NGA FILIP GURAZIU
Studiuesi i mirënjohur i historisë së familjes së pashallarve Bushati të Shkodrës, historiani Stavri Naçi na ka ballafaque me material të bollshëm, mbi të cilin mundemi me nxjerrë konkluzione me vlerë, jo vetëm për familjen e individët që e përfaqësuen atë familje, por edhe për zhvillimet që përjetoi qyteti i Shkodrës në atë periudhë.
Përpara se të shprehim konsideratat mbi vlerën ose ma mirë me thanë mbi rolin që luejti familja e pashallarve Bushati të Shkodrës për zhvillimin e Shkodrës e të rrajonit si dhe për emancipimin e shoqnisë shkodrane gjatë sundimit të pashallekut me të njajtin ëmën, duhet të kthehemi me kujtesë në shekujt para ardhës të shekullit XVIII-të.
Simbas historianëve, shekujt XVI e XVII-të për Shkodrën dhe territorin rrethues, pasqyrojnë nji periudhë të “errët” në kuptimin e mungesës së zhvillimit të shoqnuem prej nji anarkie totale; mungesës së rendit publik, të stabilitetit ekonomik e të zhvillimit tregtar. Konfliktet luftarake të vazhdueshme ndërmjet dyerve feudale që kërkojshin me çdo kusht sundimin mbi të tjerët damtonte fuqishëm ekonominë parësore të kohës, tregtinë. Kjo pra, ishte gjendja para ardhjes në fuqi si sundimtar i Shkodrës të Mehmet Pashë Plakut në vjetin 1757. Dinastia e pashallarve Bushati përfundoi në vjetin 1831, kur Mustaf Reshit Pashë Bushati me urdhën të Sulltanit largohet përfundimisht prej Shkodrës. Gjatë 74 vjetëve sundim e qeverisje të pashallekut të Shkodrës, dinastia e Bushatllijve fuqizoi ekonominë dhe ndikoi pozitivisht për liberalizimin dhe emancipimin e marrëdhënieve shoqnore në Shkodër e rreth sajë.
Në çdo rast që kujtojmë, pse jo edhe me nji dozë krenarie të ligjshme, zhvillimin e qytetit të Shkodrës në historinë e vonë të sajë, gjatë periudhës së sundimit të Bushatllijve, pra gjatë fundit të shekullit XVIII-të dhe gjysmës së parë të shekullit XIX-të. Na vjen para syve fuqia e madhe ekonomike si dhe emancipimi i shoqnisë si rezultat i hapjes drejt ideve progresiste europiane të kohës, Nji fakt tjeter domethanës, që indirekt përforcon meriten e rolin e Bushatllijve në drejtim të zhvillimit 360° të Shkodrës mundet me qenë edhe dukunia e ramjes graduale ekonomike e qytetit, fillimi i së cilës konstatohet pikërisht mbas vjetit 1831, kohë në të cilën Bushatllijtë ishin largue prej drejtimit të pashallekut të Shkodrës.
Nuk mundemi me e gjetë te “rastësia” këtë “hop” zhvillimor që dallohet qartë, në Shkodër e për rreth, e që ndodhi pikërisht gjatë periudhës së qeverisjes së dinastisë së familjes Bushati. Përgjigjen duhet ta kërkojmë te vizioni përparimtar ( relativ për kohën) që manifestuen përfaqësuesit e kësaj familje, të cilët ishin jo vetëm të arsimuem, por edhe në kontakt, falë edhe pozicionit të veçantë gjeopolitik që gëzon Shkodra, me zhvillimet europiane të kohës. (S’duhet harrue se fuqizimi i pashallekut të Shkodrës, koinçidoi me periudhën e revolucionit borgjez në Francë, idetë e të cilit shkundën ” mykun” shekullor të sistemit feudal në tanë botën).
Ashtu si Zoti krijoi natyrën me ditë e natë (dritë e hije), po ashtu edhe krijesa e natyrës “sapiensi” mbart në vetëvehte, në veprimet e sjelljet e tij ” dritë e hije”. Si pasojë, kur jepen gjykime në histori për persona të veçantë, për dinasti sundimtarësh etj., natyrisht dëshmohen edhe sjelljet personale të tyre që jo gjithmonë janë të pëlqyeshme ( e kuptueshme se edhe ato janë njerëz si tanë të tjerët), por në fund gjykimi përfundimtar bazohet kryesisht te vlerësimi i ndikimit të tyre për zhvillimin e ekonomisë, rritjen e mirëqenies dhe emancipimin me moral pozitiv të shoqnisë.
E para asht fjala” na mëson Bibla, në kuptimin që “ideja”, pra botëkuptimi, formimi ideologjik që vjen prej ndërthurjes së edukimit me eksperiencën e skalitun në DNA e individit, ishte e mbetet primare në analizen e sjelljeve dhe veprave të “sapiensit”.
Simbas këtij kandvështrimi, fakti që rrajët e familjes Bushati ishin thellë në tokën e shqipeve, ndërgjegjësoi ndjeshmëninë e identitetit të tyne arbnor e mbi këtë bazë u konsolidue edhe formimi i tyre kulturor i plotësuem nëpërmjet edukimit arsimor që morën. Kujtojmë së biblioteka e parë që njihet në Shkodër ishte vepër e tyre.
Si të gjithë shqiptarët autokton që s’bashku me qumështin e nanës morën vetëdije edhe mbi luftën heroike për pavarësi të Gjergj Kastriotit Skënderbeut edhe përfaqësuesit e familjes së Bushatllijve nuk bajnë përjashtim prej këtij konteksti. Rrethet shoqnore shkodrane të periudhës së Karamahmutit dëshmojnë se ai kishte si ambicie me u konsiderue si mbasardhësi i Skenderbeut, opinion që bahet i besueshëm prej veprimtarisë së Kara Mahmutit, i cili me shtysen e austriakëve organizoi lidhjen anti turke të Podgoricës në vjetin 1786, por që nuk pati sukses. Ishte pra ky formim edeologjik që i mundësoi me konceptue e me vlerësue randësinë e bashkimit shpirtnor të arbnorëve; pamvarësisht prej bindjeve fetare jemi të tanë bijt e kësaj toke, jemi arbnor ! E filloi Mehmet Pashë Plaku dhe e vazhdoi i biri, Karamahmuti; mos diskriminimin e shqiptarëve katolike. ” Bashkimi shpirtnor sjell fuqi e mirëqenie”. Faktet që dëshmon historia gjatë qeverisjes së përfaqësuesve të familjes Bushati janë rrjedhim i bindjeve të tyne përparimtare.
– Dy herë, në vjetin 1787 dhe 1793, kur Porta e naltë tentoi ta eleminonte me fuqinë e armëve Karamahmut Pashën, i erdhën në ndihmë malësorët katolikë rreth Shkodrës dhe Karamahmuti doli fitimtar!
– Nuk duhet konsiderue rastësi që historia e mjeksisë shqiptare (Dr. Kerçiku) cilësoi italianin Dr. Emidio Tedeschinin si mjekun e parë me diplomë europiane që ushtroi aktivitetin e tij në Shkodër – Shqipni; Ishte vizionari Mehmet Pashë Plaku që e kishte ftue si mjek i oborrit të tij në vitet 50-të të shekullit XVIII-të. Në vjetët që pasuen familjarët e Dr.Emidio Tedeschini hapën për herë të parë edhe farmaci të stilit europian në Shkodër e Durrës
Nuk duhet me ia lanë rastësisë që në Shkodër gjatë asaj periudhe lulëzuen ekonomikisht familje tregtare katolike të fuqishme si Bjanku, Çoba, Suma, Muzhani etj. anijet e të cilëve, pronë e tyne, nëpërmjet lumit Buna ndërlidhshin Shkodrën me qytetet e zhvillueme të Adriatikut e s’bashku me mallnat, sillshin edhe ide të reja të cilat emancipuen shoqninë shkodrane; ishin shejat e para të frymës së liberalizmit e të mosdiskriminimit fetar, rrjedhim nji vizioni te ri përparimtar ( për kohën) i Bushatllijve që i mundësoi atyne ( tregtarëve) mbrojtje e kushte lehtësuese për zhvillimin e tregtisë. ( Kur nji tregtar katolik shkodran u përdhunue në Prizren, vetë Karamahmuti shkoi atje dhe dënoi përdhunuesit !)
Si mundemi me spjegue ndërhymjen e Ipeshkvit të Shkodrës te Papa në Romë në favor Karamahmut Pashës ( i cili në atë kohë ishte i dënuem me vdekje prej Divanit) për me i kërkue Sulltanit falje për Karamahmutin? Ka vetem nji spjegim; mirëkuptimi ndërfetar që falë Karamahmutit, në atë kohë, filloi me marrë jetë në Pashallekun e Shkodrës i dha mbështetje morale Ipeshkvit për ndërhymje te Papa…)
Kujtojmë se qendra e Pashallekut të Shkodrës, qyteti i Shkodrës në kohën e pashallarve Bushati numëronte mbi 40.000 banorë; zemra ekonomike e qytetit, pazari, kishte mbi 2500 dyqane e magazina; flota tregtare shkodrane e ulqinake me rreth 100 anije ndërlidhte tregtarët shkodranë me qytetet ma të zhvillueme të Mesdheut; karvanet tregtare me kuaj të ngarkuem, përshkojshin të qetë e të sigurtë rrugën prej Shkodrës drejt qendrave të Ballkanit, Prizren, Shkup e përtej në lindje; përfaqësuesit ( konsujt ) e shteteve ma të fuqishëm të Europës kishin seli në Shkodër etj., etj. etj.
Pa diskutim, ajo periudhë mbetet periudha ekonomike ma e lulëzueme që njeh Shkodra, meritë e vizionit përparimtar të përfaqësuesve të familjes së pashallarve Bushati. Ato mbërritën me qenë të suksesshëm e fitimtarë, sepse ushqyen dhe vepruen ( mbrenda mundësive që lejonte koha ) për bashkimin shpirtnor të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine.
” …Po sot Shqipni, më thuej si je, ashtu si lisi i rrëxuem përdhe…! ”
Shqiptarët sot janë ma të përçamë se kurrë…! ( Përçamje gjuhësore, fetare, ideologjike, partiake, gjeografike…, si rezultat i keqmenaxhimit diskriminues e jo demokratik ! )
” O pashallarë të shekulli XXI, merrni shembull prej Bushatllijve, vetem bashkimi shpirtnor i shqiptarëve sjell përparim në tokën e Shqipes.!”