Axhem IMERI
Ai gjeti rastin e foli prapë për pronat! Foli në Agjencinë e Trajtimit të Pronave; atje ku nuk guxon kush ta kundërshtojë se përndryshe ngelet pa bukë. Ai fajësoi sistemin gjyqësor për shkatërrimin e pronave gjatë 25 vjetëve, si dhe bëri fajtore Gjykatën Kushtetuese se i ndërhyri në dy pika të Ligjit nr. 133/2015 dhe sipas tij, kjo gjë dëmton interesat e pronarëve!
Dakord, zoti Kryeministër; gjyqësori ka dhënë jo pak vendime të padrejta, por vendimet e tij janë mbështetur mbi ligjet komuniste që paraardhësit e tu kanë miratuar gjatë 25 vjetëve! Pse nuk e thua edhe këtë që të bëhesh pak i besueshëm nga dëgjuesit!? Para gjyqësorit, fajtorja kryesore është politika, e cila akoma beson se mund të ndërtojë kapitalizmin dhe të hyjë në Europë duke ndërtuar dhe zbatuar ligje komuniste!
Shumë pak vjet më parë vazhdonin të ndaheshin akoma toka sipas Ligjit 7501 për qeveritarët e çdo niveli! Ti ke akoma afër vetes deputetë që kanë blerë kullota në Karaburun nisur nga dokumente falso që ndoshta i kanë stimuluar vetë.
Që të bëhesh i besueshëm në popull, para gjyqësorit, fajëso politikën. Është politika ekonomike 25-vjeçare shkaktarja që deri tani janë vrarë 8500 veta në konflikte pronash. Thuaje edhe këtë, por jo atje ku salla ka vetëm veshë e i mungon goja. Ti flet përherë atje ku të tjerët vetëm dëgjojnë; Ti vetëm tregon përralla kopshti! Asnjëherë nuk ke patur kurajon dhe burrërinë të përballesh me grupet e interesit, të dëgjosh zërin e tyre, të tërheqësh mendimet e tyre. Në këtë mënyrë nuk zgjidhen problemet, por mbyllen sipas dëshirës tënde. Ti do t’i kthesh njerëzit në fasada mediatike. Kjo nuk quhet zgjidhje, por mashtrim; dhe mashtrimet nuk shkojnë gjatë.
Ti zoti kryeministër ankohesh për Gjykatën Kushtetuese se rrëzoi dy pika të Ligjit 133 dhe u “dëmtuan pronarët”! Edhe ne pronarët ankohemi për Gjykatën Kushtetuese dhe biles do të ankohemi në rrugë ligjore sepse nuk e rrëzoi komplet ligjin tënd mashtrues! Pse të privilegjoi apo pse të trembet ty!? Pronarët e dinë mirë cili është interesi i tyre; nuk kanë nevojë të lotosh ti për ta.
Më datën 19 dhjetor, në gazetën “SOT”, autori Andrea Cupi diku shkruan “…. Shumica e njerëzve kanë diçka për të thënë dhe nuk mund ta thonë, ndërsa pakica që nuk ka asgjë për të thënë, nuk pushon së foluri….” .
Thënie më aktuale për rastin konkret vështirë se gjen.
Ne të dhamë votën ti na more edhe gojën, na more kurajon, pronat dhe lirinë! Ti që komandon paratë tona, pothuajse komandon edhe mediat. Në raste të tilla ne nga fshati ynë përdorim një shprehje: “Bëj moj breshkë bëj, se të ka ardhur koha”! Por shqiptarët po zgjohen nga gjumi dhe koha e tyre do të vijë!
Vetingu do të bëhet dhe drejtësia do të reformohet! Por unë dua t’ju pyes juve: Sistemi i reformuar i drejtësisë, a do të japë drejtësi apo vetëm drejtësi sipas ligjeve tuaja politike nr. 7501 dhe nr. 133/2015?! Në qoftë se kjo lloj drejtësie do të ishte drejtësi reale, pse Gjykata e Strasburgut e ka penalizuar vazhdimisht shtetin shqiptar?!
Zoti Rama! Është e domosdoshme të kuptosh sa më parë se në rendin kapitalist (ku ti pretendon të çosh shqiptarët) guri i themelit të atij rendi është prona private dhe mbrojtja e saj si e shenjtë. Mbi këtë bazë është ndërtuar shteti i së drejtës dhe gjithë legjislacioni përkatës. Politika shqiptare dhe veçanërisht ju me këmbënguljen tuaj, kërkoni të çoni në gara vrapimi një pacient, të cilit i keni lënë gërshërët në bark gjatë operacionit!!!
Është kjo arsyeja që qeveritë shqiptare kudo që të shkojnë, në çdo tavolinë që të ulen, do të gjejnë përpara ligjet që mbron ti, 7501 dhe 133. Janë efektet e këtyre dy ligjeve arsyeja pse ekonomia shqiptare nuk vihet dot në lëvizje. Janë këto të dy ligje që kanë ushqyer korrupsionin (qoftë edhe atë gjyqësor) deri tani dhe do të vazhdojnë ta ushqejnë edhe 25 vjet të tjera, duke vjedhur kullotat e pronarëve që ti i shtetëzove me Ligjin 133. Janë këto dy ligje që shpronësojnë pronarët, për pasojë, i bëjnë këta të painteresuar për vendlindjen dhe e kërkojnë jetën diku tjetër ku vlerësohet djersa e derdhur për pronat. Janë po këto dy ligje të padrejta, që i bëjnë edhe fshatarët përfitues, të mendojnë se qenka shumë e lehtë të bëhesh pronar, boll t’i japësh votat partisë dhe ajo të jep çertifikatën. Pastaj ai e shet shpejt (se mos ia marrin prapë), dikush garanton çertifikatën dhe ikën në Europë për më mirë, pa e punuar tokën fare se nuk i kërkon llogari askush (të rrojë partia).
Me dëshirën për të mbajtur pushtetin, shkon pas votës duke shkelur parimet bazë të shtetit të së drejtës. Në këtë mënyrë i edukon njerëzit keq, iu prish ndërgjegjen, ushqen padrejtësinë dhe për pasojë ushqen konfliktet, bën që njerëzit t’i largohen atdheut në kërkim të bukës e të sigurisë për jetën.
Me këtë politikë ekonomike, zoti Rama, as nuk zgjidh, as nuk mbyll problemin e pronave, veç kontribuon në shkatërrimin e këtij kombi njëlloj sikur të ishe armik i popullit shqiptar. Në kohën e Enverit, akuza ndaj Lipe Nashit, për sabotim në naftë ishte shumë herë më e vogël dëmprurëse se akuzat ndaj qeverive të sotme shqiptare, të cilat po shkatërrojnë kombin.
Armiku i vërtetë i shqiptarëve sot është politika dhe udhëheqësit e saj ku ti ke një kontribut goxha të madh.
Dua t’i referohem përsëri zotit Andrea Cupi, i cili shprehet: “….Në një shoqëri, nuk mund të ketë të keqe më të madhe se sa shndërrimi i ligjit në instrument grabitjeje (vjedhje me ligj)”.
Ndaj, së pari, të keqen kërkoje tek ligji dhe më pas tek gjyqtarët. Lëri presionet ndaj Gjykatës Kushtetuese se nuk të beson kush se po mbron pronarët.
Populli ka një shprehje: qan ai që ka marrë plumbin, ulërin ai që ka marrë gjëmbin. Të paktën mos u bëj qesharak. Mbrojtësit e këtij ligji, në cilëndo karrige që janë ulur, janë armiq të popullit të tyre sepse nga ai ligj nuk do të gjejnë fund vrasjet në Shqipëri, ndoshta deri në 28 000 veta si dikur.
Jashtë gjithë shpresave dhe parashikimeve, qeveria juaj u konsumua para kohe duke sjellë shumë padrejtësi. Ju nuk keni vizion për të drejtuar në kohën e sotme. Një shprehje tjetër e goditur e zotit Andrea Cupi thotë “Nuk ka të keqe më të madhe se injoranca në pushtet”.
Mundohuni të merrni sa të mundeni nga këto që dëgjoni sepse mund t’ju vlejnë kur të rriteni, ndoshta mund të mësoni të dëgjoni edhe alternativat, të cilat janë motori i zhvillimit të një kombi. Pronarët i kanë zgjidhjet e veta (të cilat ju nuk doni t’i dëgjoni) kanë kuptuar edhe se kush ua do të mirën, ndaj mos harxhoni lotët për neve.