Nga Namir Lapardhaja
Në Berat u inaugurua gjimnazi “Babë Dudë Karbunara”. Ky është një lajm i mirë për qytetin, për nxënësit dhe për mësuesit. Pavarësisht se investimi do duhej të ishte bërë shumë kohë më parë, gjithmonë është më mirë vonë se sa kurrë.
Pavarësisht kësaj, ajo që të bie menjëherë në sy, është disharmonia që ka godina e re me ndërtesat rrotull, volumi i madh i betonit, godina i përngjan një përbindëshi gjigant që nuk ka kurrfarë harmonie dhe lidhshmërie me ansamblin përreth. Është e pakuptimtë dhe aspak e nevojshme një godinë e përmasave të tilla në një zonë, dikur të mbrojtur, tek e cila çdo ndërtim do duhej në harmoni me ndërtimet e tjera. Sigurisht, që kjo ndërtesë nuk është e para në atë zonë që e ka prishur harmoninë ndërtimore, mirëpo, e ideuar dhe projektuar nga institucionet shtetërore, kjo e bën të mos ketë kurrfarë justifikimi.
Ky volum i madh betoni dhe ndërtimi, që nuk lejon kurrfarë frymëmarrjeje dhe nuk ka parashikuar asnjë hapësirë të gjelbër (në një kohë kur të gjitha ndërtimet e tilla, i parashikojnë edhe hapësirat e gjelbërta dhe të hapura në natyrë) është i pajustifikueshëm në një kohë kur numri i nxënësve sa vjen e zvogëlohet, kur mësuesit e kësaj shkolle nuk përmbushen me orë mësimi, sepse nuk kanë numrin e duhur të nxënëse dhe u duhet të shkojnë e të plotësohen në shkollat e tjera. Në këto kushte, është e pakuptimtë, që një volum i përmasave të tilla, t’i tejkalojë nevojat reale që ka shkolla, duke krijuar më shumë se 7-8 ambiente jo funksionale dhe të panevojshme.
Kjo prirje për beton dhe volum që i tejkalon nevojat, është jo vetëm abuzive, por një shteg i hapur për shkelje të karakterit ekonomik.
Detyrë e pushtetit lokal dhe e qeverisjes qëndrore nuk është vetëm investimi në beton dhe tulla, por edhe krijimi i kushteve të domosdoshme dhe të nevojave jetike të banorëve të kësaj zone në mënyrë që njerëzit të mos largohen nga qyteti dhe pastaj klasat të ngelen bosh, ndërsa mësuesit të plotësohen me orë në shkollat e tjera, sepse një politikë e mirë jo vetëm që investon, por edhe krijon kushte të mira jetese për njerëzit.
Është për të ardhur keq se si disa prej mësuesve më të mirë të kësaj shkolle, të cilët ndofta janë ndër mësuesit më të mirë të Republikës, u duhet të plotësohen me orë në shkollat 9-vjeçare të qytetit.
Kjo është drama për të cilën nuk flet askush!