Biri çlirohet nëpërmjet së vërtetës ndaj Atit

Nga Namir Lapardhaja

(Shënime për veprën “Vjeshta e ankthit” të shkrimtarit Bashkim Shehu)

“Ai dëgjoi hapa në korridor, pastaj në studio ngjitur, priti, i palëvizur, dhe duke e ditur tashmë çfarë po ndodhte, gjersa u hap dera e dhomës së tij dhe hyri dikush, një hije që mezi mund të shquhej, por që megjithatë ai e njohu kush ishte dhe që ishte ai vetë, Mehmet Shehu, duke mbajtur në dorën e tij një gjësend vezullues që ishte një armë dhe që shtiu mbi të. Kaq ishte, tha me vete, ndërsa dëgjoi krismën. Pastaj gjithçka u err, po binte në një zbrazëti të errët, në një natë pa anë mes botësh të shkretuara.”

Është përshkrimi që na jep Bashkim Shehu tek “Vjeshta e ankthit” lidhur me vrasjen apo vetëvrasjen e të atit.
Në mënyrë figurative, biri i jep fund të gjithë spekulimeve: Mehmet Shehun e ka vrarë Mehmet Shehu.
Është mekanizmi kriminal i regjimit që ha bijtë e vet, të cilët më së shumti kanë kontribuar dhe besuar verbërisht tek ai.
Tek “Vjeshta e ankthit” Bashkim Shehu nuk synon të akuzojë apo të zgjidhë misterin, por në mënyrë mjeshtërore, me një gjuhë artistike dhe përsiatje të thella psikologjike, ai futet në skutat më të errëta të psikologjisë njerëzore për të na shpjeguar arsyet e krimit.
Paaftësia e njeriut për të reaguar ndaj së keqes që ka trokitur në derë, besimi i verbër tek xhelati, miopia e të parit drejt të realitetit, dorëzimi pa kushte përballë mynxyrës, por edhe fataliteti i hershëm i natyrës njerëzore, portretizojnë figurën e M. Shehut.
Në një kohë kur diktatura dhe qëndrimi ndaj saj vijon të jetë pjesë e diskutimit ditor, ky libër është një dëshmi se si duhet dënuar krimi, qoftë edhe kur bëhet fjalë për njerëz të afërt.
Libri i jep përgjigje spekulimeve që kanë qarkulluar në këto vite se Mehmet Shehu, ndryshe nga Enveri, ishte liberal dhe perëndimor. Për të birin, Mehmeti ka qenë po aq diktator, çnjerëzor, i pamëshirshëm, dogmatik dhe i verbër saqë, po t’i kërkohej, ishte i gatshëm të sakrifikonte gjërat më të shtrenjta.
E risolla në vëmendjen e lexuesit këtë vepër të hershme të Bashkim Shehut (1994) jo thjesht për të plotësuar tablonë e kureshtjes së çfarë ndodhi mes pjesëtarëve të bllokut gjatë periudhës së diktaturës, as për atë se si ata hëngrën kokat e njëri-tjetrit, por për të sugjeruar një optikë jo dogmatike në raport me ngjarjet.
“Vjeshta e ankthit” e Bashkim Shehut është një dëshmi që mbart vlera të vërteta artisitike dhe një ngasje se e vërteta është çliruese, edhe kur bëhet fjalë për atin biologjik.

Artikulli paraprakRevolucioni që nuk ndezi kurrë!
Artikulli tjetërDieta 7 ditore që ndihmon në menaxhimin e rezistencës ndaj insulinës, ja çfarë duhet të konsumoni