Të enjten mocioni për Xhaçkën, PS-PD me dy raporte në seancë! BIRN: Maxhoranca lë në ‘mister’ votën për dërgimin e mandatit në Kushtetuese

Raporti i mazhorancës i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese si “detyrues”, por nuk shoqërohet me sugjerimin për deputetët që të votojnë pro dërgimit të mocionit për mandatin e Olta Xhaçkës në gjykatë.

Kuvendi ka përfshirë në seancën plenare të së enjtes votimin e projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka“, i shoqëruar me dy raporte të ndryshme të shumicës dhe pakicës parlamentare në Këshillin e Legjislacionit.

Sipas dokumenteve të publikuar të mërkurën në faqen e Kuvendit, socialistët në pushtet i referohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese si ‘detyrues’, por nuk i sugjerojnë Kryetares së Kuvendit që t’u bëjë të ditur deputetëve detyrimin për të votuar pro.

“Është seanca plenare si organi vendimarrës i Kuvendit, që duhet të vendosë dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, referuar nenit 70, pika 4 të Kushtetutës dhe urdhërimeve të Gjykatës Kushtetuese në dispozitivin dhe arsyetimin e vendimit të saj nr.55, datë 10.07.2024,” thuhet në rekomandimin e anëtarëve socialiste të këtij këshilli.

Ndërsa opozita në raportin e saj thekson faktin që deputetët janë të detyruar të ekzekutojnë vendimin e gjykatës, duke votuar për dërgimin e këtij mocioni në këtë gjykatë.

Anëtarët e PD-së në Këshillin e Legjislacionit i rekomandojnë Kryetares së Kuvendit që “të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin PRO…”.

Ky votim do të jetë i treti për këtë çështje dhe i dyti që vjen si detyrim i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Pasi votoi kundër dërgimit të mocionit në nëntor 2023, mazhoranca socialiste rrëzoi në prill një vendim të gjykatës që i kërkonte Kuvendit të dërgonte mocionin për interpretim pranë saj, duke u justifikuar se deputetët ishin të lirë të votonin sipas dëshirës.

Si pasojë gjykata vendosi në qershor që të “urdhërojë” dhe “detyrojë” Kuvendin që të votojë pro dërgimit të mocionit pranë kësaj gjykate, vendim i cili sërish u vu në pikpyetje nga drejtuesit politikë të mazhorancës.

Disa javë më parë ish-kryetari i grupit socialist Bledi Çuçi lajmëroi publikisht se vendimi do të “ankimohej” në Komisionin e Venecias duke e cilësuar urdhërimin e Kuvendit nga gjykata si anti-kushtetues. Sipas tij, deputetët votonin si të donin pasi ishin të pavarur.

Ndërsa pasardhësi i tij në krye të grupit, Niko Peleshi, tha të martën se nuk kishte një vendim politik se si do të votohej në seancë plenare për mocionin ndaj koleges së tyre duke lënë të paqartë nëse do të zbatohej vendimi i gjykatës.

“Vendimi i Kushtetueses është bërë i njohur dhe do të lexohet personalisht nga çdo deputet dhe jo nga Partia Socialiste,”tha Peleshi.

Peleshi njoftoi gjithashtu se PS nuk kishte hequr dorë nga ankimimi në Komisionin e Venecias për një interpretim, siç tha ai, “jo për këtë çështje, por duke u nisur nga kjo çështje, në parim për çdo situatë që mund të paraqitet në të ardhmen”.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese kritikohet ashpër shumica parlamentare për shkelje kushtetuese me pasoja të rënda, referuar qëndrimit të prillit.

Sipas Kushtetueses, Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e gjykatës në shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe se kjo shkelje e Kushtetutës kishte prodhuar një krizë të re, që veç të tjerash cenon vetë themelet e shtetit./BIRN

Artikulli paraprakAfera ‘Partizani’/ SPAK merr zyrtarisht të pandehur Sali Berishën dhe dhëndrin e tij! Akuzohen me 500 faqe për korrupsion në bashkëpunim!
Artikulli tjetërPengesa e projektit amerikan