Trefishohet paga e Strakoshës

2017-ta pritet të nisë me një kontratë të re të Thomas Strakoshës me Lazion. Mediat italiane këmbëngulin se 21-vjeçari i kombëtares shqiptare i ka bindur të gjithë në shtëpinë bardhekaltër me paraqitjet e tij, ndaj do t’i propozohet një marrëveshje e re me përmirësim të ndjeshëm të pagës. Më saktë bëhet fjalë për trefishim të shumës që përfiton aktualisht te skuadra kryeqytetase.
Deri në muajin qershor Strakosha sipas raportimeve që vijnë nga përtej Adriatikut duhet të përfitojë 96 mijë euro, por me marrëveshjen e re kjo shifër duhet të shumëzohet me tre. Nuk do të ketë asnjë pengesë për hedhjen e të zezës mbi të bardhë, sepse Lazio dëshiron ta mbajë portierin shqiptar, sikurse vetë lojtari e ka shprehur hapur dëshirën për të luftuar për vendin e titullarit te bardhekaltrit.
Strakosha konsiderohet si zgjedhje e dytë pas Marcchetit, por në fakt me formën që ka treguar në ndeshjet ku është aktivizuar e ka kaluar rivalin e tij 33-vjeçar në plan të dytë. Gjatë këtij sezoni është aktivizuar në 6 ndeshje të Serisë A, duke pësuar në total 4 gola, 2 në humbjen me Milanin, që shënonte debutimin e tij me Lazio, si dhe në fitoret 3-1 me Genoan dhe 1-2 në fushën e Sampdorias. Statistikat janë në favor të shqiptarit. Me Strakoshën në fushë Lazio ka grumbulluar 15 pikë nga 18 të mundshme.

Artikulli paraprakAmbulancat dhe mbetjet spitalore dy koncesionet e reja
Artikulli tjetërMançini mohon kontaktet me PSG