për blerje kafshësh, apo makinerish e veglash bujqësore. Të hollat që kërkoheshin për tokën, duhej t’i kushtoheshin tokës, pra: asnjë hua nuk duhej përdorur për pagesën e borxheve, apo për përgatitjen e pajës së vajzave që martoheshin, apo për vetë dasmat.

Banka mund të jepte vetëm një pjesë të shpenzimeve, që nevojiteshin për bujqit. Pjesës tjetër të nevojave, duhej t’i përgjigjej vetë bujku, pasi Banka vetëm ndihmonte. Huat duhej të ktheheshin në kohën e skadencës së tyre dhe mospagimi i huas në kohë, nuk lejohej nga ligji dhe për këtë, nuk do kishte tolerim. Por gjithsesi, këtu Frigione nënvizonte se kishte një përjashtim: Në raste të veçanta, p.sh.; nëse në momentit e skandecës, lëmi nuk kishte ardhë akoma, atëherë Banka pranonte të shtynte afatin e pagesës. Edhe në rastet kur korrjet (për arsye të ndryshme), ishin të pakta, Banka Bujqësore, përcaktonte që pagesa të bëhej vitin e ardhshëm, pjesërisht ose tërësisht, në varësi kjo, të situatës së korrjeve.

Po ashtu, kthimi i huasë mund të shtyhej në kohë, nëse huaja i binte që të kthehej afërsisht në momentin që bujku kishte blerë kafshë pune, apo makina bujqësore. Por edhe këtu Banka kërkonte që bujku të blinte realisht, çfarë ai kishte deklaruar në kërkesën e tij fillestare. Në rast të kundërt, pra kur nuk kishte blerje reale, bujku do të detyrohej të kthente tërësisht shumën e huasë dhe madje mund të kishte edhe sanksione të rënda penale.9 Për marrjen e kredisë nga Banka, Frigione theksonte se çdo bujk mund të bënte një kërkesë duke shënuar shumën që i duhej dhe qëllimin për të cilin merrej huaja. Kërkesa në fjalë, shqyrtohej nga një Komision i përbërë nga një grup ekspertësh bujqësorë, dhe më pas merrej vendimi.

Muajt e parë të vitit 1938, eksperti italian i kredisë agrare, zhvilloi disa takime me kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij, duke u konsultuar lidhur me mundësinë e projekteve të reja dhe rregullimeve të ndryshme të kreditimit agrar, që mund të aplikoheshin në Shqipëri. Në frymën e këtyre konsultimeve, në marsin e vitit 1938, kemi një ligj të ri për Bankën Bujqësore të Shtetit, miratuar në Parlament dhe dekretuar nga Mbreti Zog, më 16 mars 1938. Në nenin 1 të ligjit, Banka Bujqësore e Shtetit, përcaktohej si një institut kreditimi publik e me personalitet juridik të vetin, të së drejtës publike. Edhe një herë tjetër, kapitali i Bankës Bujqësore, përcaktohej në shumën e 2.800.0000 fr. ari.

Nga fundi i muajit maj të vitit 1938, Ministri i Ekonomisë Kombëtare, Terenc Toçi, dha dorëheqjen dhe në vend të tij u caktua, ish-Ministri i Financave, Rrok Gera, i cili qysh në 1929, kishte shkruar shumë artikuj, ku argumentonte domosdoshmërinë e ngritjes së Bankës Bujqësore, si dhe kishte kontribuar personalisht, në përgatitjen e projekt-ligjit përkatës, në kohën që ishte anëtar i kabinetit Frashëri (1936). Me marrjen e postit të kreut të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, Gera u tregua shumë i interesuar, për shtimin e aktivitetit të Bankës Bujqësore, e cila kishte filluar të funksiononte që me 1 gusht 1937.

Organizatori i kësaj Banke, Francesco Frigione, pati një bashkëpunim të ngushtë me ministrin shqiptar, duke filluar nga vera e vitit 1938. Sipas kujtimeve të Frigiones, në një letër të datës 18 korrik 1938, Gera i kishte kërkuar atij, të vinte në Shqipëri, pasi gjykonte se ishte e nevojshme të mblidhej Këshilli Administrativ i Bankës Bujqësore, për shkak të problemeve që kishin të bënin me: organizimin dhe funksionimin e Bankës dhe sidomos me gjetjen e mekanizmave, në mënyrë që Banka të shtrinte aktivitetin e saj, deri në zonat rurale më periferike të vendit. Frigione erdhi në Shqipëri dhe zhvilloi disa takime pune me Rrok Gerën.

Pak ditë pas kthimit te tij nga Shqipëria në Itali, Frigione i shkruante ministrit shqiptar te Ekonomisë Kombëtare, se; vlerësonte shumë mbështetjen dhe besimin që kishte marrë në Tiranë prej tij, lidhur me rrugët e zgjidhjes së problemeve të verifikuara. Po ashtu, organizatori i Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar, shprehej se e gjente të vlefshëm programin që Gera kishte hartuar, lidhur me Bankën dhe funksionimin e saj:

“….Në funksion të punës time të deritanishme dhe asaj që do të bëj në të ardhmen, kam konstatuar me kënaqësi, se idetë e mia për vijimin e aktivitetit të Bankës, janë plotësisht në përputhje me programin që Shkëlqesia Juaj keni hartuar për këtë qëllim…”, – nënvizonte Frigione në letrën e tij.

Gjatë takimeve në Tiranë, dy protagonistët e këtij letër-këmbimi, kishin bërë më shumë se sa thjesht shkëmbime idesh. Një hap konkret që u ndërmor prej tyre, ishte shqyrtimi i mundësisë për hapjen e degëve të tjera të Bankës Bujqësore. Kështu, pas përcjelljes së kërkesës për Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, kjo e fundit ia përcolli nga ana e saj, Këshillit Ministror. Në mbledhjen e tij të datës 4.8.1938, ky Këshill mori vendimin Nr. 874, nëpërmjet të cilit miratonte krijimin e agjencive për qendrat bujqësore, në Shkodër, Berat, Vlorë dhe Korçë.

Sa e nevojshme ishte kjo masë dhe sa me gëzim pritej hapja e degës së Bankës Bujqësore në Shkodër, kuptohet më së miri nga një artikull i revistës “Cirka”, 31 gushtit 1938, ku ndër të tjera shkruhej: ”… Kemi pasë rasë m’e theksue edhe tjera herë, nevojën e madhe për hapjen e nji degës të Bankës së Bujqësisë në Shkodër, mbasi deri tash, fort i vogël asht kenë veprimi, qi asht mujt m’u zhvilllue në qarkun e Prefekturës s’onë, nëpërmjet të kryeqendrës së Tiranës.

Jo vetëm korrespondencat e shumta që u lypshin e bajshin akordimin e kredis fort të vështirë e të mërzitshëm, por edhe mund të themi se deri tash bujku i ynë, përgjithësisht tuj folë, as nuk ka pasë dijeni për ket institucion shoqnuer, të krijuem ekskluzivisht për të mirën e tij. Bujkut t’onë, msue me jetue ndër kthetrat e pangishme të kamataxhiut e, me pague ndër shumë rasa nji kamatë deri 100% a dhe ma tepër, nuk iu bante me besue çka ndinte me veshë, se kështu e mrapa, mund të gjente kredi vetëm me 7%, qi për te, ishte njinji si me than; ‘na ta fali’”.

Në nëntorin e vitit 1938, në një letër tjetër, këtë radhë e shkruar nga Ministri i Ekonomisë Kombëtare, për Frigionen, konstatohej se; Banka vijonte të kishte probleme me shtrirjen e aktivitetit të saj në zonat rurale periferike, ndaj Frigiones i kërkohej të realizonte një tjetër vizitë në Tiranë. Ndër të tjera, gjatë kësaj vizite, Frigiones i sugjerohej të merrte një automjet angazhe dhe të vizitonte agjencitë e reja të Bankës; në Shkodër, Korçë, dhe Vlorë.

Sikurse ishte e pritshme, në bisedimet e zhvilluara mes Frigiones dhe Gerës, u ra dakord për nevojën e hapjes së degëve të tjera të Bankës Bujqësore. Pas kërkesës së marrë nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare, me datë 31 dhjetor 1938, Këshilli Ministror i mbledhur me 5.1.1939, mori vendimin nr.11, me anë të të cilit miratonte krijimin e agjencive në qendrat bujqësore në Elbasan, Gjirokastër e Peshkopi.

Gjatë bisedimeve me Ministrin Gera, Frigione kishte trajtuar edhe mundësinë e përgatitjes së një projekt-ligji për ngritjen e kooperativave në Shqipëri. Nuk ka shumë të dhëna se si është ecur më tej në këtë drejtim, por revista “LES BALKANS”, në rubrikën e saj; “La vie eqonomique et sociale”, shkruante në vjeshtën e 1938-ës, se Ministria e Ekonomisë Kombëtare, kishte marrë niciativën për të inkurajuar krijimin e kooperativave bujqësore, në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Sipas revistës, megjithëse lëvizja për realizimin e projektit ishte në fillimet e saj, në vend zhvillonin aktivitetin e tyre pesë kooperativa.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste, pati pasoja edhe për Bankën Bujqësore të Shtetit Shqiptar, e cila me dekret të Mëkëmbësit të Mbretit, Francesco Jacomoni, më 12 maj të vitit 1939, u absorbua nga Banco di Napoli Albania, duke u shndërruar në një seksion të kreditit agrar të kësaj Banke. Ndryshimi në fjalë çoi edhe në përfundimin e detyrës së Frigiones. Ky i fundit, në një letër të tij shkruar me 21 maj 1939, për drejtorin e ri të Banco di Napoli, De Simone, bënte dhe një pasqyrë të vështirësive e pengesave që kishte ndeshur në punën e tij, për drejtimin e Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar.

Sipas Frigiones, në detyrën e tij ai kishte ndeshur pengesa të të gjitha llojeve, përfshi: armiqësinë e pronarëve të mëdhenj të tokave, mosbesimin e disa qarqeve politike dhe financiare italiane, të cilët e shihnin edhe si konkurrencë ngritjen e Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar, opozitën shqiptare me njerëz që i kundërviheshin fort qeverisë, si dhe kundërvënien e disa Legatave të huaja në Tiranë, që me të gjitha mjetet e mënyrat, donin të siluronin ngritjen e Bankës, e konsideruar prej tyre, si një investim italian. Gjithashtu Frigione, përcaktonte si pengesë serioze të punës së tij, në drejtimin e Bankës Bujqësore edhe kushtet në të cilat paraqitej prona në Shqipëri, që sipas tij, ishte jashtë çdo rregullimi.

Përveç komplimenteve pa fund, që mori nga autoritetet shqiptare për punën e kryer, Francesco Frigione, pohonte në shënimet e tij, se ata i kishin ofruar disa dhurata të çmueshme si dhe shuma parash, por ai nuk i kishte pranuar ato, por kishte marrë vetëm disa shuma të vogla, për të kompensuar shpenzimet e udhëtimeve të tij (shkuarje-ardhje nga Tirana në Itali), si dhe shpenzimet e qëndrimit në kryeqytetin shqiptar. Por ai mendonte se Banco di Napoli, i detyrohej me një kompensim për punën që ai kishte bërë për ngritjen dhe drejtimin e Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar, punë e cila, ishte vlerësuar jashtë mase.

Ndryshimi i drejtuesit të Banco di Napoli, si dhe fillimi i Luftës së Dytë Botërore, shtynë në kohë shqyrtimin e kërkesës, që Frigione i kishte paraqitur Këshillit Administrativ të Banco di Napoli dhe për aq sa dihet, ai nuk mori kurrë një kompensim. Ndërkohë, vlerësimet për figurën e Francesco Frigiones nuk kishin përfunduar me kaq. Në vitin 1941, atij iu akordua urdhri “Grande ufficiale del Regno d’Italia”, ndërsa në vitin 1954, iu akordua urdhri; “Cavaliere al Merito della Repubblica Italiana”. Memorie.al

Artikulli paraprakPampuri: Do të dërgojmë në Kushtetuese ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nuk jemi peng i vulës, kemi nisur punën në terren (VIDEO)
Artikulli tjetërTë rinjtë dhe zbrazja e Shqipërisë, një sfidë për të ardhmen