Merkel: Të vazhdojnë hetimet e sulmit në Berlin

Diskutimet në Gjermani vazhdojnë edhe pas vrasjes së të dyshuarit kryesor për sulmet në Berlin, Anis Amri në Milano të Italisë. Kancelarja do që dëbimet të intensifikohen.
Në Berlin dhe në gjithë Evropën ndjehet një lehtësim i madh pas vrasjes së të dyshuarit kryesor për sulmin në Berlin, Anis Amri nga Tunizia. Kancelarja Angela Merkel u shpreh e lumtur për faktin që nga ky “atentator nuk vjen më asnjë rrezik”. Ndërsa ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere falënderoi policinë italiane “për punën e mrekullueshme” dhe “trimëri të veçantë”. Por rreziku nga terrorizmi në Gjermani nuk është zvogëluar.

Falënderime për Italinë
Edhe kancelarja gjermane Merkel i falënderoi autoritetet italiane për “bashkëpunimin e ngushtë” në këtë rast. Njëkohësisht kërkoi dëbimin më të shpejtë nga Gjermania të personave nga Tunizia, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil. Kancelarja e ka bërë këtë të qartë edhe gjatë një telefonate me presidentin e Tunizisë, Beji Caid Essebsi. Amri është dashur të dëbohet nga Gjermania dhe Italia, por Tunizia ka refuzuar deri të mërkurën e kaluar që ta pranojë atë. 24-vjeçari i vrarë në Milano nuk ka pasur asnjë dokument me të cilin mund të dëshmohej se ai vjen nga Tunizia.

Ndryshimet e domosdoshme
Kancelarja Merkel ka paralajmëruar ndryshime të rëndësishme në politikën e sigurisë. Ajo e ka lutur ministrin e Brendshëm, De Maiziere dhe atë të Drejtësisë Heiko Maas që në bashkëpunim me zyrën e Kancelarisë të analizojnë të gjitha aspektet e rastit Amri. “Ne do të shikojmë të gjitha masat që duhet ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe ndryshimin e ligjeve, atje ku është e domosdoshme”, tha Kancelarja. Ndërsa De Maiziere pohon se ka ardhur koha që “të flitet për pasojat dhe të ndërmerren masa konkrete”. Dhe kjo do të ndodhë “shumë shpejt”. Ministri tha se ai ka kërkuar së fundi që personat rrezikues (persona rrezikues quhen ata, të cilët mund të kryejnë edhe vepra terroriste. Të tillë në Gjermani ka aktualisht 549) të mund të dëbohen më lehtë nga Gjermania. Gjithashtu duhet ndërmarrë edhe masa më të rrepta ndaj personave, të cilëve u është refuzuar azili.

Nuk duhet të ngutemi me përfundime
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Maas konfirmoi se këshillimet do të mbahen shumë shpejt në janar të vitit të ardhshëm. Në veçanti duhet të bëhet fjalë për mundësinë e dëbimit më të shpejtë të personave rrezikues dhe për mbikëqyrjen më të mirë të tyre. “Siguria dhe liria duhet të mbrohen me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion”, tha Maas.
Politikani i SPD paralajmëroi që të mos nxirren përfundime të përshpejtuara. “Përfundime dhe masa konkrete mund të merren vetëm pas sqarimit të të gjitha detajeve të këtij sulmi të tmerrshëm”, tha ai. Së pari, duhet të shpjegohet i gjithë sfondi i sulmit dhe vdekja e Anis Amrit. Hetimet do të vazhdojnë me një intensitet shumë të lartë, tha ministri i Brendshëm.

Gjermani, e drejta e azilit pas atentatit

Kurrë më parë ligjet e sigurisë dhe të azilit nuk kanë qenë kaq të ashpra sa tani. Po a është kjo zgjidhja për rrezikun terrorist? As vetë partitë konservatore unioniste nuk kundërshtojnë kur u thua që ligjet e sigurisë dhe të azilit janë ashpërsuar. Kancelarja Angela Merkel konfirmon: “Mund të them se në dy vitet e fundit kemi ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme për t’u përballur më mirë me rrezikun terrorist”.
Megjithatë, ka politikanë unionistë që nuk janë të qetë. Ata kërkojnë një ashpërsim të mëtejshëm të ligjeve dhe para së gjithash të tonit.
“Duhet të ashpërsojmë tonin përballë partnerëve tanë të koalicionit, të cilët kanë bllokuar një sërë projektligjesh, të cilat i ka hartuar ministri Federal i Brendshëm, De Maiziere dhe që janë të gatshme në tryezë”, thotë deputeti i Bundestagut, Armin Schuster (CDU).
Konkretisht bëhet fjalë për dëbimet. Partitë unioniste duan ta zgjasin arrestin në pritje të dëbimit. Para së gjithash partitë unioniste kërkojnë që në arrestin për t’u dëbuar të sillen edhe të ashtuquajturit “rrezikues”. Por juristët thonë se pengesat juridike për këtë janë shumë të larta.
Avokati Thomas Oberhauser kujton se kërkesat në fuqi janë në përputhje me Kushtetutën e Gjermanisë. “Dikë që ka mendime të gabuara nuk mund ta shohësh pa e zgjatur si ‘rrezikues’. Por ne duhet të vëmë fakte në tryezë, të cilat edhe ta dëshmojnë që dikush është ‘rrezikues’”.
Ngjashëm e sheh këtë edhe SPD, e cila përndryshe nuk pranon t’i thuash se e tepron me zemërbutësi për këtë temë. Eva Högl, deputete e SPD-së thotë se partia e saj “është absolutisht e mendimit, se të gjithë personat që nuk marrin mbrojtje në Gjermani duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Të kthehen ose vullnetarisht ose duhet të dëbohen. Atje ne duhet t’i intensifikojmë përpjekjet tona”.
Kthimet në vendet e origjinës, ky është megjithatë problemi kryesor. Në fillim të vitit 2016, ministri Federal i Brendshëm, De Maiziere shkoi në Tunizi dhe kur u kthye kishte në bagazh dhurata për policinë. Megjithatë, marrëveshja e riatdhesimit me Tunizinë lë për të dëshiruar, siç e tregon edhe rasti aktual i Amrit.
Kryetari i Shoqatës gjermane të Gjykatësve, Jens Gnisa thotë se përveç Tunizisë, duhet përmendur edhe Maroku. “Për mua është skandal, që këto shtete refuzojnë dhe kundërshtojnë që t’i pranojnë shtetasit e tyre sërish në territorin e tyre shtetëror”.
Presioni po shtohet. De Maiziere tani do që t’i shpallë Tunizinë, Marokun dhe Algjerinë si shtete të sigurta të origjinës. Por këtë e bllokojnë Të Gjelbrit.
“Kur tani dëgjon të vijnë thirrje për të ashtuquajturat shtete të sigurta të origjinës, për ashpërsim në dëbime, kjo shpesh nuk ka të bëjë fare me faktin, nëse me këtë mund të pengohen atentate të rënda”, thotë Simone Peter, kryetare federale e Aleancës B90/Të Gjelbrit.
Megjithatë, tani në Berlin qarkullojnë shumë propozime dhe nuk mund të presësh ndryshe. Në janar, CSU do t’u mëshojë edhe një herë propozimeve të saj.

Artikulli paraprakKryeministri izraelit kritikon rëndë presidentin Obama
Artikulli tjetërStrategjia e Trumpit ndaj Kinës