Biznesi 467 milionë euro e greva e urisë në Zharrëz

Armand MAHO

Një njeri i pamësuar do e ndjejë erën e lehtë të gazit, që mbështjell qytetin jugor… Vjen nga Patoz Marinza, që është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe nga më të mëdhatë ose më e madhja në Evropë. Një sipërfaqe prej më shumë se 17 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5.4 miliardë fuçi. Nafta bruto e kësaj zone shitet me një zbritje prej rreth 50-60% ndaj referencës europiane për shkak të cilësisë së saj, por që gjithsesi mbetet një pasuri jashtëzakonisht e madhe po të marrësh parasysh çmimet në tregjet evropiane, për të mos folur më pas për çmimet e tregut vendas. Patoz Marinza u zbulua nga inxhinierët italianë në mesin e viteve 1920 dhe mediat evropiane të kohës i bënë jehonë mjaft të madhe këtij vendburimi. Në fakt, nuk ka qenë dhe aq e vështirë, pasi lënda bituminoze gëlonte në sipërfaqen e tokës. Fusha e Patoz Marinzës është rreth 12-15 kilometra nga qyteti i Fierit. Pasi merr rrugën në juglindje të qytetit ose rruga e Patosit që quhet nga fshati Verbës, Zharrëzën e ndajnë vetëm 2 apo tri kilometra. Është një fshat me rreth 500 shtëpi i vendosur anës vendburimit të Patos Marinzës, një fshat i cili “ari i zi” që mbajnë në nëntokën e tyre po u kthehet në një mallkim.

Në Zharrëz

Nuk ishte e vështirë të gjenim ambientet e grevës. Jashtë saj qëndronin grupe-grupe banorët, ndërsa në dyert dhe xhamat e lokalit të improvizuar shkruhej “Na ndihmoni, Aleppo shqiptare është këtu”. Muzgu sapo ka filluar të bjerë dhe prej 5 ditësh 10 banorë të Zharrëzës kanë nisur një grevë urie. I pret një tjetër natë e ftohtë dhe fuqitë po i shterojnë… Shtëpitë u janë shembur, toka u është kontaminuar, uji gjithashtu dhe së bashku me to dhe prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Një situatë absurde e krijuar nga një kompani, e cila duket se ka lidhje të forta lart, në qeverinë e Tiranës, atje ku bëhen pazaret. Kjo nuk është një akuzë e hedhur kot, si për të drejtuar gishtin kur s’ke zgjidhje, jo! Protestës së tyre nuk i është përgjigjur askush… Prefekti i Qarkut Fier u përzu nga ambientet e grevës të shtunën në mbrëmje. Arsyeja ishte e thjeshtë, mori përsipër të negociojë për dëmshpërblimin e katrahurës që po u ndodh dhe nuk bëri asgjë. Prefekti nuk është i vetmi. Damian Gjiknuri, ministri i Industrisë u kish premtuar, në vitin 2014 zgjidhje të problemit të tyre, madje kjo ka çuar dhe në ndërprerjen e grevës të nisur në atë kohë… Por të dielën në mbrëmje ata i binin dëshpërimisht telefonit të tij dhe asnjë përgjigje… Në datë 21 dhjetor pas lëkundjeve prej 4.5 ballë të tërmetit të shkaktuar ai kish lëshuar një urdhër që kompania të ndërpresë punimet, por ajo vazhdonte e qetë të nxirrte nga nëntoka me shpërthime naftën. Askush nuk i thoshte gjë dhe në horizont dukeshin botet që shkonin e vinin pa u shqetësuar nga askush…

Kontaminimi

“Në rast se do të bëja analizat nuk e di se çfarë sëmundje mund të më nxjerrin”, thotë Endri, një djalë i ri grevist bashkë me të tjerët. “Këtu është ndotur gjithçka, toka, uji, ajri. Mëngjeseve era është e padurueshme… Nuk dimë ku të shkojmë, nuk dimë se çfarë të bëjmë. Por kësaj duhet t’i shtojmë dhe mbetjen pa shtëpi, pasi shumë prej banesave të fshatit janë bërë të pabanueshme, përfshirë dhe timen dhe të të tjerëve këtu”, shprehet më tej ai. Një tjetër grevist na tregon se shumë fëmijë që nga mosha 3 vjeç ekzaminohen me astmë, si pasojë e ndotjes së ajrit. Nga shteti sërish heshtje… Oxhaku në cep të sallës ku zhvillohet greva nuk është në gjendje të ngrohë të gjithë ambientin dhe grevisti struket nën jorgan. “Kemi pesë ditë këtu, përveç dy deputetëve të PD-së, dhe nja tre të LSI-së askush nuk ka ardhur të na shohë si jemi. Gramoz Ruçi bën sikur nuk dëgjon, po ashtu dhe deputetët e tjerë”, thotë një tjetër grevist. Një shurdhëri, e cila duket e urdhëruar, një shurdhëri që ka prekur dhe mediat me të cilat ata ishin nervozuar jo pak. “Vijnë këtu dhe ose nuk e transmetojnë kronikën, ose e shndërrojnë siç bëri një TV që për pak sa nuk aludonte se jemi futur për qejf në grevë urie”, shprehen ata.

Kush qëndron mbrapa kompanisë?

Bankers Petrolium është kompania që prej gati 12 vjetësh operon në fushën e nxjerrjes së naftës në Patoz Marinzë. Kohët e fundit u përfol për një shitje tek kompania kineze Geo Jade, për një shumë prej 557 milionë eurosh. Në fakt ende nuk dihet pasi u përfol që kompania kineze do e mbyllte marrëveshjen në fund të shtatorit të këtij viti, por sërish dyshimet mbeten. Përse një kompani, e cila fiton rreth 467 milionë dollarë në vit nga nxjerrja dhe përpunimi i naftës së Fierit sipas të dhënave të vitit 2013 të shesë për një shumë të tillë biznesin e saj?! Në shkurt të këtij viti, Rama ishte vetë në Zharrëz, ku premtoi se kompania e re do të mendonte për banorët e Zharrës dhe do të kujdesej për dëmshpërblimin e tyre. Por që nga ajo kohë ka kaluar thuajse një vit dhe Rama nuk është dukur më në Zharrëz. Dyshimet janë se prapa marrëveshjes për shitjen e Bankers Petrolium qëndron spekulanti Xhorxh Sorros që thuhet se ka 20 për qind të aksioneve. Kjo bëhet dhe më e besueshme po të kemi parasysh se prodhimin në masën 65% të saj, kompania në bazë të një marrëveshjeje do ja shesë një kompanie të regjistruar në Ishujt Virgin, e cila ka marrë në përdorim kompaninë ARMO, e cila operon në këtë zonë me rafineritë e naftës së Fierit dhe Ballshit. Është kjo kompani, e cila ka ekskluzivitetin për përpunimin e naftës kryesisht për eksport dhe një pjesë për tregun vendas. Në kohën e marrjes nga kompania në fjalë, pas së cilës fshihet një klient i Ramës, ARMO kishte më shumë se 500 milionë dollarë borxhe, ku 300 milionë prej tyre ishin kredi të marra në banka, ndërsa pjesa tjetër taksa të papaguara dhe detyrime të tjera. Kontrata është bërë me kusht që në tremujorin e katërt të vitit 2016 kompania të intensifikojë më shumë nxjerrjen e naftës, intensifikim i cili po bëhet me kosto të lartë për banorët.

900 lëkundje për 2 muaj

Patoz Marinza dhe fshatrat përreth saj, kanë rënë pre e një makutërie, e cila po shfrytëzon pa karar resurset e këtij vendi. Ajo që po ndodh është e thjeshtë. Resurset e naftës në sipërfaqe janë pakësuar nga përdorimi dhe nxjerrja prej dekadash e naftës në këtë vend. Për të marrë naftën që ndodhet në thellësi, kompania duket se ka gjetur mënyrën më të thjeshtë, atë me anë të shpërthim, e cila trazon vendburimet dhe i bën më lehtë të arritshme. Banorët shprehen se vetëm për muajt tetor-nëntor janë regjistuar rreth 900 lëkundje sizmike të ardhura si pasojë e shpimit me anë të shpërthimit me ujë teknologjik. Pra, 900 lëkundje për 2 muaj ka një mesatare prej rreth 15 lëkundjesh në ditë. “Nuk mund të vemë dot as gjumë në sy pasi kemi frikë se çatia mund të na shembet nga çasti në çast dhe kemi fëmijë”, tregon një banor. Me këtë frikë ata jetojnë prej vitesh, por muajt e fundit, sidomos pas shitjes së ARMO babëzia sikur është shtuar, kjo dhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. “Sapo çmimi i naftës bie në bursa, dhe lëkundjet sikur rrallohen. Kishte nja shtatë muaj që nuk ishin me këtë intensitet, por ka që nga tetori që jemi të terrorizuar”, tregojnë banorët. Të gjithë të tregojnë me foto dëmtimet e shtëpive, të cilat i kanë bërë për t’ja treguar personave që duhet të interesoheshin për hallin e tyre, por që nuk duken kurrkund.

Artikulli paraprakAkuza nga Gjermania dhe Austria ndaj Ramës
Artikulli tjetërSi do të fshihen gjobat e gabuara