Qëndresa ndaj kapjes së drejtësisë: Si distancimi i ekspertëve zbuloi qëllimin e Komisionit Xhafaj-Rama

Nga Desada Metaj

Edi Rama, në të gjitha daljet e tij publike të kohëve të fundit, nuk lë rast pa mbështetur fort komisionin parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj. I konsideruar nga kryeministri si komisioni “antikorrupsion” dhe nga disa vëzhgues si “anti-SPAK”, ky komision ka punuar në heshtje gjatë muajit gusht, pikërisht në ditët kur në zyrat e Kuvendit gjenden vetëm rojet e godinës.

Edhe reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për angazhimin në komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit, kryeministri e “paketoi” si mbështetje për iniciativën e tij. Megjithatë, SHBA si mbështetësit e reformës në drejtësi qartazi theksuan se “presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë.”

Politikisht, deri më sot, komisioni Xhafaj nuk është gjithëpërfshirës. Asnjë deputet i opozitës, pavarësisht thirrjeve të Elisa Spiropalit edhe në konferencën e fundit të kryetarëve, nuk ka pranuar të jetë pjesë e tij. Një pjesë e mirë e deputetëve të PD, nën ndikimin e kryetarit Berisha dhe për shkak të problemeve të tij me Prokurorinë e Posaçme, nuk duan SPAK-un të fortë dhe në pozitat aktuale. Por në të njëjtën kohë, me gjithë tundimin, kaq pranë zgjedhjeve ata hezitojnë të përfshihen në një tjetër bashkëpunim me Ramën, duke u distancuar nga “njolla” e amnistisë dhe listave të mbyllura. Në këto kushte, me gjasë Berisha do të propozojë ngritjen e një komisioni paralel me atë të Xhafajt, çka do shtojë amullinë dhe presionin ndaj institucioneve të drejtësisë.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e institucioneve shtetërore që duhet të dërgojnë përfaqësues të tyre në këtë komision kanë dorëzuar listat e ekspertëve. Këta ekspertë, teorikisht, do të jenë ndihmës të Fatmir Xhafajt për të evidentuar momentet dhe pikat ku çalon puna e institucioneve të drejtësisë (lexo SPAK).

Në listën e publikuar, me një vëzhgim sipërfaqësor bie në sy përfaqësuesi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bledar Mustafaraj, eksperti që KLSH ka zgjedhur të dërgojë në komisionin Xhafaj. Mustafaraj është një ish-prokuror i larguar gjatë procesit të vetingut. Se si mundet një ish-prokuror të analizojë dhe të marrë pjesë në një proces për riformimin e drejtësisë që e ka përjashtuar nga radhët e saj, kjo mbetet ende e paqartë. Po ashtu, në listën e ekspertëve nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, spikat emri i ish-hetueses Violanda Theodhorit, e cila njëkohësisht është dhe kandidate e përzgjedhur nga shoqëria civile për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Zonja Theodhori, në fakt, një ish-prokurore e regjimit komunist dhe pranë moshës së pensionit, të “habit” me aftësinë për të kaluar të gjitha pengesat ligjore dhe për t’u emëruar si kandidate e KLGJ dhe tashmë si eksperte pranë komisionit Xhafaj.

Nëse lista e ekspertëve mund të jetë e diskutueshme, nuk ka më asnjë diskutim për faktin se SPAK nuk do të dërgojë asnjë ekspert në këtë komision. Pas një mbledhjeje të prokurorëve, SPAK ka vendosur që nuk ka arsye për të dërguar ekspertë, pasi të gjitha problemet ligjore në lidhje me rritjen e efikasitetit të SPAK janë bërë publike në raportin vjetor.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme gjithashtu deri më sot nuk kanë dërguar ende ekspertët e kërkuar nga Fatmir Xhafaj për t’u atashuar si ekspertë pranë komisionit të reformës mbi reformën në drejtësi.

Nëse ekspertët e SPAK, KLGJ, PP dhe ILD do të merrnin pjesë, Xhafaj dhe Rama do të kamuflonin qëllimet e tyre diabolike për të goditur drejtësinë, duke e prezantuar atë si një “pjesëmarrje konsultative të vetë ekspertëve të tyre”. Për këtë arsye, qëndrimi i Altin Dumanit në komisionin e ligjeve se “nuk ka nevojë për ndryshime të ligjeve të drejtësisë”, përveç asaj që është shkruar në raportin vjetor, përfaqëson distancën më të mirë higjienike që drejtësia e re duhet të mbajë nga politika.

Kjo mospjesëmarrje qartazi ka lënë pezull mbledhjet e këtij komisioni, që megjithë hovin e madh të gushtit, shtatori e ka gjetur në procesin e “lypjes” të ekspertëve të munguar apo të deputetëve nga opozita parlamentare. Qartazi, kushti i ndërkombëtarëve për “gjithëpërfshirje” është bërë një pengesë e pakapërcyeshme në nismën e Edi Ramës për të vendosur nën kontroll edhe ato pak institucione, drejtuesit e të cilëve nuk vendosen në zyrat e kryeministrisë.

Rikthimi dhe promovimi i Fatmir Xhafajt si kryetar i një komisioni me shumë emërtime, por me një qëllim — kontrollin e shtuar mbi drejtësinë — është një plan i ri, por me qëllime të vjetra. Edhe zgjatja e mandatit komisionit Xhafaj dhe synimet për kapjen e çdo segmenti të drejtësisë nuk janë fenomene të reja në politikën shqiptare. Megjithatë, vendosmëria e atyre që e incuan, bekuan dhe vazhdojnë të mbështesin rezultatet e reformës, kryesisht të SPAK mbetet garancia e vetme që çfarë është arritur (edhe pse jo sa pritej) nuk do t’i jepet më koncesion mazhorancës.

Artikulli paraprakAksi Thumanë-Kashar, Andia Ulliri: Fituan banorët, të bëhen publike zgjidhjet
Artikulli tjetërDy sjelljet e ndryshme të opozitës dhe mazhorancës ndaj SPAK