Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar zhvillimet e fundit në politikë, duke ofruar një vlerësim të qartë mbi situatën aktuale dhe lëvizjet e reja në opozitë.
Në një një emision televiziv Z.Mërtiri thekson se për të pasur një opozitë efektive dhe për të sfiduar dominimin e kreut të PD Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama, është e domosdoshme të krijohet një opozitë e re dhe e fortë.
Sipas tij, e vetmja rrugë për fitore është të largohet Sali Berisha që mban peng opozitën
Një lëvizje e re politike u shpall sot në kampin e opozitës. Katër deputetë demokratë së bashku me Dashamir Shehin kanë premtuar t’ju ofrojnë një alternativë të re qytetarëve. A besoni se kjo lëvizje do të ketë sukses?
Mendoj që është lëvizje e drejtë dhe e duhur. Kjo nuk është gjë e keqe as për deputetët as për vendin. Dy grupet PS dhe PD janë bashkë, koordinojmë punët me njëri- tjetrin. Së bashku përpiqen të organizohen. Berisha mban Ramën në pushtet, ndërsa Rama mban Berishën si lider të Partisë Demokratike. Kjo është gjë shumë e keqe sepse e lë vendin pa opozitë.
Ka disa forca të reja politike që kanë shprehur ambicien të garojnë në zgjedhje: Adratik Lapaj, Arlind Qori, Lulzim Basha apo edhe Enkelejd Alibeaj. A mendoni se ato do të arrijnë të bindin shqiptarët t’i votojnë, kur në të kaluarën asnjë forcë e re nuk ka mundur të marrë qoftë edhe një deputetë të vetëm?
Shoh një handikap që as forcat e reja nuk kanë atë fuqinë përmbytëse. Opozita e Berishës është dukshëm në krah të Ramës. Nuk kemi akoma forca të reja që mund të zëvendësojnë Partinë Demokratike. Ajo që shoh është që ka një pjesë të madhe të shqiptarëve që nuk janë me asnjë nga palët, as me PD dhe as me PS. Një pjesë e madhe nuk do votojnë asnjë.
Cila do të ishte sipas jush rruga që opozita të fitonte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
E vetmja rrugë është të largohet Sali Berisha që mban peng opozitën. Unë nuk mendoj se Rama është i fuqishëm, thjesht opozita është shumë e dobët. Rama është kryeministër shumë i dobët. Me sondazhe ai nuk merr më shumë se 48 %, por nga ana tjetër ai ka një opozitë të përçarë. E vetmja mënyrë për të mundur Ramën është të krijohet një opozitë e re.