“Tirana nuk mund të anashkalojë Prishtinën”, Basha: Rama ka flijuar interesin Kombëtar dhe interesin e Kosovës për shkak të protagonizmit të vet

“Një nga gjërat e pakta me të cilat mund të krenohej politika në Shqipëri, ishte që kur vinte puna te Kosova, nuk kishte ndasi mes palëve. Për fat të keq edhe kjo është rrëzuar gjatë këtyre 12 viteve të qeverisjes së zotit Rama” – është shprehur kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në intervistën për gazetën kosovare “Demos”.

Ai më tej tha se kryeministri Rama e ka flijuar interesin Kombëtar dhe interesin e Kosovës për shkak të protagonizmit të vet duke ndërtuar paradigma krejt të ndryshme, duke ndërtuar strategji krejt të dëmshme për intersin tonë Kombëtar.

Sipas Bashës, në rajonin tonë marrëdhënia me faktorin euroatlantik është i një dore të parë dhe për këtë nuk mundet që Tirana ta anashkalojë Prishtinën në një marrëdhënie me Beogradin.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Një nga gjërat e pakta me të cilat mund të krenohej politika në Shqipëri, ishte që kur vinte puna te Kosova, nuk kishte ndasi mes palëve. Për fat të keq edhe kjo është rrëzuar gjatë këtyre 12 viteve të qeverisjes së zotit Rama, i cili e ka flijuar interesin Kombëtar dhe interesin e Kosovës për shkak të protagonizmit të vet duke ndërtuar paradigma krejt të ndryshme, duke ndërtuar strategji krejt të dëmshme për intersin tonë Kombëtar. E kam thënë dhe dua ta përsëris që në rajonin tonë, marrëdhënia me faktorin euroatlantik është i një dore të parë. Si mundet Tirana ta anashkalojë Prishtinën në një marrëdhënie me Beogradin?! Një marrëdhënie që trumbetohet si miqësore në funksion të paqes dhe stabilitetit, dhe sa herë që ka krizë në Kosovë, Tirana është e heshtur! Sepse nuk ka absolutisht asnjë influencë në marrëdhënie personale që zoti Rama ka krijuar me zotin Vuçiç. Është një dështim i përmasave tragjikomike. Marrëdhëniet e Tiranës me faktorin euroatlantikë në Ballkan, do të thotë vizionin tonë i politikës së jashtme, konsolidimin e marrëdhënieve me Zagrebin, me Sofien dhe me qendrat e tjera euroatlantike të rajonit dhe trajtimi i Serbisë për atë që është. Një forcë regressive, revizioniste, që kërkon të rishikojë kufijtë, që jeton akoma në ëndrrat e hegjemonisë së djeshme. Sigurisht që edhe synimi ynë është që edhe Serbia, edhe qytetarët e Serbisë, pas braktisjes së një lidershipi regresiv me frymëzimet do të thoja Putiniste, të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit, t’i bashkohen përpjesjes së përbashkët për një rajon në Bashkimin Europian. Ku domethënia e kufijve reduktohet pikërisht nga transparenca dhe nga komunikimi i lirë mes kufijve shtetëror. Dhe ku qytetarët respektohen si subjekte të barabarta në ligje të standarteve europiane, e në veçanti kjo ndodh edhe për minoritetin, duke përfshirë edhe minoritetin serb në Kosovë, apo komunitetin e shqiptarëve në Serbi dhe kudo tjetër në rajonin e Ballkanit. Dhe në këtë pikpamje, qeveria e Tiranës nën zotin Rama është shumë larg minimumit që duhej të bënte për të jetësuar objektiva të tilla të interest tonë Kombëtar në politikën e jashtme.

Artikulli paraprak“Sulmi i Beogradit mbi Kosovën skenar i Kremlinit”, Basha: Kosova pjesë e pandarë e sigurisë tonë kombëtare, fondi për ndihmën ushtarake nuk duhet penguar
Artikulli tjetërMandati i Xhaçkës nuk u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, ambasada e SHBA: Qeveria e institucionet duhet të respektojnë rregullat dhe ligjet