Zoti Skënder, a mund të na tregoni diçka për veten dhe për familjen tuaj?
Quhem Skënder Shaholli dhe unë kam lindur në vitin 1934. Familja ime nga fshatrat e Korçës, ka qenë një familje e mesme fshatare. Babanë e kisha në Amerikë, kam lindur dy muaj, pas ikjes së tij.
Si i kujtoni rrethanat dhe momentin e arrestimit tuaj?
Unë nënën e kam nga fshati Braçaj. Atje u arrestuan 15-16 burra, mes tyre kishte edhe disa nga fisi i nënës. Më 7 shtator të 1959-ës, arrestohem nga Sigurimi i Shtetit në Korçë. Kisha shkuar në qytetin e Korçës, sepse përgatisja një vajzë xhaxhai, ta martoja pas dy javësh. Unë atë kisha vëlla, atë kisha motër. Edhe ajo e kishte babanë në Amerikë. Kur zbrisja në Korçë, në një markatë, dolën tre veta, dy nuk i njihja, një e njihja, ishte operativi i zonës, Isa Abazi, quhej. Ata më morën dhe më futën në makinë, në “Gaz”, pa më thënë siç bëhej zakonisht; “në emër të popullit, je i arrestuar”, sepse si duket, kishte shumë njerëz.