Dosja e Balilit, skaf me 679 kg drogë kur ishte drejtor

Prokuroria për Krime të Rënda zbardh detaje të dosjes së Klement Balilit, të shpallur në kërkim që në maj nga autoritetet greke si një nga financuesit dhe organizatorët e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Evropës Qendrore. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë, në shkurt të këtij viti, autoritetet greke kanë arritur të identifikojnë dy numrat e telefonit, një grek dhe shqiptar që rezultuan se përdoreshin nga shtetasi Klement Balili i njohur në biseda telefonike si “Keli”. Në atë kohë, Balili mbante detyrën e drejtorit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë. Në dosjen që “ABC News” ka siguruar një kopje, thuhet se Balili në bashkëpunim me disa biznesmenë grekë, bullgarë dhe shqiptarë me qëndrim në Belgjikë, janë pjesë e një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe kanabis sativa.
Për rrjetin në fjalë, thuhet në dosje, autoritetet greke janë njoftuar nga selia e DEA-s amerikane në Athinë. Në materialet që Prokuroria ka përdorur për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Balilin, thuhet se rrjeti kriminal përdorte për transportin e drograve kamionë që janë të regjistruar në vende të ndryshme të Europës, në pronësi të kompanive që zotërohen nga shtetas grekë dhe përdorin si përfaqësues të këtyre firmave njerëz të ndryshëm. Ky rrjet, thuhet në dosje, funksionon prej vitesh, por vetëm në fund të prillit autoritetet ligjzbatuese kanë rënë në gjurmët e tyre. Kjo pasi është transkiptuar një bisedë telefonike mes Balilit dhe një biznesmeni grek, që kishte kompani transporti, me degë të saj në Bullgari, Austri dhe Belgjikë. Shtetasi grek, tashmë i arrestuar është Georgios Alifantis dhe bënte transportin e drogave nga Greqia drejt Evropës Qendrore, pasi ato silleshin në Greqi nga njerëzit që komandoheshin nga Klement Balili, qoftë në rrugë detare me skaf apo me mjete të tjera toksore.
Në fund të prillit, Balili ngarkon skafin me emrin “Vasiliki” me rreth 679 kg hashash dhe ia beson mallin dy skafistëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët i nis drejt ishullit të pabanuar Zakinthos të Greqisë. Për nisjen e skafit nga brigjet e Sarandës, rrugën që do ndiqte mjeti lundrues dhe vendin e zbarkimit, Prokuroria ka siguruar bisedat e Klement Balilit që orientonte dy skafistët dhe njoftonte për veprimet e tyre edhe shtetasin grek, Georgios Alifantis. Ky i fundit, me shoferët e tij, e priste drogën në Greqi. Me të mbërritur skafi në Greqi, malli ngarkohet në vende të ndryshme të kamionëve të modifikuar për fshehjen e drogës dhe bëhej gati për nisje drejt Bullgarisë, Austrisë e Belgjikes. Por, për shkak se po ndiqeshin nga autoritet greke, mbrëmjen e 8 majit, skafistët shqiptarë u arrestuan bashkë me biznesmenin grek dhe shoferët e bashkëpunëtorët e tij në Greqi, ku u bllokua edhe droga. Për këtë rast dhe një tjetër, që ka dështuar në Bullgari, rrjeti kriminal i drejtuar nga Klement Balili akuzohen për trafik droge në kuadër të organizatës kriminale.

Pse nuk arrestohet Balili?

Urdhër arresti për Klement Balilin ka ardhur që më datën 17 maj, por ai nuk u arrestua nga policia, dhe vazhdon ende të jetë i lirë. Policia jo vetëm që nuk e arrestoi, ndonëse “Eskobari i Ballkanit” shfaqej publikisht në lokale e dasma, madje bënte xhiro me jaht në shoqërinë e efektivëve të policisë në Sarandë, por Ministria e Tahirit e mori në mbrojtje Balilin, duke përgënjeshtruar lajmet e mediave se, ai ishte kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Në fillim të majit, Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kreu një operacion masiv, duke konfiskuar rreth 1 ton marijuanë të trafikuar nga banda e Balilit, ndërsa Rama dhe Tahiri e morën në mbrojtje Balilin.
Balili ishte arrestuar për trafik droge në kohën e qeverisë demokratike, ndërsa shefi i Tahirit, Rama e emëroi drejtor të Transportit Rrugor në Sarandë, për ta patur më të lehtë trafikun e drogës në vendet e Bashkimit Europian. Autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje vetëm pas reagimit të ambasadorit amerikan për dështimin e policisë dhe drejtësisë në arrestimin e Klement Balilit. Por policia nuk ka vënë në dispozicion asnjë shpërblim për kapjen e Balilit, çka tregon se qeveria nuk është e interesuar të verë në pranga “Eskobarin e Ballkanit”.

R.POLISI

Artikulli paraprakBashkia Kamëz ndihmë për jetimët, vlerëson nxënësit dhe mësuesit
Artikulli tjetër30 vjet më koncesion monitorimi i lojrave të fatit