Pasojat ekonomike e sociale të plakjes së popullsisë, eksperti: Është rritur numri i grupmoshës mbi 65 vjeç, ç’pritet të ndodhë me të moshuarit brenda një dekade

Sipas të dhënave të Censit 2023, numri i individëve mbi 65 vjeç ka pësuar rritje të konsiderueshme, ndërkohë që plakja e popullatës pritet të thellohet edhe më tej.

Kjo ka sjellë problematika të shumta në fushën e pensioneve, aspektin fiskal, ekonomik, por edhe social. Kështu ka deklaruar eksperti i njohur i ekonomisë Koço Broka në një intervistë për gazetën “Panorama”.

Ai ka theksuar se përveç rritjes së moshës së tretë, gjithnjë e më tepër po shfaqet dhe ka për t’u shfaqur si element rritja e numrit të pleqërisë së thellë, pra asaj mbi moshën 85. Broka nënvizoi se për këtë moshë por edhe me grupin paraardhës, del e mprehtë problematika e përkujdesjes nga persona të tretë apo prej shërbimit mjekësor.

Bazuar në Censin 2023, si paraqitet numri i individëve mbi 65 vjeç në raport me pjesën tjetër të popullatës?

Si del nga të dhënat e tabelës ose të paraqitjes grafike të tyre mund të shihet qartë, një rritje e vazhdueshme e popullsisë së kësaj grupmoshe e shoqëruar me një shtesë gjithnjë e më të madhe të madhësisë së saj, nga një regjistrim në tjetrin. Këtë mund ta konstatojë lehtësisht secili si nga paraqitja e tyre në trajtë grafike, por dhe asaj tabelare, po jo me leximin onjegnian, por vështrim qoftë të thjeshtë të të dhënave.

Nëse me regjistrimin e vitit 1979, popullsia e grupmoshës mbi 65 vjeç ka rezultuar 136.1 mijë persona, në atë të 1989, u rrit në 231,4 mijë persona, në atë të vitit 2001, në 317,6 mijë persona në atë të vitit 2011, për të mbërritur 473.1 mijë persona në Censin e vitit 2023. Kjo duket qartë në grafik me rritjen e gjatësisë të kolonave, që përfaqësojnë nivelin e popullsisë të kësaj grupmoshe për regjistrimet e fundit. Ndërkohë mund të shihet dhe të dallohet lehtë se krahas rritjes të kësaj grupmoshe ka një rritje të vazhdueshme akoma më të madhe të shtesës nga një regjistrim në tjetrin, krahasuar me paraardhësin tesa e popullsisë së kësaj grupmoshe krahasuar me regjistrimin paraardhës atë të vitit 1979 ishte 32,7 mijë vetë, në atë të 2001, u rrit në 62.6 mijë vetë, në atë të 2011, në 86.2 mijë vetë dhe në 2023 në 155.5 mijë vetë. (këtu ka ndikim edhe fakti se Censi i 2023, është bërë pas 12 vitesh).

Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e popullsisë mbi 65 vjeç?

Ndërkohë duhet thënë se kjo rritje e popullsisë së grupmoshës mbi 65 vjeç ka për të vijuar në vitet në vijim. Kjo për disa arsye. Nëse sivjet mbushin moshën 65 vjeç të lindurit e vitit 1959, niveli më i lartë i lindjeve për 1000 banorë ka ndodhur në vitin 1960. Pas këtij viti, vihet re rënia e nivelit të lindjeve për 1000 banorë apo koeficentit bruto të lindjeve, por numri i tyre gjithsesi ka vazhduar të rritet edhe pas vitit 1960 deri në vitin 1990. Mjafton të thuhet se niveli i lindjeve në vitin 1960 ishte 69686 foshnja, në vitin 1990 arriti në 82125 foshnja.

Ndërkohë në periudhën më pas vihet re rënia e koeficentit të vdekjeve dhe rritja e jetëgjatësisë, të cilat kanë për të ndikuar dhe në vitet në vijim, në vazhdimësinë e rritjes të qëndrueshme të popullsisë së moshës mbi 65 vjeç. Por ndërkohë niveli i shtesës nuk ka për të vazhduar me këtë intensitet. Këtu ka ndikimin e vet fakti se shtimi i lindjeve pas vitit 1960, ka qenë shumë më i ulët se sa në dekadën e viteve pesëdhjetë. Mjafton të mbahet parasysh se në vitin 1950, numri i lindjeve ka qenë 47291 foshnja. Rënia e përmasave të shtesës vjetore të lindjeve pas vitit 1960 do të reflektohet drejtpërdrejt në shtesën e së popullsisë së kësaj grupmoshe.

Po emigracioni si ka ndikuar?

Një faktor tjetër është faktori emigracion. Një pjesë e të moshuarve mbi 65 vjeç tani jetojnë në vendet ku kanë emigruar. Për rrjedhoje është e pritshme që dhe në vijim shtesa e popullsisë të grupmoshës mbi 65 vjeç të vijë edhe duke rënë. Por gjithsesi numri gjithsej i tyre do të vazhdojë të rritet sidomos në vitet e dekadës aktuale.

Le t’i hedhim një sy rritjes së peshës specifike të popullsisë së grupmoshës 65 vjeç e lart ndaj popullsisë gjithsej. Si e interpretoni ju?

Për këtë le të shohim të dhënat e prezantuara në grafikun nr. 2, ku paraqitet ecuria e popullsisë mbi 65 vjeç në raport me popullsisë gjithsej. Nga të dhënat dalin disa dukuri interesante. Ndonëse nga të dhënat absolute të regjistrimit të vitit 1989, popullsia mbi moshën 65 vjeç ishte rritur në terma absolute, ose është shtuar për 32.7 mijë banorë, në terma relative ndaj popullsisë gjithsej ajo ka mbetur thuajse konstante ose 5.3 % aq sa ishte sipas të dhënave relative të regjistrimit të vitit 1979.

Kjo ndoshta bënte që të mos dukej mos shfaqej drejtpërdrejt në sy të opinionin publik, shtimi i numrit të popullsisë së kësaj moshe dhe problematika dhe mprehtësia ekonomike fiskale që shoqëronte moshimi, plakja e popullsisë me shtimin e numrit të pensionistëve. Mjafton të kujtoj se numri i pensionistëve u rrit nga 55.5 mijë në vitin 1970, në 321 mijë në vitin 1990. Megjithatë këndohej kënga, “Në Shqipëri nuk ka pleqëri”. Niveli i pensioneve ishte sa 70 për qind e pagës ose e të ardhurave më të mira në tre vitet e fundit. Familja ndërkohë kishte një përkujdesje të qenësishme për të moshuarit.

Po pas viteve 90’ çfarë ndodhi?

Po ndryshe ndodh në vitet e ekonomisë së tregut. Në kushtet kur nga njëra anë shtohet në terma absolutë dukshëm numri i popullsisë së grupmoshës mbi 65 vjeç, ndërsa nga ana tjetër pakësohet popullsia gjithsej, kjo shoqërohet me një rritje të shpejtë të peshës specifike të popullsisë së grupmoshës mbi 65 vjeç, në 7.5 % me regjistrimin e vitit 2001, 11.3 % në atë të vitit 2011 dhe 19.7 për qind të Censit të vitit 2023. Ky tregues është më i madh se pesha specifike e popullsisë të grupmoshës 0-14 vjeç që sipas Censit 2023, përbënte vetëm 16 për qind të popullsisë gjithsej. Kjo do të thotë se moshimi i popullsisë në vendin tonë karakterizohet nga tipari i plakjes. Për këtë flet edhe fakti se mosha mesatare e popullsisë është rritur dukshëm në vitet e ekonomisë së tregut. Kjo duket qartë nga të dhënat e grafikut nr 3. Si mund të konstatohet lehtë nga kushdo, gjatë viteve të monizmit mosha mesatare e popullsisë ka variuar, nga 26.3 vjet në vitin 1950 duke u ulur në 24.5 vjet në vitin 1970 dhe 26.7 vjet në vitin 1989.

Cilat janë problematikat që ka sjellë plakja e popullsisë në vendin tonë?

Shqipëria ishte dhe mbeti në atë kohë vendi me popullsinë më të re në moshë në Europë. Por mosha mesatare e popullsisë është rritur dukshëm gjatë ekonomisë së tregut, duke mbërritur në 30.2 vjet në vitin 2001, në 35.2 vjet në vitin 2011 dhe në 42.5 vjeç në vitin 2023 sipas INSTAT. Pa u ndaluar në efektet e mëdha ekonomike, fiskale, shëndetësore, shoqërore që ka dukuria e plakjes së popullsisë, mendoj se ashtu si në gjithë vendet e Europës, ia vlen të hidhet dritë, mbi vetë strukturën e popullsisë mbi 65 vjeç. Kjo për faktin se përveç problematikave që ka në fushën e pensioneve- në atë fiskale dhe atë ekonomike, (që nuk janë objekt i drejtpërdrejtë i kësaj interviste) plakja e popullsisë po shoqërohet me probleme të mëdha shëndetësore dhe sociale.

Përveç rritjes së moshës së tretë, gjithnjë e më tepër po shfaqet dhe ka për tu shfaqur si element rritja e numrit të pleqërisë së thellë, pra asaj mbi moshën 85. Sidomos për këtë moshë por edhe me grupin paraardhës, del e mprehtë problematika e përkujdesjes për ta nga persona të tretë apo prej shërbimit mjekësor. Aq më tepër që sipas Censit është rritur dukshëm numri i familjeve vetëm me një person. Edhe sikur të kesh para, të kesh pension, madje shumë të mirë të tij, kjo nuk mjafton në kushtet e emigracionit masiv dhe kur mjaft persona të kësaj moshe, kanë mbetur vetëm. Si i tillë ky është dhe po bëhet një problem i madh shoqëror si për vetë individët e moshuar, familjen e tyre, por dhe mbarë shoqërinë.

Cilat janë masat që duhen marrë nga institucionet për këtë kategori?

Pa u ndalur në hollësi në shifrat, mund të konstatohet lehtë se krahas rritjes së shpejtë të çdo nëngrupi moshe, të popullsisë mbi 65 vjeç, të bie në sy se grupi i popullsisë së moshës 74-84 po rritet me ritme më të shpejta se sa ai i grupit 65-74 vjeç, duke kapur shumën e 142.6 mijë vetë. Ndërkohë akoma më e shpejtë është rritja e nëngrupit mbi 85 vjeç, e cila është rritur me ritme më të shpejta se sa nga dy nëngrupet paraardhëse ose me një rritje prej 240.9 % ndaj nivelit të të dhënave të Censit të vitit 2001, duke arritur shifrën e 36 mijë personave.

Kushdo mund ti hedhe një sy të dhënave të mësipërme në trajtë relative ndaj popullsisë gjithsej. Si del nga të dhënat e tabelës nr 3, popullsia me moshë mbi 85 vjeç përbën 1.5 % të popullsisë gjithsej, ata të nëngrupit 75-84 vjeç përbëjnë 5,9 % të popullsisë gjithsej dhe të dyja së bashku 7.4 % të popullsisë gjithsej. Shifrat nuk kanë gojë por flasin. Institucionet shëndetësore, por sidomos qeveria nuk mund t’i neglizhojnë ato, pa bërë fjalë për Ministrinë e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe mbarë shoqërinë përfshirë të gjithë ne.

Si përcaktohet niveli i kontributit të sigurimeve shoqërore?

Përcaktimi i nivelit të kontributit të sigurimeve shoqërore ka qenë dhe mbetet një problem kompleks që nuk ka rezultuar e thjeshtë, të harmonizohet e sotmja me të ardhmen, interesat afatshkurta me ato afatgjata. P.sh. në vitin 1985 sipas VKM 4.4.1985 “Ndërmarrjet, institucionet dhe organizatat shoqërore të derdhin në dobi të sigurimeve shoqërore shtetërore 15 për qind mbi fondin e pagave të punonjësve të tyre. Kooperativat bujqësore të derdhin në dobi të sigurimeve shoqërore shtetërore mbi të ardhurat që u ndahen anëtarëve kundrejt ditëve të punës ose mbi pagën e tyre si vijon: kooperativat bujqësore fushore 6 për qind, kooperativat bujqësore kodrinore 5 për qind dhe kooperativat bujqësore malore 3 për qind.

Por çfarë ka ndodhur me dividentit demografik më pas me kalimin në ekonominë e tregut në vendin tone?

Ndonëse niveli i përqindjes të kontributit të sigurimeve shoqërore përcaktohej/et juridikisht nga shtetiQeveria, në themel të tij dhe nivelit të pensioneve, qëndron rendimenti –produktiviteti i punës dhe raporti midis periudhës së punës gjatë së cilës janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, jetëgjatësisë dhe periudhës së pensionit. Praktika e atyre viteve dëshmon se përfitimet e qëndrueshme të dividentit demografik varen nga politikat e duhura që realizojnë qeveritë në të gjithat fushat, duke filluar nga ato në marrëdhëniet ndërkombëtare, në ekonomi, për të mundësuar rritjen e produktivitetit –rendimentit të punës krahas punëzënies, në ato fiskale e monetare, në arsim, shkencë e deri tek ato të strehimit, vetë monitorim – menaxhimin e treguesve demografikë apo dhe sigurimeve shoqërore.

Sipas regjistrimit të vitit 2001, niveli i popullsisë së grupmoshës për punë, ka mbetur shumë i lartë pavarësisht nga përmasat e mëdha që mori emigracioni masiv dhe gjatë dekadës së parë të ekonomisë së tregut ose 1939.1 mijë vetë, duke u pakësuar vetëm me 21.2 mijë  vetë, ose vetëm 1.1% më pak se niveli i saj në regjistrimin paraardhës. Kjo është produkt i drejtpërdrejt i asaj se dukuritë e sotme demografike janë në ndikimin e drejtpërdrejtë të viteve të mëparshme jo vetëm të dekadës së fundit por dhe dekadave më të hershme. Por ndërkohë u rrit pesha specifike e grupmoshës në moshë pune ndaj popullsinë gjithsej në 63.2%. Dividenti demografik vazhdoi dhe në dekadën tjetër.

A ka pasur ndonjë përfitim për pensionistët nga dividendi demografik?

Sipas regjistrimit të vitit 2011, popullsia e grupmoshës për punë rezultoi, 1904 mijë vetë ose -35.1 mijë vetë më pak se sa niveli i saj në regjistrimin paraardhës, por duke u rritur pesha specifike e saj ndaj popullsisë gjithsej në 68.0%. Por cili ka qene efekti i kësaj mundësie potenciale në sistemin e sigurimeve shoqërore? Për fat të keq nga ky dividend demografik nuk ka përfituar aspak sigurimet shoqërore dhe pensionistët për shkak të politikave të gabuara të ndjekura gjatë ekonomisë së tregut. Kjo për faktin se ekonomia e tregut në vendin tonë u karakterizua dhe karakterizohet nga një papunësi masive dhe një nivel shumë i ulët i punësimit e sidomos paguesve të kontribuesve të sigurimeve shoqërore- nivel i lartë i informalitetit, në raport popullsi në moshë pune dhe me numrin e pensionistëve që u rrit dukshëm sidomos gjatë dekadës së parë të ekonomisë së tregut jo për efekt të faktorëve demografikë. Por sidoqoftë rënia e ndjeshme e popullsisë në moshë pune është një problem i madh për një të ardhme afatmesme dhe afatgjatë për sistemin e sigurimeve shoqërore. Kjo nga ana e vet kërkon rishikimin e gjithë politikave ekonomike, fiskale, monetare, monitorimin dhe menaxhimin e dukurive demografike etj.. Rezultatet e Censit 2023 i bëjnë apel të drejtpërdrejtë Qeverisë, Institucioneve të tjera shtetërore dhe mbarë shoqërisë për reflektim ndryshim e politika të reja adekuate me kërkesat e kohës./Gazeta Panorama

Artikulli paraprakSHBA bllokon “puçin” Rama-Berisha kundër SPAK, monitorim të rreptë Komisionit Anti-Korrupsion nga përfaqësuesit e…
Artikulli tjetërFilloi halli më i madh i deputetëve