Është ai zbulimi më i bukur i Milanit në këtë sezon. Quhet Jesus Joaquin Fernandez Saenz de la Torre, është 23 vjeç, ka lindur në Cadiz të Spanjës dhe njihet nga të gjithë si Suso ose si njeriu që me paraqitjet e tij fantastike po udhëheq skuadrën e Vincenzo Montellës drejt një sezoni pozitiv. Huazimi te Genoa në fazën e dytë të sezonit të kaluar e ndihmoi të shpërthente përfundimisht në futbollin italian dhe tashmë Suso është kthyer në lojtarin simbol të këtij Milani. Realizoi një dygolësh në derbin ndaj Interit, ndërsa ishte gjithashtu përcaktues në Superkupën e Italisë ndaj Juventusit. Ish-lojtari i Liverpoolit zotëron cilësi teknike të jashtëzakonshme dhe klasin e tij 23-vjeçari iberik e tregoi edhe në ndeshjen e zhvilluar në Doha ndaj bardhezinjve të Massimiliano Allegrit, duke qenë gjithmonë një rrezik konstant për mbrojtjen e kampionëve të Italisë.
Në trofeun e fituar nga kuqezinjtë në Katar një meritë të jashtëzakonshme e ka pikërisht Suso që bëri gjithçka mirë për të ndihmuar skuadrën e tij të triumfonte. Me 5 gola të realizuar në këtë sezon të Serisë A dhe lojërat fantastike që ka zhvilluar, Suso ka fituar zemrat e tifozëve e Milanit dhe për ta shpërblyer drejtuesit kanë gati një kontratë të re për 23-vjeçarin në mënyrë që të shmangin interesimin e klubeve të tjera. Dëshira e Suso-së është të qëndrojë gjatë te Milani dhe marrëveshja është arritur në kohë rekord. Lojtari do të firmosë një kontratë të re deri në vitin 2021 nga e cila do të përfitojë një pagë vjetore që kap shifrën e 2 milionë eurove plus bonuset. Pritet vetëm zyrtarizimi, por edhe ai do të vijë shumë shpejt. Milani i të rinjve do të riniset pikërisht nga Suso.
Triumfi i Milanit në Superkupë kundër Juventusit ka përhapur një valë elozhesh për skuadrën e Vincenzo Montellës. Pas Zlatan Ibrahimoviçit, dje ishte radha e një tjetër lojtari legjendar, Xhenaro Gatuzos, i cili gjatë një interviste për mediat italiane u shpreh:
“Pas një seri të gjatë suksesesh në 30 vite, u lumturova shumë kur shikoja Galianin se si festonte për kupën e radhës të fituar nga Milani. Sipas këndvështrimin tim, merita më e madhe për këtë fitore i shkon Montellës, që i dha guxim dhe bëri që skuadra të prodhojë një futboll shumë të bukur. Vincenzo është një trajner i mirë, teksa ka atë mentalitetin spanjoll që e bën Milanin skuadrën që prodhon futbollin më të bukur në Itali”.
Në fund të fjalës së tij, Gatuzo tha: “Sivjet Milani më pëlqen shumë, pasi ka një organikë lojtarësh të rinj në moshë dhe që janë shumë të lidhur me fanellën. Mendoj se ky grup mund të rritet shumë dhe mund të konkurrojë për një trofe të rëndësishëm. Uroj që sivjet skuadra të renditet mes tri të parave të kampionatit”.