Socialistët e vërtetë dhe kazerma elektorale e Ramës nuk janë e njëjta gjë

Regjistri emër për emër i zgjedhësve të garantuar dhe të synuar për të kapur objektivin “tetëqind mijë” është arma elektorale “e pathyeshme” që ka shpikur kryeministri Rama me kupolën e tij. Në fakt, në një vend të vogël ku popullsia pakësohet vit pas viti sa nga ikjet, sa nga rënia e lindjeve dhe ku opozita është vetbllokuar marrëzisht të mbledhë votat e shumicës popullore antiqeveritare, kuadrati “tetëqind mijë” del e tepron që qeveria të fitojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Për të katërtën herë radhazi.

Madje, nëse do të vazhdonte kjo gjendje, kuadrati në fjalë rrezikon ta dënojë Shqipërinë me sundimin e gjatë të një partie të vetme, për rrjedhim ta privojë nga rotacioni i pushtetit për vite e vite me radhë. Pa patur nevojë për bilanc, llogaridhënie, fushatë e gjëra të kësaj natyre që duhen vetëm për spektaklin e jashtëm të një rezultati të paravendosur.

Në këto kushte, sfida e vetme e vërtetë e qeverisë është mbajtja e kuadratit tetëqind mijë. Që në varësi të rënies së popullsisë dhe mosrinovimit të opozitës do ta bënte punën edhe me shatëqind mijë e gjashtëqind mijë. Duke e bërë realitet fandaksjen destopike apo utopinë e keqe të Ramës për të qëndruar në pushtet, – “edhe pesëdhjetë vite… kush na ndalon?”, – siç tha në Kongresin e muajit korrik. Te kuadrati fillon e mbaron gjithçka.

Për këtë duhet domosdoshmërisht menaxhimi i tij si një kazermë politike. Po u la i lirë, kuadrati firon, shpërthen. Ata që largohen duhet të zëvendësohen patjetër. Pushteti ka mjete pa fund për joshje e kandisje elektorale. Ndryshe nuk i del llogaria.
Socialistëve në shtëpinë e tyre, që janë shumicë dhe pa të cilët invencioni i Ramës do të ishte i pamundur, u shtohen hallexhinj dhe “pragmatistë” pa parti apo me prejardhje nga partitë e opozitës; u shtrohen zyrtarë pa parti apo demokratë që kanë mbetur në administratën e stërfryrë, të cilët “ftohen” të votojnë “partinë që u jep bukë”; u shtohen fasha e grupeve kriminale që kanë vepruar e veprojnë aty ku janë aktivë akoma si njësi komplementare të Partisë Socialistë në pushtet; u shtohen individë dhe grupe interesi nga bota e biznesit që nuk paguajnë taksa, që lejohen të bëjnë evazion, që lejohen të ndërtojnë pa leje, ose me leje të falsifikuara, të lëshuara gjoja para pesëmbëdhjetë vjetësh e më shumë kur rëndom, në disa nga zonat ku bëhen këto ndërtime, nuk ka patur studim urbanistik dhe lejet e hershme, edhe po të ishin të vërteta, kanë dalë prej kohësh jashtë afatit.

Ky është konglomerati, një përzierje e elektoratit socialist me kontigjente te malavitës, me të blerë, me të kapur. Ndyshe nuk bëhen tëtëqind mijë.
Aktualisht nuk janë aq, sipas sondazhit të fundit të Eduard Zaloshnjës.

Mungojnë njëqind mijë. Siç janë numrat elektoralë sot, shifra shtatëqind mijë i mjafton PS-së për t’i fituar zgjedhjet. Por për të qenë super të sigurtë, objektivi tetëqind mijë, pa llogaritur emigratët, do të synohet të kapet me çdo kusht deri ditën e votimit. Pushteti ka fituar përvojë për goditje të ditëve dhe orëve të fundit.

Kuadratin e ka ndërtuar dhe e trajton si kazermë vetë Rama. Duke e tjetërsuar PS-në si formacion politik. Duke e shndërruar në një ide dhe praktikë pushteti ku është vështirë të gjesh diçka socialiste në kuptimin e vlerave dhe doktrinës. Duke e zhveshur e tharë nga disa vlera dhe zakone që PS i ka patur dhe me të cilat ka berë diferëncën me Partinë Demokratike të Sali Berishës.

Siç mund të përmendin frymën e diskutimeve dhe debateve të lira, nxitjen dhe respektimin e diversitetit në solidaritet, promovimin e meritokracisë, krijimin e një kurore personalitetesh me disa qendra autoriteti brenda partisë, e tjerë. Tani PS është parti tipike e njëshit, një parti shtet, ku nuk pipëtin miza dhe ku shumë prej të promovuarve aty, siç kanë treguar e do të vazhdojnë të tregojnë skandalet në radhë, e kanë mendjen vetëm si të pasurohen për vete me abzuime dhe korrupsion. Këta shembuj gjithnjë e më të shumtë në administratën qëndrore e vendore e dëshmojnë më mirë se asgjë mendësinë sunduese “të kapim gjithçka”, mendësi e cila ka krijuar korrupsionin kapilar në të gjitha degët e ekzekutivit. Të gjithë shkojnë me mendimin se e kemi të fituar, çfarëdo që të bëjmë. Kupola llogarit vetëm numrin e votave që i duhet për t’u përjetësuar në pushtet dhe asgjë tjetër. Duke e shtrirë kalbëzimin e trashur zullumin në ekstrem.

Anëtarët dhe zgjedhësit socialistë janë aty sigurisht. Të vjetër dhe të rinj. Ata kanë qenë dhe mbeten një fuqi politike me peshë. Kanë qenë protagonistë të rrotacioneve të pushtetit nga e djathta në të majtë. Më të rriturit në moshë nga kjo masë njerëzore, apo më të shquarit e PS-së ndër vite e dinë mirë se grupi liberal i themeluesve të Partisë Demokratike, Pashko, Ceka, Imami, Demeti, Peshkëpia, Kadare,Trako, unë e shumë të tjerë, i kemi kundërshtuar me forcë tendencat revanshiste dhe të frymës së një lufte të re klasash që morën hov me ardhjen në pushtet të PD-së në vitin 1992. Këto qëndrime i kemi mbajtur në emër të principit të bashkëjetesës si të ndryshëm, të respektit për opozitën si kusht i funksionimit së demokracisë.

Duke pësuar e duruar gurët e keqkuptimeve për pluralizmin dhe vlerat e tjera të demokracisë brenda familjes sonë politike. Madje duke sakrifikuar deri karrierën e duke u përjashtuar disa syresh. Për të njëjtat vlera kemi kundështuar me votë dhe me qëndrime publike burgosjen e liderit të PS-së, Fatos Nanos.

Burgosje e cila u realizua nën një shpërthim histerik në kupolën e PD-së, sipas së cilës po nuk iu vunë prangat Fatos Nanos, PD shpërbëhet. E gjithë kjo duke lënë të kuptohet se përfaqësues të ambasadës amerikane e donin dhe e nxisnin arrestimin e liderit të opozitës. Më këtë rast, i pyetur nga një gazetar i gazetës “Koha jonë“ e asaj kohe – fjala është për vitin 1993 – unë pata dhënë një përgjigje që u bë hit por që edhe më kushtoj heqjen për disa vite nga lista e të ftuarve në festën e pavarësisë së SHBA-ve. Përgjigja ishte: “S’kam përse ta dua amerikanin Rajerson më shumë se shqiptarin Fatos Nano”.

Si qendër krijuese dhe pakicë krijuese, liberalët e PAD-së kanë formuluar dhe interpretuar, shpeshherë si protagonistë, opozitarizmin bashkëkohor dhe efikas në një peridhë të vështirë për ekuilibrat demokratike në vend. Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Namik Dokle, Arta Dade, Gramos Ruçi e plot figura të shquara të PS-së janë dëshmitarë.

Ka qenë e natyrshme që kur u krijuan kushtet, liberalët të ktheheshin në shtëpinë e tye politike në PD. Pa marrë asgjë që nuk e kishin merituar. Pa i pasur borxh askujt. Personalisht më ka ndodhur të kem patur me Spartak Ngjelën një përvojë të dytë të opozitarimit përkrah socialistëve pas vitit 2009, kësaj radhe të drejtuar nga Edi Rama, prej nga u largova me letër të hapur kur pashë hapjen e tij ndaj njerëzve të malavitës dhe Ilir Metës.

Këto informcione telegrafike i jap për socialistët socialistë që i kam respektuar dhe më kanë respektuar, madje edhe më kanë votuar në Lezhë disa syresh, ndryshe nuk do të fitoja si kandidat i PD-së në një bastion të majtë për shumë vite.
Por socialistët dhe kazerma e Edi Ramës si strukturë elektorale nuk janë e njëjta gjë. Kushdo e kupton shumë mirë këtë. Reagon apo nuk reagon. Ashtu siç është konceptuar, kazerma fyen dhe godet lirinë e individit për të zgjedhur pa u kushtëzuar nga frika, zhantazhi, kërcënimet, vështirësitë, varfëria, borxhet a gabimet.

Kjo shpikje shqiptare, pa lidhje me praktikat normale elektorale të partive demokratike, nuk do mund të kalojë pa u vënë re e pa reagim nga partnerët amerikanë dhe europianë. Kemi shpresë se kazerma nuk do të mund të kalojë pas nëntorit e tutje. Kjo nuk do të thotë se PS mund të mos jetë parti e parë, apo edhe fituese. Për momentin, me një opozitë në krizë, i mjaftojnë votat e elektoratit të saj. Pa shtesat denatyruese që kemi listuar në krye. Por rruga është në ngjitje edhe për Edi Ramën.

Artikulli paraprakSulmi rus la pas mbi 50 të vrarë në Poltava, Ukraina zotohet për hakmarrje! Zelenksy paralajmëron se do të rrisë prodhimin e armëve në vend
Artikulli tjetërTi nuk lexon